January 25th, 2024
Mungesa e çerdheve, sidomos në pjesët rurale të Maqedonisë së Veriut po i lë shumë gra pa punë, kjo pasi padrejtësisht kujdesi ndaj fëmijës në shumë familje, konsiderohet të jetë punë ekskluzive dhe vetëm e grave, përkatësisht nënave. Statistikat e vitit 2023 tregojnë që vetëm 39,3% e grave mbi moshën 15 vjeçe janë të punësuara.
Kjo shifër e ulët të grave të punësuara përkon me numrin e ulët të fëmijëve të moshës 3-5 vjeç që janë të kyçur në arsimin parashkollor, e sidomos nëse e krahasojmë me përqindjen e shteteve të Bashkimit Evropian, këtë e konfirmojnë nga UNICEF për ‘Mollëkuqja’.
“Kur fëmijët shkojnë në kopshte, nënat, si dhe anëtarët e tjerë të familjes të përfshirë në kujdesin ndaj fëmijëve, mund të hyjnë më lehtë në fuqinë punëtore dhe të rrisin të ardhurat e tyre, gjë që kontribuon më tej në uljen e varfërisë së fëmijëve dhe barazi më të madhe gjinore”, thanë nga UNICEF.
Arta Mero ligjëron të drejtën familjare, thotë për 'Mollëkuqja' se si shteti, ashtu edhe shoqëria në përgjithësi në Maqedoninë e Veriut duhet ta kuptojnë se tashmë qëllimet e grave nuk janë vetëm martesa dhe shtëpia, por ata me të drejtë synojnë karrierë dhe një jetë të mirëfilltë profesionale.
“Përderisa në të kaluarën shumë nëna nuk kanë qenë të përfshira në marrëdhinen e punës, nuk ka qenë e diskutueshme se kush do të përkujdeset për fëmijët, mirëpo dinamika jetësore ka ndryshuar, kështu që vizionet e vajzave tani më nuk janë vetëm martesa dhe shtëpia por shkojnë përtej kësaj. Andaj, ëndrra e çdo gruaje përveç themelimit të familjes, është të jetë aktive në tregun e punës, të jepet hapsirë t'i tregoj kapacitetet e saja dhe të njëjtat të mund ti materializoj. “tha Arta Mero në një bisedë me gazetarin e 'Mollëkuqja'.
Me ndryshimin e kohrave, duhet të ndryshojnë edhe praktikat. Andaj, sipas Meros për gratë e punësuara shpesh herë sfidë paraqet koha pas pushimit të lindjes ose për disa, menjëherë pas lindjes së fëmijës, ndërsa jo të gjitha kanë mundësi që të angazhojnë dado për t'i ruajtur fëmijët.
“Mirëpo, ajo që paraqitet si sfidë e kohës së re, është përkujdesja e fëmijëve pas përfundimit të pushimit të lindjes (nëse ka të drejtë nëna te ralizojë) ose menjëherë pas lindjes së fëmijës (zakonisht për nënat e punësuara tek punëdhënësit privat të cilët në të shumtën e rasteve nuk ua lejojnë realizimin e të drejtës së pushimit të lindjes). Përkujdesja e foshnjëve të vogla mund të bëhet nga gjyshërit, ka situata kur prindërit angazhojnë dado për ti ruajtur fëmijët, dhe një kategori tjetër fëmijët i dërgojnë në kopshte. “ shtoi Mero.
Ajo përmendi faktin që interesi më i lartë që duhet të mbrohet është ai i fëmijëve, të cilëve siç thotë ajo "kjo e drejtë ju garantohet edhe me norma juridike, si një nga format e mbrojtjes së fëmijëve". Marrë parasysh këtë, në Maqedoninë e Veriut përkujdesja dhe edukimi i fëmijëve organizohet dhe sigurohet në institucione publike dhe private për fëmijë.
Por jo të gjithë prindërit kanë mundësi që fëmijët t'i dërgojnë në kopshte private, kurse në ato publike, shpesh herë nuk ka vende të lira.
"Institucione për përkujdesje dhe edukim të fëmijëve janë: kopshtet për fëmijë dhe qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve të cilat mund të jenë publike dhe private. Jo të gjithë prindërit mund ti ofrojnë vetes komoditetin që fëmijët ti dërgojnë për përkujdesje ditore në kopshtet private, prandaj shumë prindër mundohen ti shfrytëzojnë kopshtet publike. “ tha Mero.
Arta thotë se ky problem është më i theksuar në zonat rurale. Kjo mbështetet edhe me statistikat të cilat tregojnë që gratë e zonave rurale janë më pak të avancuara në jetën publike, se sa ato të zonave urbane.
“Situata është më alarmante për prindërit të cilët jetojnë në vendet rurale e që në afërsi të tyre nuk ka kopshte për fëmijët, andaj disa nëna detyrohen të japin dorëheqje nga marrëdhënia e punës, me të vetmen arsye që të mund të përkujdesen vetë për fëmijën.” tha Arta Mero.
Aktivistët bëjnë thirrje që Ministria për Punë dhe Politikë Sociale në bashkëpunim me komunat përkatëse të intensifikojnë aktivitetet në drejtim të ndërmarrjes së masave për mbështetjen e prindërve dhe përforcimin e rolit produktiv të gruas në marrëdhënien e punës, duke rritur kapacitetin e kopshteve aktuale, si dhe hapjen e kopshteve edhe në vendet rurale.
“Një pjesë e madhe e kopshteve të hapura janë në zonat rurale dhe gjithashtu disa nga kopshtet që do të hapen në vitin 2024 ose do të fillojnë të ndërtohen do të jenë në zonat rurale.” u përgjigjën nga kjo ministri për ‘Mollëkuqja’.
Shtojnë se në vend funksionojnë gjithsej 81 institucione publike për fëmijë: (78 institucione publike për fëmijë-çerdhe dhe 3 qendra publike për zhvillim të hershëm fëmijëror) dhe 41 institucione private për fëmijë parashkollorë.
Përpos kësaj, duhet theksuar se në Maqedoninë e Veriut ka pabarazi të mëdha në qasjen në arsimin parashkollor bazuar në vendbanimin dhe statusin social, gjë që e thellon më tej hendekun.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Patriarkati s'e kursen as shëndetin mendor: "Histeria" që ju mveshet grave s'...
Rrezearta Elezi
17/04/2024
"Vdekja dhe Virgjëresha", kush sjell drejtësi për një grua të dhunuar kur sht...
Rita Behadini
17/09/2023
Statistika: Gratë në MV s'e marrin hisen që ju takon, tradita më e fuqishme s...
Ardit Ramadani
09/10/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia