women-empowerment-1657876204.png

RMV, burrat kanë „uzurpuar" edhe postin e rektorit, historikisht vetëm dy gra kanë ushtruar këtë detyrë

PASOJA

July 15th, 2022

Të dhënat e hulumtimit të „Mollëkuqja” në lidhje me përfaqësimin e grave në postin e rektorit të universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut janë shqetësuese, gjegjësisht, nga pavarësia e vendit, prej gjithsej 53 rektorëve të universiteteve publike, vetëm dy kanë qenë gra. Organizatat joqeveritare dhe ekspertët alarmojnë ndërkaq autoritetet shtetërore arsyetohen.

Në vend vetëm në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (UKIM) dhe “Shën Kliment Ohridski” (UKLO) ka pasur grua për rektore. Radmilla Kiprijanova në vitet 1995-98 në UKIM dhe Violeta Panovska Boshkoska në vitet 2003-07 UKLO.

Në mesin e shumë rektorëve ndër vite në universitetet publike që nga themelimi i tyre e deri më sot në RMV, gratë ngelën të papërfaqësuara në këtë rol, edhe atë:

  • Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”- Shkup, nga viti 1949 ka pasur 22 rektorë dhe vetëm një është grua;

  • Në Universitetin “Shën Kliment Ohridski”- Manastir, nga viti 1979 ka pasur 12 rektorë, vetëm një është grua;

  • Në Universitetin “Fadil Sulejmani”- Tetovë, nga viti 1994 ka pasur shtatë rektorë, asnjë nuk është grua;

  • Në “Universitetin e Evropës Juglindore” (publiko-privat)- Tetovë/Shkup, nga viti 2001 ka pasur tre rektorë, asnjë nuk është grua;

  • Në Universitetin “Goce Dellçev”- Shtip, nga viti 2007 ka pasur tre rektorë, asnjë nuk është grua;

  • Në Universitetin “Shën Paul Apostle”- Ohër, nga viti 2009 ka pasur katër rektorë, asnjë nuk është grua;

  • Në Universitetin “Nënë Tereza”- Shkup, nga viti 2016 ka pasur dy rektorë, asnjë nuk është grua.

SHOQËRIA CIVILE NË ALARM, SKANDALOZ E KONSIDEROJNË KËTË PËRFAQËSIM

Sipas Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA) të dhënat e mësipërme janë skandaloze dhe një nga shumë dështime tjera në arsimin e lartë në RMV.

FNA-ja konsideron se edhe mos-pasja e asnjë rektore të gjinisë femërore, hyjnë në „listën” e gjatë, me mijëra faqe, të dështimeve. Edhe atë, jo sepse gratë duhet të emërohen në këtë pozitë për shkak se janë gra, por, edhe nga vetë fakti që sa i përket strukturës së kuadrit të arsimuar dhe të kualifikuar në shoqërinë tonë, përfaqësimi i grave është më i lartë në krahasim me burrat, edhe atë të dhënat që i siguroi Forumi për Ndryshime në Arsim thonë që 59.5 për qind e të diplomuarve në periudhën 2000-2020 janë gra, gjithashtu edhe numri i grave me teza të magjistraturës të mbrojtura është më i lartë se sa te meshkujt, edhe atë 60,1 për qind prej magjistrave në vitet 2019,2020 kanë qenë gra, e njëjta vlen edhe për disertacionet e doktoratës, që janë 59,8 për qind gra doktorantë në vend. Megjithatë, ne disa herë kemi theksuar se duhet ndryshuar tërësisht procedura e zgjedhjes së rektorëve të universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut, përveç diskriminimit gjinor, konsiderojmë se zgjedhja e rektorëve nuk është transparente, nuk ka garë reale (me programe nga ana e kandidatëve) si dhe përfshirja e studentëve në këtë procedurë është thuajse zero

Forumi për Ndryshime në Arsim

Sipas tyre, kjo ndodh për një zinxhir arsyesh.

“Të dhënat e Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA) thonë që gratë në vendin tonë posedojnë të gjitha kushtet e nevojshme për të kryer detyrën e rektorit të universiteteve publike. Si shumë pozita tjera publike në Maqedoninë e Veriut, edhe pozita e të parit të universiteteve është e uzurpuar nga ana e burrave, andaj, praktika shumëvjeçare ku vetëm dy gra kanë qenë rektore të universiteteve, edhe atë në Universitetin “Kirili dhe Metodi” dhe Universitetin “Kliment Ohridski” i shtynë gratë të hezitojnë të hyjnë në këtë „garë” si dhe është dekurajues për ata. Të dhënat e institucioneve kredibile për matjen e cilësive të universiteteve në Maqedoninë e Veriut janë shqetësuese dhe alarmojnë për urgjencën e ndryshimeve të procedurave për zgjedhjen e rektorëve, ndryshime këto, që Forumi për Ndryshime në Arsim disa herë i ka kërkuar”, theksojnë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Nga ana tjetër, nisma për barazi gjinore “Gender Equality Now” shprehen realiteti në të cilin gjendemi është i hidhur pasi në vendin tonë më shumë vajza përfundojnë shkollimin e lartë në krahasimin me djemtë dhe përsëri ata ngelen të papërfaqësuara në poste të tilla.

Nëse ndalemi në fushën e arsimit ajo që vërejmë është se numri më i madh i gravë që punojnë në këtë fushë i hasim në shkollat fillore sidomos në ciklin e ulët. Rënien e numrit të grave mund ta vërejmë në ciklin e lartë në edukimin fillor, edhe në shkollat e mesme e sidomos në universitetet ku numri i grave në rolin e profesorëve ulet dukshëm. Mendojmë që ka profesoresha të afta që pa problem do të mund të jenë në krye të institucioneve më të larta të edukimit në vend, mbase atëherë edhe do të përmirësohej gjendja në këto universitete, sepse fatkeqësisht renditja e tyre në listat prestigjioze ndërkombëtare është jashtëzakonisht i dobët

Gender Equality Now

EKSPERTËT E ARSIMIT, LUFTA PËR BARAZI DHE PËRFAQËRIM MË TË MADHE- E VËSHTIRË POR JO E PAMUNDUR

Dëshpëruese dhe alarmante e konsideron këtë përfaqësim profesoresha universitare Linda Ziberi e cila në këtë fushë akademike ka përvojë rreth njëzet vite. Kjo statistikë sipas saj është vetëm një reflektim i të gjitha statistikave tjera të përfaqësimit gjinor në shoqërinë tonë.

Përveç të gjitha barrierave tjera me të cilat ballafaqohen gratë në institucionet tjera, këtu si shtesë e kanë edhe procesin e meritokracisë akademike i cili është tejet rigjid dhe maskulin në karakter. Kjo lloj meritokracie ua bën të vështirë grave të avancohen në institucionet e larta arsimore në shtetet më te zhvilluara në botë, ku kanë arrit një far lloj barabarësie në sferat tjera, e ku më Maqedoninë e Veriut ku ballafaqohen me barriera bazike në jetën e përditshme. Qëndrimi im është normalisht se kjo gjë është absolutisht e papranueshme në kohën e sodit. Aq më tepër tani kur kemi një trend të ngritur të studenteve vajza në universitete, numri i të cilave shpesh herë e tejkalon numrin e meshkujve në disa universitete, si dhe statistika të cilat tregojnë se globalisht vajzat arrijnë sukses më të larte në universitete se djemtë. Është tejet dëshpëruese të shihet që ky sukses nuk reflektohet më pas në karrierën e tyre, si në sferat tjera ashtu edhe në institucionet e larta arsimore

Linda Ziberi

Arsimtari dhe njohësi i sistemit të arsimit në RMV, Satki Ismaili shprehet se ky përfaqësim i grave në këtë sferë është një problem i cili duhet ulur dhe gjetur zgjidhje. Mirëpo, ai thekson se nëse krahasohen edhe universitetet më të mira në nivel global rezulton se ata janë të udhëhequra nga gratë.

Sfida të ngjashme kanë patur edhe universitetet më prestigjiozë botërore sidomos edhe universiteti i Harvardit ku përfshirja e femrave gjatë viteve 1970 ka qenë shumë e vogël, por femrat luftuan për një raport një me një në pranimin e meshkujve dhe femrave në vend të raportit katër me një ku duke filluar nga viti 1977, numri i grave u rrit gradualisht derisa arritën barazi në vitin 2007. Kjo flet se nuk duhet të kemi paragjykime të tilla se gratë nuk mund të jenë të suksesshme në postin e rektorit të universitetit

Satki Ismaili

Për atë se përse ndodh kjo, sipas profesoreshës Linda Ziberi janë tre faktorë kyç, edhe atë: individual, shoqëror dhe administrativ.

“Sa u përket faktorëve individual, ekzistojnë dy aspekte të rëndësishme në përfaqësimin e grave në institucionet e arsimit të lartë. Pik së pari, gratë nuk kanë mundësi, interes apo kohë për të bërë punë serioze shkencore. Së dyti, burrat në këto institucione diskriminojnë qëllimisht pasi që nuk duan të ndajnë pushtetin me gratë. Sa i përket faktorit administrativ, kjo ka të bëjë me atë procesin e meritokracisë akademike që kërkohet nga institucionet e larta arsimore me qëllim të avancimit në shkallën e profesorit të plotë në institucionet e arsimit të lartë, gradë e cila kërkohet për tu kandiduar edhe për rektor. Shumë studiues tani më e kane vërejtur se rruga tipike e karrierës në akademi është e strukturuar sipas një perceptimi mashkullor të suksesit, i cili përfshin të qenit aktiv në kërkime shkencore, publikime, udhëtime ne konferenca brenda dhe jashtë shtetit, si dhe nënshtrim në një vlerësim rigjid kërkimor. Faktori i tretë është ai shoqëror, dhe ne jemi të vetëdijshëm për stereotipat dhe diskriminimit gjinor që është prezent ne institucionet tona. Si për shembull, e dimë se tiparet si kompetenca dhe autoriteti zakonisht asocohen me persona në pozita të larta në institucione dhe për shkak të besimeve kulturore dhe stereotipike, këto tipare zakonisht i asocojmë me burrat. Andaj edhe ekziston një korrelacion i qartë mes gjinisë dhe pozitave më të larta në organizata apo institucione në shoqërinë tonë, ku burrat qartë dominojnë”, thekson Ziberi.

Ajo përfundon se ndoshta kemi profesoresha gra të përgatitura për rektore, por ata janë një numër shumë i vogël dhe aspak i mjaftueshëm, pikërisht për shkak të faktorëve të lartpërmendur.

Nga ana tjetër Ismaili shprehet se në vend, universitetet duhet që në Strategjitë e tyre zhvillimore universitare të përfshijnë edhe prioritetet për përfaqësimin e grave në pozitat udhëheqëse universitare edhe si rektore.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka profesoresha të cilat janë të dëshmuara në shumë aspekte profesionale universitare, por skepticizmi se gjasat e tyre janë minimale për këta pozita duke patur parasysh se përkrahja institucionale dhe e shoqërisë në përgjithësi është shumë e vogël, i bën që interesimi i tyre është nën çdo nivel. Pikërisht në RMV duhet të ngritën iniciativa pse jo edhe senzibilizim i shoqërisë, që mundësitë të jenë të barabarta si për burrat po ashtu edhe për gratë për pozitat udhëheqëse universitare dhe kjo detyrë mos shihet në kontekstin gjinor por në kontekstin e shkathtësive udhëheqëse si dhe dëshmive për posedim të kompetencave adekuate për karrierë”, përfundon Ismaili.

Ministria e Arsimit: Perspektiva gjinore është inkorporuar në politikat e Ministrisë në përputhje me aktet ligjore kombëtare.

Nga kjo ministri thonë se institucionet e arsimit të lartë janë autonome dhe zgjedhin në mënyrë të pavarur menaxhimin e tyre.

Për shpallje publike për zgjedhjen e rektorit mund të aplikojë kushdo që i plotëson kushtet dhe zgjedhja bëhet në përputhje me dispozitat e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe statutet e universiteteve

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Ndryshe, në vend aktualisht ka vetëm një rektore në universitetin privat “FON”- Biljana Puleska Janushevska. Ndërsa universitetet tjera private në vend kanë burra si rektorë, konkretisht Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Universiteti Ndërkombëtar Vision dhe Universiteti I Kolegjit Amerikan.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia