January 12th, 2024
Vjollcë Berisha, Zëvendës Ministre e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave e ftuar në emisionin "Llafe grash" theksoi se edhe gratë kur ju vjen mundësia përpiqen të jenë ujk për njëra tjetrën.
"Fatkeqësisht nuk e kemi si njerëz as atë virtytin e lartë të luftës së ujqërve që nuk e mbysin të mundurin. Ne kemi dëshirë edhe të mundurit t'i biem në shqelm. Por, prapë se prapë, nuk do të kisha thënë që vetëm gratë. Thotë shprehja jonë popullore: "mos të mundoftë i munduari". Edhe gratë, duke qenë gjatë kohë të shtypura, në mundësitë e para, nuk është që nuk mundohen të ja mbyllin derën dikujt, që nuk është mirë, sidomos për gratë. Ne duhet të jemi ato më amnoret, më babaxhanet, se ne kemi amësinë brenda vetes, kemi instiktin, kemi intuitën. Mendoj se ne duhet të jemi shumë më bujare. Për vete, nuk dua të jetë terr, nuk kam logjikë xixëllonje që të jetë terr që të dukem unë. Unë dua sa më shumë reflektorë që të shquhem në mesin e dritave", thekson Berisha.
Ajo ka folur edhe për rolin e saj si politikane duke deklaruar se nuk ka pasur pengesa që të mos jetë në një pozicion vetëm sepse është grua.
"Unë kam qenë edhe Sekretare Gjenerale e partisë, që është pozicioni i dytë në parti, vazhdoj të jem kryetare e Asamblesë së Gruas, prapë brenda partisë politike. Nuk kam pasur pengesa që të mos jem në një pozicion vetëm sepse jam grua", thekson Berisha.
Edhe në politikë, sipas saj, ku ka luftëra shumë të ashpra midis individësh: burrat luftojnë brenda llojit, gratë brenda llojit, dhe pastaj të dy palët mes vete. Ata mjaft që kanë probleme mes vete, thotë ajo, dhe kur implikohen edhe gratë, atëherë më ngatërrohet hesapi.
"Unë e shoh më shumë një luftë brenda njerëzore, brenda njerëzve që kanë ambicie karriere të sëmurë ndoshta dhe përpiqen secilit të ja zënë rrugën. Pastaj aty, natyrisht, gratë janë dëmi kolateral, për shkak se ato nuk shtyhen shumë", thekson Berisha.
Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia