pink-minimalist-gynecologist-logo-1687779265.png

Pushteti i painteresuar për të zbatuar politika për barazi gjinore, sekretariati për barazi akoma inekzistent

N'THELB

June 26th, 2023

“Me përkushtim dhe bashkë do të punojmë për themelimin e Sekretariatit për barazi gjinore i cili do të nënkuptojë vendosjen e një mekanizmi të ri dhe të avancuar për barazinë gjinore i cili do të jetë përgjegjës dhe do ta ndjekë përfshirjen e perspektivës gjinore në të gjitha zgjidhjet ligjore sipas akteve ligjore dhe programeve duke u përpjekur të garantojë barazi të tërësishme gjinore në shoqërinë tonë.”

Kjo është një pjesë nga fjalimi i ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, para deputetëve më 8 Mars të këtij viti. Ministrja konfirmoi se po punohet mbi përmbajtjen e ligjit të ri për barazi gjinore i cili edhe në këto momente të kësaj analize, ndodhet në ENER (programi elektronik i qeverisë për shqyrtim publik të drafteve të ligjeve).

Sekretariati për barazi gjinore është në grupin e mekanizmave që ka marrë përsipër të zbatojë shteti si pjesë e strategjisë për zbatimin e Konventës së Stambollit. Kërkuam sqarime nga Ministria, kur ky Sekretariat do të fillojë me punë dhe cilat do të jenë detyrat e tij prioritare. Përgjigja ishte e shkurtër dhe e përgjithshme; Sekretariati do të formohet në përputhje me ligjin që është në përpunim.

Baza juridike për themelimin e Sekretariatit për barazi gjinore është në ligjin për baza gjinore i cili është në fazë përgatitore. Sekretariati duhet të zbatojë të gjitha detyrimet dhe kompetencat sipas ligjit mes të cilave edhe propozim për vërtetimin e qëllimeve prioritare për avancimin e barazisë gjinore për të gjitha prioritetet strategjike të vërtetuara me vendimin vjetor të qeverisë

thanë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale

Nuk është e jashtëzakonshme që zbatimi i mekanizmave në vend që kanë të bëjnë e barazinë gjinore të realizohet “me shpejtësinë e breshkës”. Madje edhe premtimet të cilat në letër figurojnë me vite.

“Do të themelojmë Sekretariat për baraza gjinore në kuadër të Qeverisë i cili do të kujdeset për zbatimin e perspektivës gjinore në krijimin e politikave dhe buxheteve në nivel kombëtar dhe lokal”, thuhet në programin zgjedhor të LSDM-së për zgjedhjet e vitit 2016.

Sipas këtij programi të LSDM-së, zbatimi i këtij premtimi është dashur të bëhet brenda dy viteve nga marrja e pushtetit, gjegjësisht, Sekretariati duhet të kishte filluar punën në gjysmën e parë të vitit 2019.

AKTIVISTËT: SEKRETARATI ËSHTË HAP POZITIV, EKSPERTËT TË JENË PJESË E TIJ
elena-gagovska-profile-(1).jpg

Elena Gagovska, aktiviste për të drejtat gjinore dhe të drejtat e njeriut vlerëson se është e rëndësishme që barazia gjinore të jenë prioritet i lartë për institucionet e vendit.

“Nëse formohet Sekretariat për barazi gjinore, kjo definitivisht do të ishte një hap pozitiv drejt arritjes së atij qëllimi. Gjithsesi, do të theksoja se nuk është e rëndësishme që një institucion i tillë vetëm të ekzistojë si pro-formë, por që ai të ketë fuqi të monitorojë institucionet e tjera”, thotë Elena Gagovska, aktiviste.

Për funksionim më efikas të këtij institucioni i cili eventualisht do të themelohet, Gagovska shton:

“Gjithashtu, është e rëndësishme që ekspertë të dëshmuar në fushën e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut të kyçen në këtë Sekretariat që të mos lihen anash aspektet kyçe të barazisë gjinore, si dhuna në bazë gjinore, të drejtat e LGBTI-së dhe njohja juridike e gjinisë së personave transgjinor”, përfundon aktivistja, Elena Gagovska.

ÇFARË PARASHEH DRAFTI I LIGJIT RRETH SEKRETARIATIT?

Qëllimi i ligjit të ri dhe i Sekretariatit do të jetë luftimi i stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore, pjesëmarrje e barabartë dhe e balancuar, përforcim i grave, aftësimi dhe qasja e duhur e tyre. Sipas draft-versionit të ligjit për barazi gjinore parashikohet formimi i Sekretariatit të posaçëm me këto detyra:

  • Koordinimi horizontal i subjekteve dhe mekanizmave gjinore për zbatimin e ligjit,

  • E ndjek harmonizimin e politikave dhe jep mendime ekspertësh, propozime dhe udhëzime për harmonizimin e politikave të qeverisë,

  • Jep mbështetje eksperte,

  • I dorëzon qeverisë dhe ministrive nisma dhe propozime për ndryshim dhe plotësim të ligjeve në kuptimin barazisë gjinore dhe politikave që duhet të harmonizohen me ligjin,

  • Bashkëpunon me shoqata, fondacione dhe grupe joformale për barazi gjinore dhe partnerë social,

  • Formon Këshill për barazi gjinore si trup këshillëdhënës për vendosjen e bashkëpunimit dhe mbledhje mendimesh dhe propozimesh për avancimin e politikave të barazisë gjinore,

  • Përpilon dhe publikon analiza, hulumtime, informacione, raporte dhe dokumente të tjera që lidhen me barazinë gjinore…

Këto janë vetëm disa nga kompetencat e parashikuara me ligj, kurse me Sekretariatin parashihet të udhëheqë një zv/kryeministër i posaçëm.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia