January 10th, 2024
Pak kontekst: Më shumë se shtatë muaj kanë kaluar që kur organet e hetuesisë në Maqedoninë e Veriut kumtuan që kanë formuar lëndë kundër 11 personave nga Tetova dhe Gostivari për shkak se për një kohë të gjatë kishin keqpërdorur seksualisht një vajzë 14 vjeçe. Krejt kjo kishte ndodhur me ndihmën e tutores së vajzës së mitur, e cila për të fituar para kishte shfrytëzuar statusin e rënduar shëndetësor dhe social të viktimës.
Vajza e mitur sot është në vend të sigurt.
“Fëmija është nën kujdesin e qendrës për punë sociale në Tetovë, ndërsa në interes të procedurës gjyqësore e cila vijon si dhe mbrojtjes të të drejtave të fëmijës së mitur nuk mund të japim informacione më të detajuara” konfirmuan për ‘Mollëkuqja’ nga Qendra për Punë Sociale në Tetovë.
Drejtësia megjithatë ende nuk ka arritur në pjatën e viktimës për ta shijuar dhe për t’i dhënë një dozë edhe më të madhe sigurie për jetën e saj, kjo pasi fillimisht hetuesia ndërsa aktualisht gjykata, assesi s’po arrijnë t’i japin një epilog rastit.
Në ne ‘Mollëkuqja’ po e ndjekim me vëmendje rrjedhën e procedurës gjyqësore.
Vini re dhe kujdes me datat: Më 20 nëntor të vitit paraprak kërkuam nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të na japin më shumë informacione se çfarë po ndodhë me rastin dhe a janë të gjithë 11-të të akuzuarit për këtë rast në paraburgim.
Një muaj e dhjetë ditë para vitit të ri nga ky organ i hetuesisë na thanë që për këtë rast dhjetë persona vazhdojnë të jenë në paraburgim ndërsa një i akuzuar është në ikje dhe i pakapshëm për organet e vendit.
Pasi bëhet fjalë për një akuzë kaq të rëndë, u futëm në ueb-sajtin e Ministrisë për Punë të Brendshme për të parë në qoftë se ky person që është në ikje figuron në listën e personave të cilët kërkohen me fletarrest ndërkombëtar.
Nuk ishte. Pyetëm prokurorinë përse?
Këtu lind konfuziteti: Më 28 dhjetor të vitit paraprak, përkatësisht pak më shumë se një muaj nga përgjigja e lartëpërmendur na thanë në bazë të fletarrestit ndërkombëtar, ky person është kapur dhe aktualisht vijon procedura për ekstradimin e tij në vend.
“Është shpallur fletarrest kombëtar dhe ndërkombëtar të cilat janë aktive dhe në bazë të kësaj aktualisht po rrjedhë procedura për ekstradimin e tij” thanë nga prokuroria për ‘Mollëkuqja’.
Inzistuam të marrim përgjigje se përse ky person nuk nuk është publikuar në listën e personave që kërkohen me fletarrest ndërkombëtar, meqë edhe kanë kaluar më shumë se shtatë muaj dhe ai ende nuk është përballur me drejtësinë në vend.
“Për atë se cilët persona publikohen në ueb-sajtin e Ministrisë për Punë të Brendshe dhe në bazë të cilave kritere, përgjigje duhet të kërkoni në atje” na thanë shkurt nga prokuroria.
Nuk dihet se në cilin shtet është kapur dhe kur
Përpos kontradiktave të lartëpërmendura dhe kohës së gjatë që u është dashur organeve të vendit për ta gjetur një person të akuzuar për një vepër penale kaq të rëndë, kompetentët nuk japin informacione se në cilin shtet është kapur ky person dhe kur pritet të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut.
Këtu mund të ndikojë fakti që bëhet fjalë për një lëndë në të cilën ka të përfshirë një të mitur dhe procedurat gjyqësore për këto raste dallojnë nga ato të zakonshmet, kjo për hir të respektimit të të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjes së identitetit, gjithashtu edhe respektimit të prezumimit të pafajësisë të të akuzuarve.
Megjithatë, theksojmë se ne në ‘Mollëkuqja’ kërkuam informacione thelbësore për një të akuzuar, dhe jo për viktimën e mitur.
Çfarë po ndodhë aktualisht me këtë lëndë?
Dhjetë të akuzuarit vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, procedura hetimore ka përfunduar dhe aktakuza i është dorëzuar gjykatës kompetente. Në këtë rast, gjykata ka kohë që të miratojë aktakuzën dhe të caktojë seancën e parë gjyqësore.
Me pak fjalë: Ende asnjë seancë gjyqësore nuk është mbajtur për këtë lëndë, viktima e mitur dukshëm do të presë edhe një kohë të gjatë për të shijuar drejtësinë.
Inicialet dhe mosha e personave të akuzuar për këtë rast janë si vijon: G.Sh (51), S.S (59), A.P. (67), K.H. (50), R.A. (69), I.Z. (55), I.E. (67), A.M. (50), Q.Q. (53), F.A. (63), A.Sh. (51).
Të gjithë janë nga Tetova dhe Gostivari ndrësa akuzohen për kryerje të veprës penale ‘tregti me fëmijë’. Për këto krime, autorët mund të dënohen nga tetë deri në dhjetë vite burg.
Rikujtojmë që e akuzuara e parë, përkatësisht tutorja e viktimës së mitur në bashkëpunim me tre persona, e kishin detyruar viktimën për aktivitet seksual nën kërcënimin se motrën dhe vëllain do t’ia kthenin në shtëpi tek nëna e tyre ose tek Enti për Kujdes Social. Jozyrtarisht, nga këto shërbime, të dyshuarit kanë përfituar nga 50 deri në 200 euro për gati një vit.
Në Maqedoninë e Veriut ka zyrtarisht 319 pedofilë, emrat, mbiemrat, pseudonimet dhe të dhëna tjera për këta persona mund t’i gjejmë në www.registarnapedofili.mk.
Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.
TË NDRYSHME
Analizë: Histeria mediatike për gjininë e Imane Khelif i ka rrënjët në Rusi, ...
Ardit Ramadani
19/08/2024
Sfidat etike të inteligjencës artificiale në kontekstin e dhunës me bazë gjinore
Martina Lozanoska Najdovska
05/02/2024
Vjollcë Berisha në "Llafe Grash": Nuk kam pasur pengesa që të mos jem në një ...
Rita Behadini
11/01/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia