May 12th, 2023
“Që e vogël e kisha ndarë mendjen se do të bëhem futbolliste e suksesshme, pavarësisht gjithçkaje” tha Hava Mustafa, një vajzë që 19 vite më herët vendosi të sfidojë mentalitetin dhe stereotipet se futbolli është vetëm prë djem.
Gjatë rrugës Hava është përballur me pengesa nga më të ndryshmet, pasi stereotipi i krijuar ndërvite është se vajzat dhe gratë nuk duhet të merren me futboll, por gjithsesi ajo për Mollëkuqja rrëfen se pasioni dhe dashuria e saj ndaj këtij sporti i ka ndihmuar që të tejkalojë çdo sfidë të mundshme.
Anadj sot, pas 19 vitesh, ajo luan për ekipin e futbollit të kategorisë së vajzave të Maqedonisë së Veriut, klubin futbollistik për vajzave “Shkëndija” si dhe njëkohësisht është mësuese e sportit në shkollën fillore “Bratsvo Migjeni” në qytetin e saj.
Që e vogël e kisha ndarë mendjen se një ditë dua të jem një futbolliste e suksesshme, pavarësisht paragjykimeve apo pengesave që mund të kisha gjatë zhvillimit të karrierës pasi isha vajzë. Të merrem me këtë sport ka qenë një prej ëndrrave të mia më të mëdha, besoj duhej të kishte qenë diçka e lindur brenda meje ngase që e vogël e kisha pasion këtë sport, ndërkohë që luaja me miqtë nëpër rrugët e lagjes dhe në shkollë, gjithmonë ëndërroja që një ditë të jem një futbolliste e suksesshme. Ishte diçka që unë e gjeja veten gjithmonë aty.
Hava Mustafa, futbolliste
Kështu e fillon ajo rrëfimin e saj për Mollëkuqja.mk, në të cilin rrëfen copëza sfidash se suksesesh nga mozaiku i saj i rrugëtimit në fushën e futbollit.
As fakti që në kohën kur ajo filloi të merret me sport, nuk kishte fare një klub futbollistik për vajza në qytetin ku ajo jeton, nuk u bë arsye që Hava të ndërpresë ëndrrën për të qenë një futbolliste e suksesshme, kështu, ajo u detyrua të regjistrohet në një klub futbollistik për djem, “Dardanët”.
Ishte ajo kohë që në vendin tonë nuk ekzistonte një ekip futbolli për vajzat dhe normalisht që e kisha më të vështirë sepse ushtroja me ekip djemsh deri një moment kur u detyrova që ta ndërpres ëndrrën time më të madhe për një vit. Këtë kohë jam ndjerë e pa shpresë ngase nuk mundja të bëja atë që doja, pra të luaja futboll vetëm për shkakun se isha vajzë dhe nuk kishte një ekip në Maqedoninë e Veriut. Gjithë kësaj kohe unë nuk isha në gjendjen time më të mirë dhe nuk e kisha idenë se nëse nuk do jem një futbolliste çfarë do isha tjetër.
Hava Mustafa, futbolliste
Këtë sport në Maqedoninë e Veriut ajo e konsideron si më të vështirë për vajzat pasi kërkon shumë përkushtim, punë, vullnet mbështetje financiare dhe të tjera. Por, ajo thotë se i njëjti është i vështirë edhe për djemtë. Siç sqaron ajo “sporti në përgjithësi është i shtrenjtë dhe shteti jonë për fat të keq nuk ofron kushtet e mjaftueshme që një sportist të arrij edhe më shumë sukses.”
Gjithë këto sfida, dukshëm ja kanë vlejtë. Kështu, Hava vitet e fundit po shijon sukseset e saja në mënyrë të vazhdueshme. Fillimisht hapja e klubit futbollistik për vajza – në të cilin, Hava ka qenë e para që është regjistruar ndërsa më pas ftesa që ajo mori për të përfaqësuar RMV-në në ekipin nacionaë për futboll për vajza.
“Ishte e vështirë të vazhdoja të merrem me këtë sport sepse isha femra e vetme që luaja futboll atë kohë edhe atë me ekip djemsh derisa u themelua ekipi i parë i futbollit të vajzave KFF Tetova që aktualisht e mban emrin KFF Shkëndija dhe që normalisht isha ndër të parat që u regjistrova në këtë klub, ku vazhdoj të jem pjesë edhe sot. Themelimi i këtij klubi ka qenë shpresa ime që ka bërë unë të vazhdoj ëndrrën time pa ndonjë lloj paragjykimi apo pengese”, tha Mustafa.
Në fund, Hava i sugjëroi të gjithë të rinjve të ndjekin atë profesion që duan dhe të mos lejojnë asgjë të ju bëhet pengesë, pasi siç tha ajo, "gjinia nuk duhet të jetë pengesë për asnjë lloj sporti".
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Fjolla Ibraimi rrëfen për Mollëkuqja pak nga rrugëtimi i saj artistik: Vajzat...
Fisnik Xhelili
21/12/2023
Fitoi disa çmime në karate, flet Janina Dardhishta: Motiv e kam mamin, ishte ...
Fisnik Xhelili
13/03/2024
Hapi bibliotekën shqipe në Manastir, Selimi për Mollëkuqja: Më thanë je vajzë...
Era Gjakova
05/12/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia