2-1682420342.png

Gratë në gazetari: Ofendime, seksizëm, stereotipe!

SEKSIZËM

April 25th, 2023

Grave në profesionin e gazetarisë nuk u kërkohet të jenë të bukura dhe me kaq të kompletojnë listën e kushteve për t’u punësuar. Në fakt, gazetaria si profesion sfidues, është edhe më sfidues për gratë, pikërisht për shkak të paragjykimeve, patriarkalizmit në mendësinë shoqërore dhe pabarazisë. Zgjerimi i lëvizjeve për barazi gjinore në botë ka bërë që edhe në gazetari në vendin tonë, gratë të fillojnë dhe të flasin hapur për barrikadat nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë për të realizuar misionin e tyre informues në të interes të opinionit. Në vend, gazetaria është e dominuar nga gazetaret gra të cilat janë më shumë në numër, por pozitat menaxhuese dhe pronësia e mediave është në përqindje më të madhe në duart e burrave.

Ferikan Iljazi Arifi është gazetare për një dekadë. Ajo raporton nga terreni për zhvillime ditore, histori njerëzore dhe probleme të përditshme të njerëzve. Gjatë kontaktit të vazhdueshëm me institucione por dhe me njerëz të zakonshëm, e ka ndjerë edhe paragjykimin në bazë gjinore.

Besoj se jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në botë, të qenurit femër gazetare është e vështirë dhe kjo lidhet me mentalitetin, rrethanat, sistemin dhe shumë elemente të tjera. Gratë në gazetari gjithmonë duhet të dëshmohen dy apo tre fish më shumë se burrat për të marrë respekt si profesionistë, ndërsa kur arrijnë nivele të larta trajtohen si kërcënim dhe pengohen në zhvillimin e tyre, pa harruar këtu edhe paragjykimet që i ndjekin gjatë gjithë jetës, për shkak të karakterit të paparashikueshëm dhe dinamik të profesionit

Ferikan Iljazi Arifi, gazetare në Euronews Albania.

Për rrethin dhe të afërmit e saj, gazetaria nuk është profesion i panjohur. Bashkëshorti si dhe vëllai i saj janë po ashtu gazetarë gjë që e ka bindur atë se rruga e realizimit profesional ka qenë më e vështirë duke qenë grua.

ferikan.jpg

“Edhe bashkëshorti por edhe vëllai im janë gazetarë të dalluar të cilët më kanë mbështetur në profesion gjatë gjithë jetës, sepse pa përkrahjen e familjes nuk është i mundur prosperiteti në asnjë profesion. Ka ndodhur shpesh gjatë karrierës të përballem me situata dhe sjellje të cilat besoj se nuk do të ndodhnin nëse në terren do të ishte një gazetar e jo gazetare. Definitivisht besoj se trajtimi dhe respekti fitohet me punë, por për gratë rruga duket të jetë më e gjatë dhe më me pengesa sesa për burrat”, përfundon Iljazi Arifi.

Sfidat me të cilat përballen gratë gazetare në vend janë shumë të ndryshme, nga çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e deri te çështjet që lidhen me pabarazinë në shoqëri. Ky është vlerësimi i Kristina Ozimec, kryetare e Platformës për gazetari hulumtuese dhe analiza (www.pina.mk). Ozimec me një grup kolegesh, gjashtë vite më parë formoi PINA-n e cila lindi pikërisht nga nevojat e disa gazetareve gra për të trajtuar problematikat që i prekin në një mënyrë të ndryshme nga ajo që prezantohej në skenën mediatike deri në vitin 2017.

kristina-ozimec-1682419120.jpg

Si pjesë e sfidave më të zakonshme, do të veçoja - pagat e ulëta për gazetaret femra, të cilat edhe pse janë dominante në numër në skenën mediatike vendase, përsëri për to shpesh janë të rezervuara pozitat më të ulëta në mediat kryesore. Një problem tjetër i rëndësishëm është sigurisht siguria e gazetareve femra, e cila gjithnjë e më shumë bëhet problem për gazetaret femra që janë të zhurmshme në punën e tyre. Publikimi ynë i fundit tregoi përmasat e problemit me të cilin përballen gazetaret femra në vendin tonë, të cilat shpeshherë shqetësohen dhe ngacmohen në internet për publikimin e teksteve kritike ndaj pushtetit apo qendrave të tjera të pushtetit

thotë Kristina Ozimec.

Ngacmimet dhe shqetësimet e gazetareve gra nuk ndodhin vetëm në internet. Pikërisht kjo analizë dhe hulumtim i PINA-s tregoi se “këto ngacmime kanë kaluar edhe offline, një pjesë e konsiderueshme janë përballur jo vetëm me ngacmime por edhe me kërcënime, kërcënime me dhunë, etj.”. Sipas kësaj analize, 81.6% e gazetareve të anketuara pranuan se kanë përjetuar një formë të ngacmimit në internet dhe pjesa më e madhe e tyre mendojnë se motivi pas këtyre ngacmimeve ka qenë publikimi i artikullit gazetaresk me përmbajtje kritikuese për ndonjë palë në shoqëri ose shprehja e mendimit të tyre personal për zhvillimet sociale me qasje kritike.

“Në përvojat e ndara, disa nga gratë gazetare identifikuan shkakun e ngacmimit të jetë i rrënjosur në rolet tradicionale gjinore, veçanërisht në sfera që ende perceptohen kryesisht si “mashkullore” në shoqërinë tonë, siç janë sportet, ekonomia, etj.”, thuhet në analizë.

Analiza tregoi se fotografitë e 29.7% të grave gazetare janë shpërndarë në disa grupe në rrjete sociale me qëllimin për t'i diskredituar ato. Për më tepër, 22% e grave gazetare përjetoi përndjekje online, kurse fushata të orkestruara ka pasur ndaj 18.7% të grave të anketuara.

Rrjete për përmirësimin e gjendjes dhe kushteve të punës për gazetaret gra janë krijuar në disa vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ata nuk merren vetëm me gratë në gazetari por me largimin e stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore në shoqëri përmes punës së tyre si gazetare. “Programi Media për të Gjithë i Këshillit Britanik mbështeti dhe fuqizoi gazetaret gra për të krijuar grupe të ngjashme me ato në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, ku ato u krijuan për herë të pare”, thotë Masha Mileusniç, gazetare nga Serbia, anëtare e organizatës “Gazetaret kundër dhunës”.

Tani në secilin nga vendet e BB6, në vendet e Ballkanit Perëndimor, janë krijuar ose janë në proces të krijimit grupe gazetaresh gra. Ideja e rrjetëzimit të grave gazetare në Ballkanin Perëndimor është një nga detyrat themelore të grupit nga Serbia, me qëllim që të përforcojë zërat e grave gazetare në rajon, të forcojë dhe zgjerojë bashkëpunimin e grave gazetare, solidaritetin, fuqizimin e njëra-tjetrës, të luftojmë për të drejtat e grave në rajonin tone

thotë Masha Mileusniç.

Një rrjet i ngjashëm tashmë po funksionon prej vitesh edhe në Bosnjë e Hercegovinë, i quajtur “Rrjeti i gazetareve gra”. Por çfarë mund të bëjnë këto rrjete, ishte njëra nga pyetjet që ja bëmë gazetares Mileusniç e cila ishte njëra nga themelueset e organizatës “Gazetaret kundër dhunës”.

masa.jpg

“Ato mund të mbështesin gratë gazetare në shumë nivele si: ofrimi i edukimit, ndërgjegjësimi për të drejtat e grave dhe dhunës ndaj grave dhe fuqizimi i grave gazetare për të raportuar dhe folur publikisht për dhunën që po përjetojnë. Më e rëndësishmja, mendoj unë, është edukimi për dhunën ndaj grave, të drejtat e grave dhe patriarkalizmin në përgjithësi. Për shkak se shumë prej nesh nuk janë plotësisht të vetëdijshëm se po përjetojmë dhunë dhe ngacmim, shumë prej nesh po mendojnë se kjo është në përshkrimin e punës sonë. Nuk është. Vuajtja e dhunës dhe ngacmimit nuk është në përshkrimin tonë të punës”, shton Masha.

Bashkëbisedueset gazetare ishin të mendimit se gazetaret gra kanë probleme specifike që duhet adresuar sepse bëhet fjalë një problem të madh që ekziston në shoqëri dhe që ka të bëjë me mënyrën e trajtimin të gazetareve gra në vendin tonë që duan ta bëjnë punën e tyre vërtetë dhe me sinqeritet.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia