pink-minimalist-gynecologist-logo-(28).png

Kur rolet gjinore kalojnë pragun e shtëpisë, burrave u pamundësohet ndërrimi i fëmijëve në tualete publike

SEKSIZËM

October 18th, 2023

Në shumicën e tualeteve publike që ka vizituar Mollëkuqja, shtretër për pastrimin dhe ndërrimin e fëmijëve ka vetëm në toaletet e grave. Kjo përforcon rolet gjinore në të cilat, gratë pritet të kujdesen për fëmijët, kurse burrat janë të dekurajuar për ta bërë këtë.

Edhe pse në qendrat tregtare “East Gate” dhe “Ramstore” ka hapësira të veçanta të dedikuara për kujdesin e foshnjeve, megjithatë në simbolin tregues për këto hapësira shfaqet vetëm një grua me një foshnjë. E njëjta situatë nuk vlen për “Skoje City Mall”, pasi që në simbolin tregues për hapësirën e veçantë të dedikuar për kujdesin e foshnjave dhe fëmijëve shfaqen: një burrë, një grua dhe një fëmijë.

Foto e realizuar në “Ramstore Mall” nga Mollëkuqja.

FOTO E REALIZUAR NË “RAMSTORE MALL” NGA MOLLËKUQJA.

Foto e bërë në East Gate nga Mollëkuqja.

FOTO E BËRË NË EAST GATE NGA MOLLËKUQJA.

Foto e realizuar në “Skopje City Mall” nga Mollëkuqja.

FOTO E REALIZUAR NË “SKOPJE CITY MALL” NGA MOLLËKUQJA.

Ky fenomen nuk është i dëmshëm vetëm për gratë, por sipas asaj që na tha një baba i ri, Asdren Çeliku, edhe meshkujt hasin në vështirësi kur janë në vende publike së bashku me fëmijët e tyre. Si baba, ai ndau përvojën e tij dhe tha se deri më tani nuk i ka rastis që në toaletet e meshkujve të ketë shtretër për ndërrimi e foshnjeve dhe se kjo situatë e ka detyruar që të kërkojë alternativa tjera për t'u kujdesur për foshnjën. Ai gjithashtu shprehet se është më se e nevojshme që shtretërit për ndërrim të foshnjeve të jenë prezent edhe në toaletet e meshkujve.

asdren-.jpg

Jam detyruar të gjej zgjidhje të tjera jo shumë të lehta, si për shembull jam detyruar të ndërroj fëmijën/foshnjën në makinë. E shikoj si diçka jo shumë të logjikshme, jopraktike që u sjell vështirësi meshkujve për t'i kryer nevojat e foshnjës

tha ai.

Këtë e diskutuam me sociologun Latif Mustafa, i cili tha se në shoqërinë tonë roli i gruas është të fshijë, të kujdeset për familjen, të gatuajë dhe roli i burrit është të sjellë para në shtëpi. Pra, roli i gruas shihet kryekput si përkujdesëse e fëmijëve, rrjedhimishit, edhe ndërruese e pelenave apo pampersave. Por që në fakt kjo punë, si çdo punë tjetër u përket edhe burrave. Mustafa gjithashtu ndau me ne situatën në vende të tjera pos Maqedonisë së Veriut.

latif.jpg

Në shumë shtete të tjera, aeroporte dhe hapësira të ngjashme, hapsirat për akomodimin dhe ndërrimin e fëmijeve janë neutrale dhe pa ndonjë shenjë gjinie, që i bie se këtë ndërrim mund ta bëjë dhe duhet ta bëjë secili, pavarësisht orientimit gjinor”, tha Mustafa. “Nuk ka asgjë të keqe që një grua ta bëjë këtë, por në këto hapësira, restorante dhe ambiente të tjera, vetëm femrat janë të shënuara si ndërruese të pelenave

tha Latif Mustafa.

Brenda shtëpisë, Mustafa thotë se puna ndahet mes partnerëve në bazë të preferencave personale dhe jo në bazë të patriarkatit.

"Sot në shtëpitë tona, ka shumë burra që ndërrojnë të palarat e fëmijëve dhe bëjnë punët," tha ai. “Angazhimet janë të ndara bazuar në preferencën e kohës dhe hapësirës ku jetojnë dhe jo rolin që u është caktuar nga sistemi patriarkal.”

Komisioni për Ndalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi i Maqedonisë së Veriut tha se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga qytetarët në lidhje me pamundësinë e burrave për t'u kujdesur për foshnjat e tyre në hapësirat publike, respektivisht toaletet publike. Komisioni gjithashtu tha se për shkak të mungesës së një procedure konkrete për këtë temë, nuk mund të përcaktohet nëse ka apo jo diskriminim gjinor në situatën e tualeteve publike.

Era Gjakova

Era Gjakova

Era Gjakova është studente e ciklit të dytë të studimeve në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në televizionin Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën e të drejtave të barabarta mes gjinive, dhunës në familje dhe medias.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia