Safety-(1).png

„Screenshot e n'polici" - mbrojtja nga bullizmi në internet e vështirë, por jo e pamundur

SEEN

April 29th, 2022

Përderisa 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian gjashtë ditë më herët arritën një marrëveshje historike për minimizimin e gjuhës së urrejtjes online, në Maqedoninë e Veriut ndërvite denoncimet për gjuhë të urrejtjes përfundojnë në sirtaret e MPB-së, pa epilog konkret edhe pse pasojat e bullizmit janë të mëdha. Pagjumësia, humbja e produktivitetit, vonesat janë vetëm disa nga treguesit se fëmija juaj mund të jetë viktimë e bullizmit sipas psikologut Dorjan Krasniqi. Nga ana tjetër, Lokman Musliu nga „LuckyMedia” përmes “Mollëkuqja” dha disa këshilla se si të përballemi me bullizmin kibernetik dhe si të jemi më të sigurt në internet.

Nga prilli i vitit të kaluar, gjegjësisht nga data 1 prill 2021 deri më sot, gjithsej 190 persona kanë denoncuar gjuhë të urrejtes përmes internetit në Komitetin e Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut prej të cilave gjithsej 128 raste kanë pasur për bazë identitetin gjinor dhe orientimin seksual. 

Një pjseë e madhe e denoncimeve për gjuhë të urrejtjes vijnë nga romët, të cilët shpesh herë janë më të sulmuarit në rrjetet-sociale me fjalë të ndryshme ofenduese, ofendimet dhe stereotipet kanë dozë më të lartë kur bëhet fjalë për gratë rome.

Instituti për Hulumtime dhe Analiza politike “Romatilico” së fundmi ka monitoruar gjuhën e urrejtjes në internet, sipas tyre, ka rezultuar që gjuha e urrejtjes më së shumti shfaqet në „Facebook” ndërkaq më pas vjen platforma „Instagram” dhe e treta „Youtube”.

Deniz Selmani, një nga themeluesit e „Romantilico”, potencoi se Departamenti i Krimit Kompjuterik dhe Forenzikës Digjitale në MPB duhet të jetë më efektiv në zbulimin e personave të cilët duke u fshehur pas profileve të rreme apo duke vjedhur identitetin e dikujt, shpërndajnë gjuhë të urrejtjes dhe jo vetëm. 

“Ka ndodhur disa herë të raportohet për gjuhën e urrejtjes në këtë sektor, por reagimi i tyre është shumë i ngadalshëm, gjegjësisht zyrtarët policorë nuk e trajtojnë këtë krim si shumë të rëndësishëm”

tha Deniz Selmani nga “Romantilico”

Selmani shtoi se dispozitat ligjore nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar gjuhën e urrejtjes. Ai tha se më se “të nevojshme janë masat edukative, politikat, si dhe fushatat që synojnë ndërgjegjësimin e të rinjve për njohjen e gjuhës së urrejtjes, reagimin dhe raportimin e tyre”.

Në qoftë se nuk ndërmerren masa, pasojat nga bullizmi mund të jenë serioze, tha psikologu Dorjan Krasniqi për „Mollëkuqja”

Sipas Krasniqit, bullizmi paraqet tentativë për shtirje të autoritetit nga një individ ose grup në tjetrin, ai thotë se kjo është „sjellje agresive në mes fëmijëve të moshës shkollore që përfshin një çekuilibër të vërtetë ose të përceptuar të fuqisë. Kjo sjellje ka potencialin që të përsëritet me kalimin e kohës”

236438825_10223327405926561_5338598801461837067_n.jpeg

Psikologu Krasniqi potencoi se pasojat nga ky fenomen mund të jenë të ndryshme, varësisht nga njerëzit, megjithatë sipas tij ekzistojnë disa pasoja të përbashkëta dhe të cilat në qoftë se nuk ndërmerren masa adekuate në parandalim dhe trajtim, mund të jenë shumë serioze.

“Së pari duhet të përmendim që njeriu është qenje individuale ndër tjera, dhe duke u nisur nga ky fakt e kuptojmë që edhe efektet e presioneve të jashtme qofshin ato edhe të njejta dhe në situata identike mund të kenë pasoja të ndryshme nga individi në individ si në intensitetin e përjetimit, në formën se si shfaqet, në shpeshtësinë e paraqitjes  , por ajo që është e përbashkët e shumicës së atyre që "ngacmohen" është humbja e produktivitetit, pagjumësia, humbja e interesit në gjërat që më parë kanë qenë të rëndësishme, evitimi i hapsirave ku ngacmohen, vonesat per tu paraqitur ne shkolle,pune ose kudo ku ngacmohen” tha Dorjan Krasniqi për „Mollëkuqja”.

Nuk ka përgjigje konkrete se çka e ushqen këtë fenomen, por sipas Krasniqit, ndjenja e inferioritetit, mënyra dhe rrethi familjar mund të ndikojnë që një fëmijë të bullizojë duke përdorur fuqinë e tij/saj, qoftë fizike apo psiqike. 

“Fëmijët që bullizojnë përdorin fuqinë e tyre si: forcën fizike, qasjen  në informacione të sikletshme kjo  për të kontrolluar ose dëmtuar të tjerët.  Ndjenja e inferioritetit mund të jetë diqka tjetër  që i shtynë bullizuesit të bullizojnë, poashtu ata këtë sjellje ka mundësi që ta modelojnë nga familja e tyre, ose nga ndonjë ambient tjetër ku ata ndërveprojnë dhe në të cilin një sjellje  e tillë kultivohet,aplikohet dhe shprehet, arsye tjetër është popullariteti, fëmijët mendojnë se duke bullizuar fitojnë epitetin e liderit dhe kjo ju siguron atyre një popullaritet dhe vetaktualizim” shtoi Krasniqi.

„Screenshot” dhe në polici është zgjidhja më e mirë, thotë Lokman Musliu nga “LuckyMedia”

“Bullizmi është fenomen global por që padyshim prek edhe Maqedoninë e Veriut, edhe atë në përmasa jo të vogla. Hapi i parë kur njerëzit, posaçërisht të rinjtë, përballen me cilindo lloj të bullizmit përmes internetit është të raportojnë te ndonjë më i moshuar, qoftë ky prind apo ndonjë familjar tek i cili kanë besim. Më pas, duhet raportuar edhe në shkolla, universitete si dhe patjetër në organet kompetente, në këtë rast në Ministrinë për Punë të Brendshme, aty është një sektor i posaçëm që merret pikërisht me këto punë” tha Lokman Musliu nga „LuckyMedia”

71182383_10220583649367018_1080239954900025344_n.jpeg

Musliu shtoi se është shumë e rëndësishme që të siguroni dëshmi të mesazheve apo komenteve bullizuese të cilat i merrni në internet, në mënyrë që sipas tij, edhe organet kompetente ta kenë më të lehtë gjetjen e autorit/es.

“Pra, gjëja e parë që duhet të bëhet është të raportohet dhe të bllokohet profili. Gjithmonë ide shumë e mirë është të bëni screenshots të mesazheve, në mënyrë që edhe organet kompetente ta kenë më të lehtë zbardhjen e rastit” shtoi Musliu.

Ai rekomandoi shfrytëzimin e apolikacioneve që ofrojnë enkriptim, gjegjësisht aplikacionin “Signal”, për shkak se kjo e fundit ofron atë që quhet “end to end ecryption” dhe të gjitha mesazhet janë të enkriptuara kur dërgohen dhe kur pranohen. Sipas Musliut, kjo siguron që as Signal, as T-Mobile, A1 e as Qeveria nuk mund t’i lexojë mesazhet.

Ndryshe, negociatorët nga Parlamenti Europian dhe 27 vendet anëtare të BE-së më datë 23 prill të këtij viti arritën marrëveshjen që detyron platforma të tilla si Facebook, Twitter dhe Google të menaxhojnë përmbajtjet dëmtuese si gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi. Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e përshkroi këtë ujdi si “historike”, e tha se ajo do të shtrihet edhe përtej kontinentit të vjetër. “Rregullat e reja do të mbrojnë përdoruesit online, do të sigurojnë liri të shprehjes dhe mundësi për bizneset”, tha Von der Leyen përmes një postimi në Twitter. Legjislacioni i ri tani duhet të marrë OK-in e Parlamenti Europian dhe vendeve anëtare të BE-së përpara se të nisë periudha tranzitore 15-mujore, e cila i hap vënies së tij në jetë.

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia