December 11th, 2023
Ato mund të ishin pronare të tokave si burrat, por nuk mund ta shisnin apo ta dhuronin atë.
Ato mund të bëheshin kryefamiljare si burrat, por nuk mund të krijonin një familje të tyren.
Ato visheshin, ecnin dhe flisnin si burra, por nuk kishin të njëjtat të drejta.
Ky ishte realiteti i “virgjëreshave të betuara” në Shqipëri, të quajtura edhe “burrnesha” – vajza dhe gra të reja që në mungesë të një djali apo burri në familjen e tyre, bënë betimin për beqari dhe filluan të jetonin si burra.
Nga një këndvështrim antropologjik ky fenomen është mahnitës dhe ka qenë subjekt i shumë librave, shfaqjeve teatrale, filmave dhe dokumentarëve që eksplorojnë jetën e këtyre grave fascinuese.
Pse një grua do të donte të bëhej burrneshë?
Etnologia Afërdita Onuzi përshkruan arsyet për Mollëkuqja.mk.
“Statusi i burrneshës, i miratuar nga pleqtë e fshatit, i jepte gruas lirinë në çdo lëvizje ekonomike, përveç të drejtës për të shitur apo dhuruar paluajtshmëri”, tha Onuzi. "Ajo mund të vishte rroba për burra ose të vazhdonte të vishte veshje grash, ku ngjyra mbizotëruese ishte e zeza. Ajo mund të pinte duhan dhe të ju bashkohej burrave në tubime, por pa të drejtën e fjalës ose votës. Ajo gjithashtu mund të mbante armë si burrat.
Ajo tha se vlera e një burrneshe për shoqërinë shqiptare qëndron në faktin se ajo shpëtoi një familje pa burrë që përndryshe do të ishte zhdukur.
Aktivistja për të drejtat e grave Rea Nepravishta tha se një arsye tjetër pse një grua bëhej burrneshë është për t'i shpëtuar një martese me mblesëri.
“Për të shpëtuar ‘nderin e familjes’ do të bëhej burrneshë”, tha Nepravishta.
Burrneshës i është ndryshuar edhe identiteti. Libri i Antonia Young "Gratë që bëhen burra: burrneshat shqiptare" përmban dëshmi nga shumë burrnesha që përshkruajnë jetën e tyre të përditshme dhe anekdota personale. Nga disa burrnesha mësojmë historinë e maskulinizimit të emrit të tyre, ku Dile u bë Dilore dhe Shkurta u bë Shkurtan.
Mollëkuqja.mk ka kontaktuar një burrneshë të tillë, Gjystina Grishaj, e cila mban edhe emrin e saj mashkullor Duni. Megjithatë, Gjystina jeton në një zonë të largët të Shqipërisë pa një lidhje të qëndrueshme telefonike apo interneti. Ne kontaktuam mbesën e saj, Valerjana Grishaj, aktiviste për të drejtat e grave që jeton në Shtetet e Bashkuara.
“Jeta e një burrneshe është e vështirë”, tha Valerjana Grishaj. "Përpiqem të imagjinoj se si do të ndihesha nëse do të më duhej të bëhesha burrë për të pasur të drejtat themelore të njeriut që duhet të ketë çdo qenie njerëzore. Besoj se kjo është arsyeja e vërtetë pse këto gra u bënë burrnesha."
Valerjana sqaroi se vendimi i grave për t'u bërë "burrnesha" nuk është për shkak të ndonjë identiteti të perceptuar transgjinor dhe nuk ka të bëjë fare me komunitetin LGBTQ+. Përkundrazi, është një zgjedhje e vështirë që ata bënë për të gëzuar të drejtat elementare që u mohoheshin grave në atë kohë.
“Përveç se donte të kishte të njëjtat të drejta si burrat, halla ime kishte edhe një arsye tjetër [për t’u bërë burrneshë]: babai i saj vdiq shumë i ri duke lënë pas fëmijë të mitur”, tha Valerjana Grishaj. “Kjo ishte një arsye e rëndësishme që ajo të merrte rolin e burrit të shtëpisë, të kujdesej për financat e shtëpisë, të merrte vendime, të ishte kryefamiljare kur mblesit vinin për t'i kërkuar dorën motrave të saj për martesë. Ajo nuk është ankuar asnjëherë dhe ka thënë se ishte e lehtë për të, por mendoj se në fakt ka qenë mjaft e vështirë”.
Kur u pyet nëse shteti është përfshirë në ndonjë mënyrë në rregullimin e kësaj tradite, Valerjana Grishaj pohoi se burrneshat nuk marrin asnjë mbështetje nga qeveria, asnjë ndihmë apo pension dhe se mbështeten në ndihmën financiare nga të afërmit e tyre. Ajo përmendi se tezja e saj ndonjëherë shprehte dëshirën për t’u vlerësuar për kontributet e saj.
Fotogaleri: Njihuni me disa nga burrneshat e fundit që ruajnë një traditë shekullore
Klikoni në këtë LINK për të parë më shumë fotografi të fotografes Jill Peters.
Ndërsa nuk ka të dhëna për “virgjëresha të betuara” para shekullit të 19-të, referencat për ekzistencën e tyre në Kanunin e Lekë Dukagjinit, një tekst që daton të paktën në shekullin e 15-të, sugjerojnë se koncepti i "virgjëreshave të betuara" ishte i pranishëm në kulturën tradicionale dhe e përcjellë gojarisht gjatë shekujve. Sipas një artikulli të publikuar nga BBC në dhjetor 2022, llogaritet se në veri të Shqipërisë dhe në disa pjesë të Kosovës ende jetojnë 12 burrnesha.
Vlen të përmendet se nuk ka asnjë ekuivalent ku burrat marrin rolet e gruas në shoqëri për të fituar ose mbajtur të drejta.
Fatos Grubi ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tetovës. Ai është shkrimtar, poet dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Fatosi ka punuar si mësimdhënës, kurse për momentin punon në “Sopro” si Ekzekutiv Marketingu.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia