June 19th, 2024
Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë informacion të mjaftueshëm për shëndetin e tyre seksual dhe mendor.
Problem mbetet mungesa e lëndës së edukimit gjithëpërfshirës seksual në programet shkollore, si dhe mungesa e hapësirave ku ata mund të diskutojnë për shëndetin mendor.
Si rrjedhojë e kësaj, ata ballafaqohen me një sërë problemesh, si presioni për marrëdhënie të hershme seksuale, dhuna, mosnjohja e trupit të tyre, lindjet e parakohshme, shëndeti mendor i rrënduar dhe shumë të tjera.
Në lidhje me këtë problem, Elizabeta Bozhinoska, drejtoreshë programi në Asociacionin për edukim shëndetësor dhe hulumtim ‘HERA’ theksoi se të rinjtë në vendin tonë do të mund të ndihen praktikisht të sigurt dhe të diskutojnë të gjitha temat që janë me interes për shëndetin e tyre, dhe nëse kjo si mundësi u ofrohet në tavolinat e shkollës, ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës.
Ajo thekson se përvoja e tyre nga tereni tregon se të rinjtë kanë nevojë për edukim gjithëpërfshirës seksual.
“Të rinjtë duhet të mësojnë edukim gjithëpërfshirës seksual, i mëson ata se si t'i thonë jo presionit për seks të parakohshëm që mund të jetë i padëshiruar dhe mund të jetë i pambrojtur”, tha Elizabeta Bozhinoska.
Edukimi seksual nuk i mëson nxënësit se si të kryejnë marrëdhënie seksuale, por i mëson ata të njohin më mirë trupin e tyre, dhunën, shëndetin dhe shumë tema tjera.
Bozhinoska theksoi se si pasojë e mungesës së informacionit, në vendin tonë ka shumë lindje te të miturit.
Byroja e Zhvillimit të Arsimit në RMV pati një pilot test për edukimin seksual në disa shkolla.
Ajshe Ajrullai nga ky institucion theksoi se kanë gjetur bazë në Ligjin për arsimin fillor, ku siç tha ekziston parimi se shkollat duhet të kujdesen për shëndetin e përgjithshëm e nxënësve dhe për mirëqenien e nxënësve.
"Në bazë të reformave të fundit të arsimit fillor të ju mundësohet nxënësve të klasave të nënta, gjegjësisht të moshës 15 vjeçare të kenë mundësinë të përzgjedhin një lëndë për edukim gjithëpërfshirës seksual dhe që do t'i edukojë të rinjtë për të sjellë vendime të informuara dhe gjithsesi të kujdesen shumë më tepër për shëndetin e tyre seksual”, tha Ajshe Ajrullai.
Edukimi seksual është në funksion të avancimit të shëndetit mendor. Kështu thotë profesoresha e psikologjisë Sheruze Osmani Ballazhi.
Ajo thekson se pikërisht në këtë drejtim duhet të punohet me adoleshentët, pasi në këtë moshë ata janë në potencialin më të hovshëm të zhvillimit të tyre.
“Nëpërmjet prizmit se edukimi seksual është i orientuar edhe i bazuar në të drejtat e njeriut dhe është i bazuar në principin e kënaqësisë, në këtë funksion është e orientuar në rritje dhe zhvillim të kapaciteteve të adoleshentëve, të sjelljes së vendimeve duke u bazuar në informatat relevante për shkak se atyre u ndodhin ndryshime të mëdha në këtë periudhë, ky edukim ju ofron të dhënat që janë relevante dhe shkencore në lidhje me karakteristikat se çfarë ndodh me trupin e tyre, si zhvillohen, por nga ana tjetër njëjtë të pranimit të sjelljeve që ndoshta jo edhe aq janë të dëshirueshme dhe dalin nga rolet gjinore të cilat vendosen nga normat shoqërore”, tha Sheruze Osmani Ballazhi.
Përndryshe, si pasojë e mungesës së informacionit për shëndetin e tyre seksual të rinjtë në RMV përballen me probleme të ndryshme si lindjet më moshë të hershme, infeksionet seksuale, mosnjohja e trupit të tyre, shtatzëni të padëshiruara dhe të tjera.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia