pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-01-23t151338.767.png

Hapi librarinë e parë për shqiptarët e diasporës, 'Mollëkuqja' bisedoi me Lirie Zenelin: Ka shumë interes

DORA VETË

January 23rd, 2024

Në kohën kur ndjehet një krizë në botën e leximit, në kohën kur kemi vërejtje që gjeneratat e reja nuk lexojnë dhe se librat çdo ditë e më shumë po humbin vlerën që kanë pasur, Lirie Zeneli ka marrë iniciativë që librat të ua bën të qasshëm shqiptarëve të diasporës, për të cilët nuk është shumë e thjeshtë t’i gjejnë këto libra në shtetet ku jetojnë dhe veprojnë.

Librat, për Lirijen ishin një mundësi për të eksploruar histori të ndryshme në gjuhën amtare në kohën kur ajo ka migruar në Belgjikë. Pushimet në vendlindje dhe familja për të kanë qenë mundësia e vetme për t’u furnizuar me libra. Duke jetuar në një familje migrante ajo ka vërejtur që pavarësisht që të rinjtë e migruar kanë përdorur gjuhën shqipe në komunikim, mos leximi i librave në shqip ka pas ndikim pasi që ata jo gjithmonë kanë mundur që t’i shprehin mendimet e tyre në mënyrë të plotë. Kjo situatë por edhe dashuria për librat kanë shtyrë Lirien që të krijoj librari me libra shqip për diasporën.

“Gjatë studimeve isha e sigurtë se do të ketë edhe të tjerë si unë, që duan të lexojnë në shqip por që nuk kemi një librari në mërgatë që ofron një shërbim të tillë. Përtej gjuhës, ishte edhe qëllimi që të mësoj konceptet edhe në shqip, në histori, politikë, shkencat sociale… Pavarësisht angazhimeve të mia të plota si studente dhe me një punë, vendosa së bashku me vëllain Trimin dhe shoqen time Suadën të hap atë që sot e quajmë Lize’s Bookstore, Libraria e Diasporës”, tha ajo për "Mollëkuqja".

nhkjkj.jpeg

Liria shtoi se libraria është mirëpritur nga diaspora dhe se diaspora shqiptare ka kërkesa tjera në raport me shqiptarët që jetojnë në trojet tona sa i përket librave, pasi që sipas saj librat e përkthyer janë ata që kërkohen më së paku, sepse shqiptarët i lexojnë në gjuhën e tyre origjinale. Por librat historik, autorët shqiptar, abetarja, librat për fëmijë, janë ato që ngjallin interes. Gjithashtu ajo tregon se cilat zhanre janë të preferuara por edhe sa diaspora lexon shqip.

“Shqiptarët janë lexues dhe janë të interesuar të lexojnë shqip. Ta them kështu: kur u nis ky projekt për librarinë e diasporës unë i dhashë vetës një vit kohë për të parë në qoftë se do të mbijetojë. Në vitin e parë kishim dy panaire, Bruksel dhe Frankfurt, dhe më shumë se 400 porosi librash online, me mesatarisht 4 libra për porosi. Thënë kështu është e qartë se këto porosi janë bërë nga lexues shqiptarë. Kurse zhanret që kërkohen janë romane, libra historik, tregime e përralla për fëmijë, libra politik dhe në fund ato të zhvillimit personal”, tha Liria.

Por pjesëmarrja në panaire e Lize’s Bookstore vazhdon edhe këtë vit. Kështu Liria me librat e saj do të jetë pjesëmarrëse në Panairin e Librit në Gjenevë në të cilin lexuesit shqiptar do të mund të furnizohen me librat e tyre të preferuar.

“Ne do të jemi në Gjenevë nga data 6 deri më 10 mars dhe do të jemi i vetmi stand shqiptar. Lexuesit do të mund të na vizitojnë më datë 8, 9 dhe 10 mars në Palexpo, Rte François-Peyrot 30, 1218 Le Grand-Saconnex, Suisse. Do të kemi një stand të vogël të stërmbushur me libra shqip, por jo vetëm”, shtoi ajo.

Duke folur për pjesëmarrjen e librarisë në panair, Liria tregon se Panairi i Librit në Gjenevë i ka mirëpritur si librari, por që kjo pjesëmarrje ka hasur në peripeci të cilat nuk kanë ndikuar në organizimin e aktiviteteve të ndryshme, si dhe në pjesëmarrjen e librarisë edhe në Panairin në Bruksel.

“Përveç kostos financiare nuk jemi përballur me peripeci tjera dhe kjo për faktit se për momentin nuk kemi ndonjë mbështetje institucionale për këto pjesëmarrje. Ne gjithashtu jemi në organizim e sipër të aktiviteteve të ndryshme: takim me autorin, aktivitete literale për fëmijë, lojëra, promovim librash, etj. Por pjesëmarrja në panaire për këtë vit nuk përfundon me Gjenevën pasi që ne do të jemi edhe në Panairin e Brukselit që do të mbahet nga 4 deri më 7 prill”, tha Lirija.

Shtëpitë botuese të cilat do të jenë prezentë në panair por edhe librat e të cilave gjenden në Lize’s Bookstore janë: Albas, Pema, Onufri, Artini, Minerva, Botart, Dituria, Dudaj, Fan Noli, Living, Mediaprint, Muza, Pegi, Plejad, Skanderbeg Books, Reklama, dhe tjera.

Era Gjakova

Era Gjakova

Era Gjakova është studente e ciklit të dytë të studimeve në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në televizionin Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën e të drejtave të barabarta mes gjinive, dhunës në familje dhe medias.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia