pink-minimalist-gynecologist-logo-(18).png

Femërorja e përbindshme – përbindëshat femra në mitologjitë e lashta dhe ndikimi i tyre në shoqëri

PASOJA

September 28th, 2023

Në vitin 1993, Barbara Creed, profesoreshë e studimeve kinematografike pranë Universitetit të Melburnit, botoi librin The Monstrous-Feminine ku studion “fytyrat” ose mënyrat e ndryshme se si paraqiten figurat e përbindshme të femërores në disa prej filmave më të njohur të zhanrit horror. Edhe pse studimi i saj në këtë libër përqendrohet kryesisht në filma, qasja që ajo ka ndaj kësaj teme na mundëson edhe neve si lexues që t’i shohim këto “fytyra” jo veç në filma, por në produkte të llojllojshme kulturore, nga personazhet e librave, gjer në produktet ndoshta më të hershme të kulturave të njeriut – mitet.

Mitet duhet të kenë qenë të pranishme që në gjenezën e shoqërive njerëzore e shumë herë mund të themi që vetë mitet e kanë ndikuar zhvillimin e atyre shoqërive. Në një mënyrë, mitet mund t’i quajmë tregimet e para, që njerëzit kanë bartur nga një brez në tjetrin, shpesh me synime edukative. Prandaj shpesh gjejmë mite që kërkojnë të edukojnë njerëzit mbi fenomenet e natyrës, mbi natyrën e njeriut e shumë herë mbi fenomenet shoqërore. Përmes këtyre miteve është mbajtur fija e traditës dhe kujtesës së një grupi njerëzish, por shumë herë mitet kanë ndikuar drejtpërdrejt mënyrën e jetesës së njerëzve, duke justifikuar ndarje të ndryshme shoqërore (si në kastat e Indisë), politike (si në mitet e mbretërve hyjnorë) e madje edhe gjinore (si në mitet e pothuajse tërë botës).
Ashtu siç përmend autorja në librin e lartpërmendur, elementet që e bëjnë një film të frikshëm lidhen drejtpërdrejt me motivet e frikshme të miteve të kulturave të botës, e madje shumë herë këto filma e prodhime të tjera kulturore, frymëzohen dhe ngrihen mbi themelet e miteve dhe legjendave të lashtësisë.

Që në mitologjinë e Mesopotamisë së lashtë, përbindëshat e shumë miteve identifikoheshin me femëroren, në këtë rast ajo quhej Tiamat. Në mitologji dallohet lehtësisht lidhja e femërores me natyroren, të mistershmen dhe tokësoren, a e njëjta vlen edhe për Tiamatin. Tiamat ka qenë perëndeshë e deteve (edhe kjo një pjesë e natyrës që shpesh identifikohet si mistike, e panjohur dhe e frikshme në madhësinë e saj) a njëkohësisht është dalluar si personifikimi i kaosit zanafillës që ka ekzistuar përpara se të ekzistojë bota. Njëkohësisht Tiamat është cilësuar edhe si nëna e të gjithë përbindëshave të mitologjisë mesopotame, duke e lidhur drejtpërdrejt edhe me rolin e nënave të shoqërisë njerëzore. Në epin Enuma Elish Tiamat vritet nga një figurë mashkullore, i quajtur Marduk, ky nga ana tjetër simbol i pushtetit mashkullor të botës, fuqisë së tij krijuese dhe mbrojtëse, i lidhur shpesh edhe me simbolet diellore që në shumë kultura interpretohen si simbole mashkullore. Çfarë shohim në këtë mit është një tregim i moçëm që tregohet në forma e me personazhe të ndryshme, pothuajse në krejt traditat e mëdha kulturore: beteja e mashkullores me femëroren për ta vendosur zotërimin dhe kontrollin mbi të. Marduku si një figurë mashkullore lufton me Tiamatin, përfaqësim i femërores, natyrores, kaotikes dhe shkatërrueses, në mënyrë që mbi Tokë të vendoset rregulli dhe bota simbolike (mashkullore) në kundërshtim të asaj natyrore (femërore).

Duke qenë që historikisht bota është drejtuar nga shoqëri patriarkale, është e pritshme që ajo që është femërore, e huaj për botën mashkullore, të kapërcejë në botën e të përbindshmeve. Ashtu siç shihet në shumë filma të zhanrit horror, proceset natyrore të gjinisë femërore si lindja dhe menstruimi shpesh paraqiten si të frikshme a të përbindshme, ose të ndyra (abject) siç do t’i quante Julia Kristeva. Janë këto procese natyrore, të lindjes e të rinovimit, që mund të thuhet se në njëfarë mënyre ia ka kujtuar mashkullit parahistorik lidhjen e tij të pashmangshme me vdekjen – vdekje e cila metaforikisht mund të mundet veç me krijimin e një “bote paralele” simbolike, hierarkike e artificiale. Ky mit i mundjes së femërores nga mashkullorja, kaotikes dhe shkatërrimtares nga rregulli dhe struktura, gjendet shpesh nëpër botë, si në mitologjinë greke e romake, ashtu madje edhe në atë shqiptare. E gjejmë posaçërisht në mitin e kuçedrës dhe vrasësit të saj, dragoit (ose drangoit). Kuçedra shpesh përfytyrohet si një qenie femërore e cila synon të shkatërrojë e të vrasë, gjersa në fund vritet nga dragoi, një kreshnik mashkull i cili i shpëton njerëzit.

Mirëpo përfaqësimi i femërores së përbindshme në mite nuk kufizohet veç në këto lloje shembujsh. Historikisht edhe aktivitetet seksuale të femrave janë dënuar dhe sulmuar, a shumë shpesh kanë qenë edhe material për mitet e përbindshme në mitologji. Një shembull i tillë është Lamia, vajzë e cila shndërrohet në përbindësh pasi përdhunohet nga Zeusi dhe dënohet për këtë veprim nga Hera (në vend që të dënohet sigurisht mashkulli). Lamia paraqitet si një femër tërheqëse e cila i josh meshkujt gjersa në fund i zapton dhe i vret. Një mit i ngjashëm është edhe ai i Skillës, një femër e bukur e cila dënohet nga shtriga Circe pasi dashurohej nga Odiseu, të cilin e dashuronte Circe. Prap na paraqitet fakti që sipas miteve, vrulli asnjëherë s’mund t’i drejtohet mashkullit, por përkundrazi është femra që e ka fajin, pavarësisht se sulmohet dhe përdhunohen – dënimi i drejtohet femrës (a tingëllon kjo si diçka që vazhdon të ndodhë sot?). Njëkohësisht edhe mënyra se si Skilla paraqitet është çështje interesante për t’u diskutuar. Circe e dënon që nga mesi e sipër ajo të jetë një femër tërheqëse, ndërsa nga mesi e poshtë t’i dalin gjashtë koka qensh të cilët hanë këdo që Skilla arrin të kapë. Edhe këtu është e lehtë të nxirret kuptimi: femra e cila është aktive seksualisht është si Skilla, një përbindësh që duhet dënuar nga shoqëria.

Por çfarë na mësojnë këto mite (e shumë të tjera të papërmendura) për botën e sotme?

Siç përmenda edhe më herët, mitet si tregimet e para të shoqërive njerëzore, kanë ndikuar fort në krijimin e kulturave dhe shoqërive, por edhe në ruajtjen e principeve dhe mendësive. Si të tilla është e pamohueshme që këto mite kanë pasur ndikim të fuqishëm në mënyrën se si shoqëria i ka perceptuar femrat, si i ka vlerësuar dhe si i ka lejuar të jetojnë.
Rrëfime të tilla vazhdojnë edhe sot, figura legjendare dhe mitike si shtrigat, llamja e kuçedrat zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë gojore të shqiptarëve (por jo vetëm) e si të tilla vetëm i kanë shtuar dhe zgjeruar pikëpamjet patriarkale dhe ngulfatëse ndaj femrave. Duke i kthyer në përbindësha figurat mitike femërore, shoqëritë patriarkale duket se shpesh kanë ndërtuar një perceptim të përbindshëm për vetë femrat, duke e justifikuar pozitën e vet a në të kundërt, duke e shtypur atë të femrave.

Këto mite vazhdojnë të jetojnë edhe në ditët e sotme. Pavarësisht se shoqëritë bashkëkohore i kanë kapërcyer ato, sistemet mitike vazhdojnë të ekzistojnë në filma, art, letërsi e madje edhe në diskurse mediatike e politike, ku këto “fytyra” siç i quan Barbara Creed vazhdojnë ta demonizojnë figurën e femrës, duke e lidhur me akte të përbindshme dhe negative, duke i kthyer femrat tërheqëse në femme fatale, nënat në përbindësha ose gratë ambicioze në të pangopura. Kjo qasje nuk është e papritur – për shoqëri që me mijëvjeçarë janë ushqyer me këto rrëfime, është deri diku e natyrshme që për një kohë të gjatë ta vazhdojnë “avazin” e njëjtë e madje të vazhdojnë që edhe sot e kësaj dite figurat femërore të sulmohen, dënohen e të akuzohen shumë më lehtë sesa ato mashkullore, posaçërisht kur lidhen me “thyerje të moralit”, “thyerje të dinjitetit,” “paraqitjeve të pahijshme,” “ambicieve të tepruara” apo vuajtjes nga sulmet seksuale.

Ajo që mund të bëhet, si një përgjigje ndaj kësaj tradite, është zhvillimi i një lloj tradite të re, i një diskursi të ri, i një rrëfimi të ri, që s’do të jetë përjashtues, por përkundrazi, do ta përfshijë në të njeriun në vetvete, pa dallime gjinore, me të mirat dhe të këqijat që ka. Është e vërtetë që mitet dhe rrëfimet që ia tregojmë vetes shpesh na ndërtojnë edhe neve, por nevojitet veç një thyerje e vogël në këtë hallkë që edhe ne vetëdijshëm ta ndryshojmë rrëfimin, ta ndryshojmë qasjen e diskursit dhe të lëmë anash disa zinxhirë që shpesh i kanë syrgjynosur mendësitë e shoqërive. Rrëfimet kanë fuqi mbi njerëzit dhe shoqëritë, por edhe ne kemi fuqi të padiskutueshme mbi rrëfimet - është koha që ta kuptojmë këtë.

Ilir Saliu

Ilir Saliu

Ilir Saliu është demonstrator në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" e njëkohësisht është edhe profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në nivelin e mesëm arsimor. Në të njëjtin universitet ndjek edhe studimet post-diplomike në drejtimin: Letërsi shqiptare dhe studime kulturologjike. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit "Ditë e Re" në Televizionin "Alsat" dhe merr pjesë aktivisht në organizime të karakterit kulturor dhe shoqëror.


donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia