untitled-design-(1)-1705939348-1707775596.png

Aktivizmi për një vend më të mirë bëhet edhe nga larg, Nora Sulejmani rrëfen për 'Mollëkuqja'

DORA VETË

February 12th, 2024

Nora Sulejmani është ndër vajzat shumë të zëshme për çështjet sociale dhe politike në Maqedoninë e Veriut dhe Norvegji. Së fundmi, ajo ‘zyrtarizoi’ përpjekjet për një botë më të gjelbër, barazi gjinore dhe sociale duke u përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në politikë, në Norvegji përmes “Partia e Gjelbër” ndërsa në Maqedoni, përmes organizatës joqeveritare “Më Mirë për Tetovën”.

Për “Mollëkuqja”, thotë se përfshirja e saj në jetën politike nuk është rastësore.

“Nga viti i fundit në gjimnaz fillova të tallem me shoqet se unë do bëhem kryeministre, prej në shaka në seriozitet, fillova të studioj në këtë drejtim. Pas zgjedhjeve lokale të fundit në Norvegji jam përzgjedhur si një politikane lokale në letra por edhe në jetën reale nga Partia e Gjelbër. Është përgjegjësi e madhe pasi njerëzit ta kanë dhënë votën dhe duhet ta tregosh veten dhe të punosh në drejtimin që ke thënë, jo vetëm ta maresh votën dhe mos punosh në atë drejtim, nuk është korrekte”, tregon Nora.

Aktivizmi për Norën ishte i pashmangshëm, si armë për ‘mbijetesë’

Nora është e prekur nga albinizmi, çrregullim gjenetik që rezulton në mungesë të pigmentimit (melaninës) që normalisht i jep ngjyrë flokëve, lëkurës dhe syve.

Andaj, asaj që fëmijë i është dashur të përballet me “pasojat” e të qenurit ndryshe në një shoqëri e prirur për të paragjykuar dhe ofenduar gjithkënd dhe gjithçka që nuk ju përshtatet kornizave të tyre të asaj që ata e kanë konceptuar si ‘normale’.

“Albinizmi më ka dhënë më shumë kurajo se unë vetëm kam qenë e përjashtuar, vetëm isha e diskriminuar, e bullizuar, e përjashtuar, nuk kisha çfarë të humbas. Përkundrazi kjo më ka dhënë ende më shumë kurajo për tu përfshirë në çështje si të drejtat e mia, t’i mbroj këto jo vetëm për veten time por edhe për të tjerët si unë. Albinizmi nuk më ka ndalur për shumë gjëra, normal ka pasur ndryshim prej kur kam qenë në Tetovë dhe këtu, këtu e kuptojmë më mirë”, thotë Nora.

Për këtë arsye, përkundër angazhimit në politikë, për Norën aktivizmi ngelet ndër angazhimet e saja të preferuara, kështu ajo punon me organizatën e të verbërve dhe në disa organizata të cilat merren me të drejtat dhe liritë e personave me nevoja ndryshe, ndryshimet klimatike dhe ambientin jetësor.

Sot, ajo thotë se ndjehet mirë dhe rehat me veten, edhe pse për të arritur deri në këtë pikë i është dashur shumë punë, siç thotë Nora “ka qenë rrugë e gjatë dhe nuk përfundon këtu por vazhdon. Mbështetja që më kanë dhënë njerëzit ka të bëjë shumë sepse nuk duhet të ndalemi asnjëherë së mbështeturi njerëzit rreth nesh që bëjnë punë të mira”.

Mes Norvegjisë dhe Maqedonisë së V.

“Sfidë e dyfishtë” tha Nora, kur u pyet në lidhje me faktin se si i përballon dy ‘beteja’ njëkohësisht si aktiviste, në Norvegji dhe njëkohësisht në Maqedoninë e V. thotë se politika s’bën sa duhet për të rinjtë.

“Politika në Maqedoninë e Veriut nuk ashtu si duhet të jetë dhe nuk jam absolutisht e kënaqur me politikën, më pengon ky fakt, sidomos përfaqësimi i të rinjve në politikë nuk është në nivelin e duhur. Qëndroj me të njëjtat çështje si ambienti”, tha Nora e cila shtoi se ndjehet e kënaqur me pjesëmarrjen e saj në "Më Mirë për Tetovën" se nga Norvegjia mund të kontribuojë për vendin e saj.

Thotë se perspektiva e grave në politikë është e shumë e rëndësishme.

“Na duhet perspektiva e grave në përgjithësi sidomos në vendimmarrje, këtë e harrojmë shumë por është shumë e rëndësishme. Duhet të krijohen mundësitë edhe për gratë dhe vajzat të përfshihen në këto procese. Këtu në Norvegji, me faktin se jam një person me aftësi pak më të limituara dhe e ndjej e shoh se kur jam pjesë e shumë proceseve që bëhet fjalë për mua, e ndjej veten të dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ia vlen mundi”, tha Nora.

“Janë këto paragjykimet çka i kemi se vajzave më lehtë e kemi të ju themi ulu aty mos flit se marre. Këtu nuk është kjo. Secilin 8 mars këtu nuk festojmë me lule por dalim protestojmë, kemi një marsh që shkon deri te parlamenti. Kemi shumë punë për të bërë edhe në këtë aspekt. Do kisha dashur që këtë ta bëjmë më shumë edhe në Tetovë dhe Maqedoni, t’i kërkojmë të drejtat tona dhe jo ta festojmë vetëm me një lule, sepse lulja nuk të sjell të drejta”, shtoi Nora.

Nora ju bën thirrje të gjitha vajzave dhe grave të përfshihen në jetën publike, qoftë përmes politikës apo aktivizmint në organizata të ndryshme qytetare. Sipas saj, mendimi dhe perspektiva e grave duhet me patjetër të dëgjohet.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia