May 30th, 2023
Numri i shtatzënive të padëshiruara te adoleshentët në vend është 11% dhe paraqet përqindjen më të lartë në Evropë. Numri më i madh i nënave adoleshente janë rome. Kështu e fillojnë për Mollëkuqja.mk rrëfimin e tyre për problemin me mungesën e edukatës seksuale dhe shëndetit riprodhues me theks të veçantë te komuniteti rom, nga Iniciativa e të drejtave të grave nga Shuro Orizarja. Trendi i shtatzënive të padëshiruara tek të miturat ka shënuar rënie megjithatë rezultate nuk janë të kënaqshme për organizatat që ndjekin me shqetësim situatën.
“Nga të dhënat e hulumtimit tonë, gjegjësisht të moshës së grave shtatzëna, mund të shohim trend të rritjes së shtatzënive te të miturat deri në vitin 2017, ku 20% e grave të përfshira në hulumtim kanë qenë nën 18 vjeçe. Në vitin 2019, 18% e grave ishin më të vogla se 18 vjeçe. Në vitin e fundit, numri i grave shtatzëna nën 18 vjeçe që ka kapur analiza është më i ulët, gjegjësisht vetëm 5%. Ekzistimi i shtatzënive te të miturat e komunitetit rom është shqetësuese...”, thonë nga Iniciativa e të drejtave të grave nga Shuto Orizarja.
Asociacioni për edukim dhe hulumtim shëndetësor, HERA, është ndër organizatat që ndjek më nga afër çështjen e shëndetit riprodhues, sidomos te kategoritë e margjinalizuara. Sipas tyre, vetëm nëse kemi të rinj me nivel të lartë të njohurive për shëndetin e tyre riprodhues, mund të themi se kemi shtet të shëndoshë, sepse, këto çështje janë me rëndësi thelbësore për mirëqenien mendore dhe fizike të personit të ri, pavarësisht cilës bashkësi etnike i takon.
Megjithatë, tek komuniteti rom është vërejtur përqindje më e ulët e përdorimit të kontraceptivëve në mbrojtje të shtatzënisë së padëshiruar, gjegjësisht vetëm 8.6%. Kurse për dallim prej bashkësive të tjera etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përqindja e vdekjes te foshnjat është më e lartë te romët. Në mënyrë plotësuese, mungesa e edukimit seksual vërehet edhe përmes martesave të larta në numër të të miturve, të cilat jo rrallë rezultojnë me shtatzëni të miturish
thonë për Mollëkuqja nga Asociacioni edukim dhe hulumtim shëndetësor, HERA.
Martesat dhe shtatzënitë e hershme vendosin vajzat dhe gratë romë ne pozitë jo të favorshme sa i takon arsimimit të tyre dhe pavarësimit ekonomik të tyre.
“Kjo sjell deri te largimi nga procesi arsimor, gjë e cila më vonë reflektohet te pavarësia e tyre ekonomike, sepse në këtë mënyrë, shumë vështirë ja arrijnë të kyçen në tregun e punës. Nga ana tjetër, kur ajo është tërësisht e varur ekonomikisht nga partneri, shumë vështirë del nga rrethi i dhunës në familje, gjë e cila është shumë e shprehur si fenomen shoqëror tek romet. Dhuna familjare për shkak të nivelit të ulët të arsimimit, tradita dhe normat të cilat ajo i vendos, nuk njihen mjaftueshëm as nga ana e romeve, dhe as nga strukturat e sistemit, përfshirë edhe policinë, kështu që ata mbeten të vetme në gjetjen e një kujdesi të vërtetë dhe mbështetjes shoqërore.” – thotë Eva Spasevska, koordinatore projekti në HERA.
Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë prezantoi për herë të parë buxhetin për kontraceptivë falas për grupet e rrezikuara sociale të grave që kanë kryer një abort si pjesë e Programit për kujdes aktiv shëndetësor të nënave dhe fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Që atëherë, buxheti për kontraceptivët falas u reduktua ndjeshëm dhe në vitin 2022 buxheti i ndarë ishte kufizuar në 100.000 denarë, mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e 50 grave. Vetëm në Komunën e Shuto Orizarës, aty ku janë të fokusuara pjesa më e madhe e popullsisë rome, sipas regjistrimit të fundit jetojnë 5621 gra (dhe vajza). Kjo nënkupton se mjetet e buxhetit të ndara për shëndetin riprodhues të këtyre grave nuk mbulojnë as nevojat minimale. Shëndeti riprodhues i grave rome, pavarësisht moshës, është rrezikuar vazhdimisht ne mungesën e gjinekologut në ordinancën e Komunës së Shuto Orizares. Problemi është zgjidhur në fund të vitit të kaluar me angazhimin e një gjinekologu megjithatë, interesimi i pacientëve për regjistrim dhe kontrolle mbetet i ulët.
“Njëri nga rekomandimet në hulumtimet tona është që të paktën mjetet kontraceptive të jenë të qasshme pa pagesë si dhe të gjenden në vetë ordinancat dhe te gjinekologët amë”, thonë nga Iniciativa për të drejtat e grave në Shuto Orizare.
Ata besojnë se “nëse kanë qasje të kontraceptivët dhe te avancimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore si dhe qasje e barabartë te ato shërbime për nënat dhe fëmijët, me theks të veçantë për kategoritë e margjinalizuara, numri i shtatzënive te të miturat do të ulej dukshëm”.
Ky rekomandim është pothuajse i njëjtë me atë që e bën HERA.
Për shkak të rrethanave socio-ekonomike në të cilat jeton popullsia rome, shteti duhet të ketë programe për mjete kontraceptive pa pagesë (kondomë, tableta dhe spirale) për romet, në nivel të ordinancave të mbrojtjes primare shëndetësore por edhe në spitale
thotë Spasevska nga HERA.
Edukimi po ashtu do të luante një rol kyç, si masë që rekomandojnë organizatat të cilat merren me problemin e shtatzënive të hershme të romët dhe mbrojtjen e shëndetit të tyre riprodhues. HERA madje rekomandon përfshirje aktive të personelit mjekësor në terren për të ndihmuar procesin e edukimit.
“Është e nevojshme përfshirja e edukimit formal seksual në shkollat fillore dhe edukimi i ndjeshmërisë gjinore, me qëllim tejkalimin e paragjykimeve dhe stereotipeve që lidhen me gjininë, të cilat janë të dëmshme dhe i vendosin gratë në pozitë të palakmueshme dhe të ndjeshme, veçanërisht popullsinë rome. Shteti duhet të jetë i përfshirë në mënyrë aktive në ngritjen e vetëdijes publike dhe edukimin për të drejtat seksuale dhe riprodhuese përmes organizimit të fushatave në mediave, edukimit seksual dhe përfshirjes së organizatave joqeveritare dhe të motrave medicinale (motrave të patronazhit) në edukimin e romeve në terren”, thonë nga HERA.
Në hulumtimet e organizatave joqeveritare, gjithashtu është konstatuar se gratë rome, në kundërshtim me ligjin, detyrohen nga mjekët amë të paguajnë për shërbimet shëndetësore që u takojnë falas. Kjo është një arsye tjetër që i bën ata të shmangin kontrollet dhe konsultimet me specialistët rreth shëndetit të tyre riprodhues.
Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia