pink-minimalist-gynecologist-logo-(97).png

Mediet shpesh dhunën gjinore e trajtojnë si 'incident', Leunora Kaliqi: Ka stereotipe dhe paragjykime

DORA VETË

December 14th, 2023

Mediat në përmbajtjet e tyre jo rrallë kalojnë vijat e kuqe brenda të cilave qëndrojnë të përmbledhura parimet e raportimit profesional, dhe për një arsye ose për një tjetër, zgjedhin të veprojnë jashtë tyre. E njëjta gjë ndodh edhe kur janë në pyetje temat e ndjeshme gjinore. Por, në krye me një gazetare grua dhe aktiviste për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, a mund të bëhet më i thjeshtë identifikimi i problemit dhe adresimi i tij drejt një zgjidhjeje më të qëndrueshme?

Leunora Kaliqi prej muajsh është në krye të Këshillit për etikë në media në Maqedoni.

“Si një grua, nënë, gazetare dhe qytetare e vendit tonë, kam ndërtuar një histori të përkushtuar në respektimin e rregullave profesionale dhe pjesëmarrjen aktive në shoqërinë civile, veçanërisht në fushat e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Përpjekjet e mia kanë qenë gjithmonë të drejtuara drejt ngritjes së standardeve etike dhe profesionale në fushën e mediave”, sqaron Leunora Kaliqi, kryetare e Këshillit të Etikës në Media.

GAZETARIA SI AKTIVIZËM DHE AKTIVIZMI NË GAZETARI

Leunora thotë se në çdo paraqitje, në çdo shkrim dhe në çdo rast vendos theks të veçantë në punën e gazetareve, gra dhe vajza, dhe vështirësitë e dyfishuara që mund të hasin ato në çdo hap të veprimtarisë që kryejnë. Ajo shton se mangësitë në përmbajtjet mediake në këtë fushë janë në disa fusha.

“Nga puna e përditshme dhe ajo që shpesh e diskutojmë me kolegët e organizatave profesionale gazetareske vlerësojmë se mungojnë sektore të veçanta ku do të përpunoheshin tema më të thella për çështjet sensitive gjinore. Në këtë drejtim hasen edhe pengesa nga më të ndryshmet si politika redaktuese, resurset njerëzore dhe kapacitetet e vetë redaksive të punojnë në këtë drejtim”, thotë Kaliqi.

Roli i mediave në ngritjen e vetëdijes për temat e ndjeshme gjinore është shumë i lartë. Mediat gëdhendin opinionin e masës dhe e edukojnë atë. Pikërisht kjo është lufta që bëjnë drejtuesit e organeve që merren me vetërregullimin e mediave dhe respektimin e standardeve etike. 

“Mediat duhet të nxiten që në programet e tyre të përditshme të përfshijnë përmbajtje edukative krahas atyre politike, të cilat do të kenë ndikim të madh në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për çështje të ndryshme dhe të shumta me të cilat ballafaqohemi çdo ditë si shoqëri, duke vendosur theks në çështjet e ndjeshme. Kur do të flasim hapur dhe më shpesh për çështjet e barazisë gjinore në media ndikohet drejtpërdrejtë në edukimin e qytetarëve për të pasur sa më shumë njohuri për këto dukuri negative dhe ti parandalojmë ato”, rekomandon Leunora Kaliqi.

ANKESAT PËR GJUHË DISKRIMINUESE JANË NË NUMËR TË ULËT, INKURAJOHEN TË PARAQITEN RAPORTIMET JOPROFESIONALE

Më të vështira për t’u futur në kornizat e standardeve etike me parimin e vetërregullimit janë mediat online, kryesisht për shkak të natyrës së hapësirës ku veprojnë dhe për shkak të rregullimit ligjor ekzistues për mediat. 

Leunora e pranon se gjuha diskriminuese me bazë gjinore është e pranishme në media, por në çfarë niveli?

“Ne si Këshill Etik i Mediave e përkrahim lirinë e shprehjes por duhet të gjithë të jemi të kujdesshëm në mënyrën se si shprehemi sepse ekziston një vijë e hollë mes shprehjes së lirë dhe hapësirës që mund të lëmë për gjuhë të urrejtjes, paragjykimeve dhe diskriminimit. Këtu do të theksoj edhe faktin se në Komisionin e Ankesave në KEMM 90 % e ankesave kanë të bëjnë me mediat online dhe gjatë sjelljes së vendimeve që verifikojnë shkelje të Kodit të gazetarëve pasojnë sanksione publike dhe morale me të cilat përpiqemi ta përmirësojmë këtë gjendje. Kur flasim për raportimin e mediave në aspekt të çështjeve gjinore, këtu detektohet mos përfshierja e analizave të thella dhe zakonisht temat që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, në veçanti për dhunën në bazë gjinore, trajtohen si incidente, tragjedi apo raportohet për ato vetëm në data të caktuara. Mungojnë pyetjet thelbësore ku duhet të verifikohen faktet dhe burimet si dhe shpesh shkelet neni 8 i Kodit të Gazetarëve kur raportohet në mënyrë sensacionale”, thotë Leunora Kaliqi.

Këshilli etik i mediave pranon edhe ankesa të tilla, megjithatë Leunora thotë se ato janë në numër të vogël. Ato ankesa analizohet dhe shqyrtohen si ankesa për diskriminimin e të drejtave të përgjithshme të njeriut dhe sillen vendime me sanksione morale dhe publike në bazë të nenit 10 të Kodit të Gazetarëve dhe në përputhje me Udhëzimet për raportim etik në mediat online.  

“Prej këtu, dua të inkurajoj të gjitha vajzat dhe gratë të parashtrojnë ankesa në rast që mendojnë se iu shkelet e drejta e tyre, të paraqesin rastet e ngjashme në institucionet kompetente duke përfshirë edhe organin tonë. Me shumë profesionalizëm, me analizë të thellë dhe objektive do të shqyrtohen ankesat e tyre dhe do të marrim masa në përputhje me kompetencat që kemi në drejtim të mbrojtjes dhe ruajtjes së integritetit të tyre”, thotë kryetarja e Këshillit të etikës në media.

E njëjta situatë është edhe kur në media flitet për komunitetin LGBT. Edhe në atë rast vlejnë sanskionet e njejta për shkelje të ngjashme të të drejtave themelore të njeriut dhe në thelb dënohet gjuha diskriminuese. 

Këshilli Etik i Mediave thotë se do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive, në bashkëpunim me mediat dhe gazetarët, me synimin e rritjes së standardeve etike dhe profesionale në vendin tonë. Qëllimi i kësaj përpjekjeje është ndërtimi i një shoqërie më të mirë, ku çdo individ do të ndjehet i pranuar dhe i respektuar dhe në mënyrë aktive do të mund të kontribuojë në shoqëri pavarësisht përkatësisë gjinore. 

“Për ta arritur këtë qëllim, është e nevojshme të vazhdohet puna në përmirësimin e kapaciteteve dhe resurseve të mediave, duke siguruar që ato të njohin dhe kuptojnë peshën e problemit. Gjithashtu, është thelbësore të mbrohet dinjiteti i publikut dhe të përkujdesemi që platformat mediatike të shërbejnë si hapesira për diskutime dhe debate konstruktive, ndërsa të shmanget promovimi i gjuhës së urrejtjes”, thotë Leunora Kaliqi.

MEDIAT DOMINOHEN NGA BURRAT

Sipas analizave të viteve të fundit të organeve që merren me punën e mediave, sfera e gazetarisë në vend dominohet nga gratë për nga numri. Megjithatë, në pozita drejtuese, menaxhuese, të hierarkisë së redaktimit dhe të ngjashme, mediat dhe sektorët e informacionit në media dominohen nga burrat. Kjo ndikon në vendimet që media merr por edhe stereotipet gjinore janë pengesë që gratë të ngjiten më lart në hierarki.

“Në të shumtën e rasteve, dominimi i burrave në pozitat drejtuese në media nuk është thjesht rezultat i numrit të punësuarve por ndikohet nga shumë faktorë të tjerë, përfshirë kulturën organizative, stereotipet gjinore, sfidat dhe paragjykimet e ndryshme që vazhdojnë të ekzistojnë në shoqërinë tonë. Stereotipet gjinore kanë një ndikim të fuqishëm në vendimet e marra për pozitat e larta drejtuese ku shpesh besohet që burrat janë më të aftë për të udhëhequr dhe menaxhuar në krahasim me gratë, e kjo përfshin edhe mediat.  Një tjetër faktor mund të jetë edhe mungesa e barazisë gjinore në proceset e avancimit në karrierë, gjë që pengon gratë të arrijnë në pozita drejtuese ose të përfshihen në procese të vendimmarrjes”, thotë ajo.

Të ndryshohet kultura organizative, rekomandon Leunora.

“Ndryshimet në kulturën organizative mund të jenë thelbësore në luftën kundër diskriminimit gjinor. Për të arritur barazi gjinore në media dhe në pozitat drejtuese, duhet të ketë angazhim gjithpërfshirës. Statistikat vetëm për numrin e caktuar të grave të punësuara në media nuk përfshijnë të gjitha sfidat dhe pengesat që mund të kenë gratë në avancimin e tyre në karrierë. Në këtë drejtim është e rëndësishme të shqyrtohet konteksti më i gjerë dhe të kuptohen indikatorët e ndryshëm që ndikojnë në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në pozitat drejtuese në media”, shton Leunora.

NË HORIZONT, NJË KOD I RI ETIK PËR MEDIAT

Organizatat e mediave thonë se do t’i përkushtohen kësaj problematike. Leunora Kaliqi paralajmëron një Kod të ri Etik për mediat.

“Gjatë periudhës së ardhëshme do t’i përkushtojmë rëndësi të veçantë kësaj çështjeje ku së bashku me organizatat tjera gazetareske do të punojmë në krijimin e Kodit të ri të Gazetarëve.  Mediat duhet të përdorin gjuhë të ndjeshme gjinore, duke shmangur fjalë dhe shprehje që mund të jenë diskriminuese ose të pasqyrojnë stereotipe gjinore negative. Produktet mediatike duhet të përfshijnë tema që sensibilizojnë publikun për çështjet e ndjeshme gjinore dhe të promovojnë dialog ndërshoqëror, sepse mediat kanë rol të rëndësishëm në sensibilizimin kundër dhunës gjinore dhe trajtimit diskriminues, duke raportuar në mënyrë të drejtë dhe objektive”, thotë Leunora.

Për fund, Leunora thotë se raportimi etik dhe profesional mban në vete përgjegjësi për paanshmëri dhe objektivitet, duke marrë parasysh këtë gjë gazetarët duhet të bazohen në fakte dhe burime e jo në mendime dhe vlerësime personale të ndikuar nga paragjykimet. Sipas saj, shqetësimet janë të ngjashme kur flitet për tema sensitive në shoqërinë tonë për të cilat nuk diskutohet shpesh andaj mediat vetë duhet të jenë korrektues të përmbajtjeve të tyre dhe të largojnë çdo koment që nxit gjuhë të urrejtjes shkakton diskrimimin.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia