Untitled-design-13.png

RMV: 290 persona janë të regjistruar si pedofilë, interneti është hapësirë "e sigurtë" veprimi për to

SEEN

December 22nd, 2021

290 persona në vend shihen si rrezik potencial për sigurinë e fëmijëve.  Të dhënat personale të 13 grave dhe 277 burrave janë të  shënuara në Regjistrin e Posaçëm të Personave të Dënuar për Veprat Penale për Abuzimin Seksual të të Miturve dhe Pedofili. Nga të dhënat më të reja që siguruam nga Ministria për Punë dhe Politike Sociale, rezulton se 169 prej tyre e kanë kryer dënimin dhe janë të lirë dhe kjo gjë është evidentuar në Regjistër së bashku me të dhënat tjera. Pjesa tjetër e personave në atë regjistër vazhdojnë të vuajnë dënimin e caktuar nga gjykata. 

“Regjistri i posaçëm përmban të dhëna për personat e dënuar me vendim të formës së prerë për 11 krime kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual të kryera ndaj fëmijëve. Të dhënat e publikuara në regjistrin elektronik përmbajnë të dhënat bazë të personave, p.sh. emrin, mbiemrin dhe pseudonimin, datëlindjen, adresën e vendbanimit ose qëndrimit, krimin për të cilin janë dënuar ligjërisht, masën e dënimit, fillimin, pushimin ose ndryshimin e vuajtjes së dënimit me burg dhe fotografi. Këto të dhëna janë të disponueshme për publikun.”

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale

Regjistri i cili për herë të parë është vënë në funksion në vitin 2012 duhet të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët që të njëjtën të mund të kontrollojnë nëse ndonjë nga personat e dënuar për Veprat Penale për Abuzimin Seksual të të Miturve dhe Pedofili është banorë i lagjes së tyre. Provuam disa herë të kontrollojmë të njëjtin registarnapedofili.mk, por faqja nuk funksiononte. Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale thonë se faqja herë pas herë nuk funksionon, sepse bëhet përditësimi i të njëjtës. Sipas ligjit për themelimin e këtij regjistri, nëse ndonjë nga personat që bëjnë pjesë në listë haset nëpër zona të frekuentuara nga fëmijët, qytetarët duhet ta paraqesin rastin në polici. Pjesëtarët e MPB-së, fillimisht japin paralajmërim dhe nëse i dyshuari përsëri shihet në zona të njëjta atëherë merren masa të tera të parashikuara në ligj. Vedije Ratkoceri, profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë se në legjislacionin tonë penal në kuadër të veprës penale abuzim seksual i fëmijëve si limit i moshës është përcaktuar mosha 14 vjeçare.

“Prehë e pedofilëve janë fëmijët deri në moshën e para pubertetit, përkatësisht fëmijët deri në moshën 13-14 vjeçare. Në legjislacionin tonë penal në kuadër të veprës penale abuzim seksual i fëmijëve si limit i moshës është përcaktuar mosha 14 vjeçare. Andaj konsideroj se si grupmoshë më e rrezikuar nga pedofilët në rrjete sociale të jenë fëmijët prej moshës 7-8 vjeçare (si përdorues të internetit dhe rrjeteve sociale) e deri në moshën 14 vjeçare.”

Vedije Ratkoceri

Por nëse deri para disa vitesh prindërit shpreheshin se vendi më i sigurtë për fëmijët e tyre është shtëpia, sot fatkeqësisht nuk mund ta thonë diçka të tillë. Rrjetet sociale, sipas sociologëve, janë bërë armë e fuqishme në duart e pedofilëve, përmes të cilave këta të fundit kanë qasje shumë herë më të lehtë deri tek “preja” e tyre, të miturit. 

“Meqë fëmijët janë brezi Z, pra ai i teknologjive informatike, vazhdimisht janë online, dhe përveç lojërave shpesh komunikojnë me njerëz anonimë që gjuajnë “kurbanë” të këtillë, gjegjësisht targetojnë seksualitetin e kësaj moshe. Pedofilët me gjithë frymën e tyre patologjike një herë afrohen miqësisht, shpesh edhe prindërisht, e më pas aterojnë aty ku e kanë targetin, te seks(alitet)i i ndaluar, te shfryrja e ndjenjave dhe pasionit në biseda, madje edhe në kontakte fizike me fëmijë.”

Ali Pajaziti

Sociologët apelojnë që prindërit të jenë më vigjilent ndaj përditshmërisë së fëmijëve.

“Për fat të keq shumica e prindërve nuk kujdesen shumë për fëmijët e tyre; ua japin veglën (telefonin) apo kompjuterin në dorë dhe mendojnë se i kanë angazhuar ose i kanë hequr qafe, por në të vërtetë i kanë liruar ata në një askundësi të rrezikshme, një sferë ku në çdo çast mund të jenë pre e mashtrimit, manipulimit të individëve apo organizatave të ndryshme që kanë në shënjestër qenie të tilla të dëlira. Andaj kohë pas kohe duhet vigjiluar, duhet kontrolluar se ku surfojnë fëmijët, çfarë uebfaqesh vizitojnë, me kë janë në kontakt apo komunikim, sa kohë harxhojnë dhe me kë e harxhojnë. Këshilla, këshilla dhe këshilla fëmijëve, miqësore jo me kufizime dhe ndëshkime të natyrave të ndryshme, me fjalë të buta dhe bindje.”

Ali Pajaziti

Deri para disa muajve ngacmimet seksuale nëpër rrjetet sociale në vendin tonë nuk kanë pasur shumë vëmendjen e institucioneve, duke bërë që ata që kryenin vepra të tilla të ngeleshin pa ndëshkim meritor. Skandali që shpërtheu në janar të vitit 2020 që në opinion u identifikua si “ Javna Soba” alarmoi shoqërinë. Bëhej fjalë për një grup privat në rrjetet sociale ku nxënës të shkollave të mesme dhe të rritur ndanin dhe komentonin foto dhe video intime të vajzave të mitura nga e gjithë Maqedonia. Në shenjë revolte u organizuan marshe përmes të cilave u kërkua ndryshimi i Kodit Penal. OJQ kërkonin që të parashikohej dënim edhe për ngacmimet në rrjetet sociale dhe përndjekjet. Ministria e Drejtësisë përgatiti ndryshimeve ligjore në të cilat u vendos termi “përndjekje”.

Kjo nënkupton ”Ata që ndjekin dikë për një kohë të gjatë, përndjekin ose ndërhyjnë në jetën personale të një tjetri, duke abuzuar me të dhënat personale të viktimave, telekomunikimi apo sistemet e tjera të komunikimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Ndëshkimi do të jepet edhe për ata ndjekës që abuzojnë psikologjikisht, ngacmojnë ose frikësojnë viktimat e tyre, duke i bërë ato të ndihen të pasigurt, të ndjejnë ankth ose frikë për sigurinë e tyre ose të njerëzve të tyre të dashur.”

Në tre vitet e fundit në vendin tonë 41 fëmijë janë dhunuar seksualisht. Gjatë vitit 2018, 2019 dhe 2020 Ministria e Punëve të Brendshme ka regjistruar 290 vepra penale kundër lirisë gjinore dhe moralitetit gjinorë ku 197 prej viktimave janë minoren, kryesisht të gjinisë femërore. Të dhënat e dikasterit të Brendshëm tregojnë rritje të këtyre veprave penale në vitin 2020, krahasuar më vitin 2018 dhe 2019, përkatësisht 91/87 /112.  Në Kodin Penal parashikohen dënim me burg për personat që kryejnë vepra të tilla. Varësisht nga vepra e kryer, dhunuesi mund të dënohet nga 6 muaj deri në 10 vjet burg.

Evi Shkopi

Evi Shkopi

Evi Shkopi është juriste e diplomuar në Universitetin e Tetovës. Ajo ushtron profesionin e gazetarisë tashmë 11 vite, kurse aktualisht punon si gazetare dhe prezantuese në edicionin informativ në Klan Maqedoni. Evi raporton kryesisht mbi problematikat në arsim, shëndetësi, ekologji, tema sociale dhe ngjarje tjera aktuale.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia