pink-minimalist-gynecologist-logo-(30)-1697719277.png

'Timoni' i modës që çon Amra Ismanin nga bota reale, në atë ideale - profesion që dominohet nga gratë, por udhëhiqet nga burrat

DORA VETË

October 19th, 2023

Ngjyrat e shtynë të merret me mode, ndërsa sot rrallë here i përdorë ato, përveç kësaj, koha në këtë profesion i’a prishi të gjitha definicionet fillestare për atë se çfarë është moda – por megjithatë, kurrdo që ka nevojë të ikë nga bota reale, dizejnatorja e modës Amra Ismani strehën e gjenë në punëtorinë e saj. Etiketën “ARMMA” sot mund ta gjejmë në veshjet e shumë njerëzve, por rrugëtimi i saj nuk ka qenë gjithmonë i lehtë, Ismani rrëfen për “Mollëkuqja” sfidat e këtij rrugëtimi ndërsa të rinjve që dëshirojnë të merren me mode, ajo u thotë që nëse s’janë gati të sakrifikojnë, më mirë të kërkojnë profesion tjetër.

“Që në moshë shumë të re kam pasur një interes të veçantë për modën, edhe pse ideja që kisha asokohe nuk mund të them që përputheshte shumë me definicionin tim të sotëm të modës apo me atë që moda është në të vërtetë. Pra ajo që unë konsideroja të jetë vetë moda, ishte në fakt vetëm një fragment i saj i njohur si stilizëm. Mbaj mend që pjesa ime e preferuar e secilës ditë gjatë javës, ishte koha kur duheshte të zgjedh “outfitin” për ditën e nesërme në shkollë dhe shume qartë i mbaj mend edhe sot disa nga kombinimet e preferuara që kisha” thotë Amra Ismani, në një bashkëbisedim me gazetarin e Mollëkuqja.

Si atëherë, edhe sot Amra thotë se “ajo që nuk ka ndryshuar është fakti që si një person introvert, modën gjithmonë e kam konsideruar si një formë eskapizmi, pra një arratisje nga bota reale në atë ideale”.

Edhe pse kontekstin e roleve gjinore, ajo që bën Amra i përshtatet listës së patriarkatit të punëve që konsiderohen “për gra” – nga ajo megjithatë gjatë gjithë kohës është kërkuar që të dëshmojë vendin e saj në fushën e modës, për shkak të tendencës për ta vlerësuar suksesin e saj si diçka që i është dhuruar, dhe jo merituar për shkak të punës së palodhshme.

Një formë e diskriminimit “pasiv” më ka ndjekur gjithmonë gjatë gjithë kohës, që nga fillimi, kur në moshë shumë të re prezantova kolekcionin tim të parë. Nuk ishte e mjaftueshme puna që kisha bërë dhe po e bëj në vazhdimsi për të arsyetuar vendin tim në skenën e modës dhe gjithmonë kishte një tendencë për ta parë suksesin e punës sime si rezultat i një rastësie të thjeshtë dhe fatit dhe asnjëherë si rezultat i natyrshëm i përkushtimit dhe punës që bëj

Amra Ismani

Klikoni KËTU për të ndjekur disa nga fotografitë e koleksionit të fundit të Amra Ismanit.

Duke u bazuar në këtë koleksion shumë të veçantë dhe veshjes së masës në Maqedoninë e Veriut, gazetari i “Mollëkuqja” u interesua se si është e mundur që t’i mbijetosh tregut duke mos u komercializuar, përkatësisht, duke mos ju përshtatur nevojave të masës në vend.

391626945_18289941787182850_4489731377687652767_n.jpeg

Ismani e pranoi se kjo është shumë e vështirë por, tha se “modën e shoh si një platformë përmes së cilës mund edhe të ndikoj tek publiku duke i nxitur ti vënë në dyshim idealet e bukurisë së imponuar nga shoqëria dhe të njejtën kohë, tu jap hapsirë kreative duke u ofruar veshje multifunkcionale të cilën mund ta transformojnë në mënyra të ndryshme.” Ndërsa për të qenë sa më afër klientëve, ajo bën edhe veshje të cilat krijohen në bazë të dëshirës së tyre, përkatësisht, me porosi.

E bukura, arti, moda – zakonisht janë parë si profesione të “rezervuara” për gratë ndërsa meshkujt që kanë tentuar të merren me këtë fushë, janë përballur me komente diskriminuese dhe seksiste. Por sipas Ismanit, statistikat flasin ndryshe. “Nëse e shohim në korniza globale, në industrinë e modës pjesa dërrmuese e personave në pozita vendimarrëse i përkasin gjinisë mashkullore. Prandaj nuk mendoj që fusha e dizajnit ka gjini, as edhe ndonjë profesion tjetër” tha ajo.

Të rinjtë që e duan këtë profesion të mos e idealizojnë duke menduar se gjithçka është fushë me lule, ishte mesazhi i Amra Ismanit, ajo u sugjëron atyre të gjejnë sektorin e përshtatshëm në bazë të interesave që kanë, pasi siç thotë – jo gjithkush duhet të bëhet dizejnator sepse industria ka nevojë për persona teknik, të cilët nuk janë më pak të rëndësishëm se sa dizejnatorët. Ismani thotë se sakrificat janë të pandashme nga ky profesion, andaj të rinjtë që s’janë të gatshëm ta bëjnë këtë, të mos e synojnë fare këtë profesion, sidomos jo krijimin e brendit të tyre.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia