Safety-(2).png

Alarm - në RMV 1 prej 3 të infektuarve me HIV nuk e dijnë se e kanë sëmundjen, cilat janë simptomet dhe si trajtohet kjo sëmundje?

MARRE

May 3rd, 2022

Në Klinikën Infektive në Shkup rregullisht trajtohen më shumë se 300 persona me HIV ndërkaq qindra persona deri tani kanë ndërruar jetë si pasojë e kësaj sëmundje. Organizatat joqeveritare konsiderojnë se shteti nuk bën mjaftueshëm në parandalimin e kësaj sëmundje, Andrej Senih nga „Së bashku më të fortë” thotë se në RMV 1 prej 3 personave të infektuar me HIV, nuk e din se janë pozitiv për shkak shteti ka dështuar në diagnostifikimin e hershëm të sëmundjes. Nga Ministria e Shëndetësisë, fajësojnë pandeminë me Kovid-19 për defokus nga sëmundjet tjera.

HIV-AIDS vazhdon të paraqitet si një ndër problemet më të theksuara shëndetësore në mbarë botën. Sipas të dhënave zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetit deri në vitin 2018 më shumë se 35 milion njerëz në gjithë botën kanë ndërruar jetë për shkak të problemeve që kanë të bëjnë me HIV/AIDS. Të dhënat zyrtare flasin se vetëm gjatë vitit 2017 jetë kanë ndërruar 940.000 njerëz si pasojë e virusit HIV. Vlerësohet se afërsisht më shumë se 37 milion njerëz jetojnë me HIV.

Çka është HIV/AIDS?

HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar – mburoja e trupit kundër baktereve dhe viruseve me të cilat është në kontakt të vazhdueshëm. Konkretisht, virusi vret qelizat CD4, të cilat janë një lloj i qelizave imune të quajtura qeliza T. Ndërsa virusi HIV përparon me sulmin ndaj këtyre qelizave, trupi bëhet më i prekshëm ndaj llojeve të ndryshme të infeksioneve dhe sëmundjeve të rënda siç është kanceri.

Si transmetohet HIV?

Transmetimi i HIV-it mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Disa nga sjelljet dhe kushtet që vënë individët në rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë:

  • Marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale të pambrojtura.

  • Pasja e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore.

  • Shkëmbimi i mjeteve të kontaminuara si gjilpëra, shiringa e pajisje të tjera gjatë injektimit të drogës.

  • Marrja e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, transplanti i organeve, si dhe procedurat mjekësore me instrumente të mprehta të kontaminuara.

  • Shpimet aksidentale me gjilpërë (përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor). Individët nuk mund të infektohen me HIV nëpërmjet kontaktit të zakonshëm të përditshëm si puthjet, përqafimet, takimi i duarve, ose ndarja e objekteve personale, ushqimit apo ujit, etj.

HIV nuk transmetohet përmes ajrit ose ujit ose përmes kontaktit të zakonshëm. Nuk ka shërim për këtë gjendje gjatë gjithë jetës, megjithëse shkencëtarët nuk po heqin dorë nga kërkimi. Por me kujdesin e duhur mjekësor, përfshirë një trajtim të quajtur terapi antiretrovirale, është e mundur të kontrollohet dhe të jetohet me të.
Pa trajtim, një person me HIV pozitiv mund të sëmuret edhe nga SIDA. Në atë fazë, sistemi imunitar është shumë i dobët për të luftuar sëmundjet dhe infeksionet e tjera. Një person me SIDA, i cili nuk merr ilaçe të përshtatshme, jeton mesatarisht 3 vjet. Me terapi antiretrovirale, virusi HIV menaxhohet lehtësisht dhe jetëgjatësia është pothuajse e njëjtë me atë të njerëzve që nuk do të vijnë kurrë në kontakt me të.

  • LEXONI MË SHUMË PËR HIV DUKE KLIKUAR KËTU

Si qëndron situata në Maqedoninë e Veriut?

Sipas të dhënave të akumuluara të sektorit civil, për momentin në Maqedoninë e Veriut rreth 330 persona me HIV rregullisht trajtohen në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup, ndërkaq të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik flasin se nga viti 1987 e deri më 2018-tën mbi 600 persona janë evidentuar sit ë infektuar me HIV prej të cilëve 86% I përkasin gjinisë mashkullore ndërsa 14% gjinisë femerore. Gjithsej në Maqedoni 99 persona të diagnostikuar kanë ndërruar jetë si pasojë e komplikimeve që kanë të bëjnë me AIDS.

Shoqatat të cilat merren me mbrojtjen e personave të prekur nga kjo sëmundje kritikojnë shtetin se nuk bën sa duhet për parandalimin e përhapjes edhe më të madhe të kësaj sëmundje. Andrej Senih nga shoqata “Së bashku më të fortë” kritikon ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë për shkurtimin e fondeve që kanë të bëjnë me parandalimin e HIV.

Vlerësimet e ekspertëve flasin se në vitin 2020 në Maqedoni kanë jetuar rreth 500 persona me HIV, por vetëm dy të tretat prej tyre kanë qenë të vetëdijshëm për statusin e tyre pozitiv. Me fjalë të tjera, një prej 3 personave pozitiv në vend nuk e dinë se janë pozitiv

tha Andrej Senih nga “Së bashku më të fortë”

Ai shtoi se "në bazë vjetore diagnostikohen mesatarisht 45 raste me Hiv, por pothuajse gjysma e tyre diagnostikohen me shumë vonesë gjegjësisht që kur kalojnë disa vite nga momenti i infektimit deri në momentin e diagnostikifikimit. E gjithë kjo qartë tregon se vendi ynë nuk bën sa duhet për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje dhe dukshëm mbetet mbrapa nga mesatarja botërore ku vlerësohet se në vitin 2020 madje 84% e personave të prekur kanë qenë të diagnostikuar me kohë.

119906823_10158501559700170_3893146687845757189_n.jpeg

Sipas Senih, shteti ka shkurtuar mjetet për pandalimin e hershëm të HIV-it për 40 për qind, kjo bie ndesh me Deklaratën e Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që obligon shtetet të arrijnë 95% të rasteve t'i diagnostifikojnë në kohë.

"Më parë ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria padrejtësisht I shkurtuan mjetet për parandalimin e hershëm të HIV-it dhe testimit të tij madje për 40%. Me këtë hap vendi vetëm se do të mbetet ende më mbrapa nga vendet tjera gjë që është në kundërshtim me Deklaratën e Kuvendin të përgjithshëm të Kombeve të bashkuara të vitit 2021 me të cilën obligohen që shtetet të arrijnë 95% e rasteve të infektuara të diagnostikohen në kohë, të kenë qasje deri te terapitë adekuate dhe trajtimin e suksesshëm" tha Andrej Senih.

Diagnostikimi I personave me HIV dhe mundësia deri te terapia antiretroviruse me të cilën shteti ynë dhe e gjithe bota do t’I vënë fund epidemisë së virusit HIV deri në vitin 2030, janë qëllimi kryesor. Kjo thuhet të jetë kështu pasi personat e infektuar kur pranojnë terapi , virusi në gjakun e tyre shkon në gjendjen e ashtuquajtur “jo detektabile” dhe në atë gjendje pamundësohet bartja e infeksionit.

shtoi Andrej Senih nga organizata joqeveritare "Së bashku më të fortë"

Arsyetohen nga Ministria e Shëndetësisë

Nga ministria e Shëndetësisë thonë se pandemia e Kovid-19 ka qenë arsyeja e cila ka pamundësuar që programet shtetërore mbi sëmundjet tjera të realizohen tërësisht.

b.jpeg

Programi për mbrojtjen e popullatës nga virusi HIV të cilën ministria e Shëndetësisë e pergatit në nivel vjetor, realizohet në kuadër të buxhetit të siguruar nga ministria e Financave dhe Qeveria. Përkrah kësaj, një pjesë e mjeteve për realizimin e aktiviteteve  janë nga buxheti I ministrisë së Shëndetësisë ndërsa një pjesë tjetër e buxhetit ndahet nga ana e vetë shtëpive të shëndetit. Kujtojmë se Shëndetësia tanimë dy vite përballet me gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë me Kovid19 dhe I gjithë përkushtimi ynë ka qenë në mbrojtjen e popullatës kundër Kovid-19

deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

Të dhënat e fundit zyrtare të shërbimeve shëndetësore flasin se përmes programit për parandalimin e virusit HIV tek popullata e prekur janë përfshirë gjithsej 10.289 persona. Janë testuar gjithsej 3,350 persona si pjesë e aktiviteteve për zvogëlimin e rrezikut të HIV-it. Janë shpërndarë rreth 67.000 materiale informative, 274,000 dhe 360,000 sete për injektim të sigurte.

Qendrat për shëndet publik janë të kyçura në programet e parandalimit dhe kryejnë, testime pa pagesë dhe këshilla për skrining të shpejtë tek popullata e përgjithshme, shërbime për diagnostike dhe trajtim për infeksionet e bartsh me seksuale.

Ndryshe, gjatë tre mujorit të parë janë përfshirë 787 persona me testim vullnetar dhe të besueshëm , janë mbajtur 162 sesione edukative nëpër shkolla dhe grupe tjera mbi transmetimin e sëmundjes HIV/AIDS. Edhe pse portali ynë kërkoi të dhëna të viteve të fundit, madje të muajve të fundit të këtij viti, nga Instituti i Shëndetit Publik pa përgjigje. Të dhënat e vetme të fundit të cilat ata i posedonin ishin ata të vitit 2017.

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Tanimë shtatë vite e ushtron profesionin si gazetare. Aktualisht është e angazhuar në televizionin Alsat, ndërsa paraprakisht ka punuar në disa shtëpi të tjera mediatike, përfshirë dhe shtypin e shkruar. Kryesisht Vjollca mbulon tema që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, ku dy vitet e fundit kanë qenë tema që kanë të bëjnë me pandeminë.