Untitled-design-18.png

Barra e familjes, barra e shtëpisë, barra e shoqërisë

SEEN

January 7th, 2022

Ekziston një problematikë në jetën prindërore, posaçërisht te nënat, që shpeshherë vlon brenda tyre, por rrallëherë flitet dhe trajtohet. Kjo është çështja e barrës prindërore. 

Në shoqërinë tonë na është thënë shumë herë që nëna është ajo që përkujdeset për rritjen e fëmijëve, nëna përkujdeset për mirëmbajtjen e shtëpisë, nëna përkujdeset për rrobat dhe enët, nëna, nëna, nëna. Nga ana tjetër, pranohet si mjaft normale që babai të jetë më i shkëputur emocionalisht nga fëmijët, mos të përkujdeset aq shumë për edukimin e tyre, mos të përkujdeset për mirëmbajtjen e shtëpisë; ai punon dhe e sjell bukën, kjo, thonë, është detyra e tij. Sigurisht, çdo familje është e ndryshme, por e vërteta e përgjithshme është e tillë. 

Nga kjo pikëpamje e familjes lind problematika e barrës prindërore. Pse vallë duhet të merret veç nëna me rritjen e fëmijëve? Pse duhet veç ajo të përkujdeset për mirëmbajtjen e shtëpisë? A e justifikon fakti që babai punon mungesën e tij nga përgjegjësitë e përditshme? 

Ekzistojnë disa shpjegime për gjendjen e tillë në shoqëritë njerëzore (meqë kjo gjendje ka ekzistuar pothuajse në çdo shoqëri, veçse në Perëndim kjo tashmë po ndryshon) duke filluar nga fakti që në përgjithësi burri i familjes, që në kohët parahistorike, ka qenë ai që ka shkuar për gjueti dhe e ka vënë jetën në rrezik, ndërsa gruaja është përkujdesur për të vegjëlit dhe për shtëpinë. Nëse kjo mund të merret si arsyeja e vërtetë e kësaj gjendjeje, gjer diku është e kuptueshme. Mirëpo kohërat kanë ndryshuar. Burri, në pjesën më të madhe, nuk bën punë që ia rrezikon jetën dhe nuk bën punë që gruaja s’e bën dot. Njëlloj, rastet e “etërve të mirë” që shumë herë i shohim në rrjetet sociale, por edhe në përditshmëri, na çojnë të kuptojmë që përkujdesja për fëmijët dhe bërja e punëve familjare nuk janë përgjegjësi që burrat nuk i bëjnë dot. Megjithatë, barra prindërore ende s’ka ndryshuar. Ende arsyetohet mungesa e babait në jetën familjare si një sakrificë e nevojshme për mbijetesën e familjes; ende shumë grave i mohohet e drejta për të punuar e madje edhe për t'u edukuar meqë “punën e kanë në kuzhinë,” ose meqë “duhet ta pastrojë rrënjësisht shtëpinë përditë,” ose meqë “është turp të punojë me burra e me njerëz të tjerë.” Nga e gjithë kjo situatë, sikur të mos mjaftonin barrat e nënave, atyre u shtohet edhe një barrë tjetër, ndoshta më e rënda, ajo e shoqërisë; e një shoqërie që fatkeqësisht shumë herë e lë të paralizuar atë grua ambicioze që do të bëjë diçka më shumë për jetën e saj. 

Dhe pse i them barrë dhe jo përgjegjësi? I them ashtu sepse kur një përgjegjësi që dikush e merr përsipër me dëshirë dhe kënaqësi (siç mund të jetë rritja dhe edukimi i fëmijës për një nënë) bëhet kurth për t’i ngujuar ëndërrat e një gruaje në vend që të jenë nxitje për të përparuar, atëherë ajo përgjegjësi bëhet barrë. Dhe ju ftoj ta ktheni shikimin pak edhe te familja juaj, te familja e të afërmëve tuaj. Mos e vazhdoni artikullin për ca çaste dhe mendoni: Sa ëndrra dhe shpresa të shuara shihni te nëna juaj? 

Jam i sigurt që nuk ka nënë që s’do të jepte gjithçka për ta dhënë më të mirën për fëmijët e vet, pavarësisht sakrificave të shumta që mund të duhet t’i bëjë. Dhe jam i sigurt që nuk ka nënë që s’do të të jepte një buzëqeshje pavarësisht vështirësive që mund të jetë duke i kaluar. Por kjo s’do të thotë që gjërat janë në rregull. Jo, jo, aspak! Nuk është në rregull që të lejohet që dashuria e nënës të bëhet barrë për të. Nuk është në rregull që shtëpia, foleja e çdo familjeje, të bëhet barrë për të. Çdo njeri i cili sadopak e ka aftësinë për t’i kuptuar këto çështje duhet të punojë që ta lehtësojë këtë barrë, duke filluar nga nënat e tyre e pastaj duke vazhduar te gratë në tërësi. Duhet të kërkohet përgjegjësi edhe prej etërve, duhet të kërkohet përkujdes prej tyre si me fëmijë, ashtu edhe me shtëpinë. Shtëpia dhe familja kërkon bashkim, kërkon interes si nga gruaja, njëlloj edhe nga burri. Kërkon përkushtim të njëjtë dhe sakrifica të njëjta. Kanë kaluar kohërat parahistorike, burri mund të punojë, por njëlloj mund të punojë edhe gruaja; gruaja përkujdeset për fëmijët, por njëlloj edhe burri e ka mundësinë që të përkujdeset për ta; duhet të kërkohet llogari e njëjtë në mënyrë që familja të jetë e shëndetshme dhe e drejtë, për babain dhe nënën time dhe tënden. 

Ilir Saliu

Ilir Saliu

Ilir Saliu është student i vitit të fundit në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit “Ditë e Re” në Televizionin Kombëtar “Alsat” dhe njëkohësisht ka qenë dhe është pjesë e disa organizatave joqeveritare që synojnë përmirësimin e shoqërisë përmes edukimit dhe aktivizmit.