Red-and-Yellow-Speed-Motorized-Sports-T-Shirt-(1440-x-550-px).png

FNH ka ndryshuar rregulloren "seksiste" të veshjes , lojtaret e hendbollit do të mund të veshin pantollona të shkurta

SEKSIZËM

November 2nd, 2021

Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (FNH) ka ndërruar rregullat për uniformën që vajzat duhet të veshin për hendboll në plazh. Sipas CNN, tani lojtaret vajza do të mund të veshin pantollona të shkurta në vend të bikinive apo rrobave të banjos. Ky ndryshim erdhi pasi vajzat e ekipit norvegjez të hendbollit morrën gjobë sepse veshën pantollona të shkurta gjatë një ndeshje me Spanjën.

Federata Europiane e Hendbollit u deklarua më herët këtë vit se veshja e pantollonave të shkurta është “veshje joadekuate”, andaj dhe vajzat u gjobitën 150 euro secila, ose në total 1500 euro. 

Asokohe, trejneri i ekipit Eskil Berg Andreaseen u deklarua për CNN se rregullat e uniformave mund të dekurajojnë vajzat të luajnë sport. Nga ana tjetër, edhe këngëtarja dhe tekstshkruesja Pink i konsideroi rregullat e uniformës si seksiste dhe ofroi që të paguajë dënimin për ekipin norvegjez.

Rregullat e reja për uniformat, që datojnë nga 3 tetori, thonë se “atletet vajza duhet të veshin pantollona të shkurta të ngushta me një bluzë të përshtatshme”. Ndryshime janë bërë edhe për pjesën e bluzave, ku në vend të atyre “crop-top” që parashiheshin me rregulloren e vjetër, tani vajzat mund të veshin bluza “tank-top”.

Lojtarët meshkuj janë gjithashtu të udhëzuar të veshin pantollona të shkurta dhe bluza “tank-top”, megjithatë nuk ka asnjë kusht që të njëjtat të jenë të ngushta, ashtu siç kërkohet në rregulloren e vajzave.

Që kur lojtaret norvegjeze u dënuan, autoritetet e hendbollit kanë qenë në presion që të ndryshojnë rregulloren e veshjes. Një peticion në change.org kërkonte që gjoba të tërhiqej dhe gratë të lejoheshin të vishnin pantollona të shkurta. Ky peticion grumbulloi më shumë se 60.000 nënshkrime. Ministrat e sportit të Norvegjisë, Danimarkës, Finlandës, Islandës dhe Suedisë kërkuan na Federata Ndërkombëtare e Hendbollit të rishqyrtojë rregulloren e veshjes. 

Në një kumtesë të publikuar në korrik, FNH deklaroi se “janë të vetëdijshëm për diskutimin global” që po ndodhte për shkak të rregullores së veshjes, duke shtuar: “Qëllimi i FNH është që të rrisë hendbollin dhe të gjitha disiplinat e tij, përfshirë hendbollin në plazh, duke e bërë atë më të larmishëm dhe gjithëpërfshirës”.

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi”. Ajo është gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Rita ka moderuar emisionin "Pasdite me Alsat" në Televizionin Kombëtar "Alsat". Ajo është bashkëthemeluese dhe presidente e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia