black-dark-music-concert-event-promotion-instagram-post.png

"Vdekja dhe Virgjëresha", kush sjell drejtësi për një grua të dhunuar kur shteti dështon?

PASOJA

September 17th, 2023

Gratë veç, burrat veç. Kësaj radhe në Teatrin Shqiptar në Shkup. Një koncept i njohur për ne që jemi mësuar të ndarë mes perdesh të shijojmë ndonjëherë edhe dasmat e ahengjet. Në skenë një grua, Paulina, e cila pesëmbëdhjetë vite më parë është rrëmbyer dhe përdhunuar nga disa burra. Shteti i saj sapo ka fituar demokracinë pas një periudhe të gjatë diktature. Një komision që do të gjykojë rastet e regjimit të kaluar është formuar dhe Gerardo, burri i Paulinës, është zgjedhur si pjesëtar i këtij komisioni. Shfaqja "Vdekja dhe Virgjëresha" me autor Ariel Dorfman dhe regji të Afërdita Nuhijit vuri publikun përballë një lufte që shumë gra e kanë konsideruar të humbur, madje pa e luftuar fare: luftën për drejtësi.

Paulina ka krijuar një jetë tjetër pas dhunimit, është e martuar dhe jeton me burrin e saj i cili është avokat. Një natë Gerardo kthehet në shtëpi natën vonë pasi rrugës i është prishur goma e makinës, dhe një kalimtar është ndalur për t'i ndihmuar. Kalimtari, doktor Robero Miranda, vjen në shtëpinë e Gerardos pasi ka kuptuar se çfarë roli i është dhënë në komision personit që ai ka ndihmuar. Paulina, e cila ka heshtur për vite me radhë dhe nuk ka ndarë të vërtetat e përdhunimit, kupton që në derën e shtëpisë së saj i ka ardhur njëri nga dhunuesit. Ajo i njeh mirë burrat që e kanë dhunuar, i mban mend shumë mirë detajet e përdhunimit, andaj dhe nuk mund të dëgjojë më meloditë e Shubertit që dikur i donte aq shumë, sepse dhunuesi i saj ka kënduar meloditë e tij atë ditë. 

Shumë shpesh gratë i kanë dorëzuar betejat me duart e veta, sepse nuk kanë pasur zgjedhje tjetër. Një mentalitet që i detyron gratë të heshtin, të harrojnë çka ju ka ndodhur, të përtypin të keqen dhe të vazhdojnë të jetojnë sipas normave që ua ka përcaktuar dikush tjetër. Pikërisht ky mentalitet ka detyruar Paulinën të jetojë pesëmbëdhjetë vite në heshtje për atë që i ka ndodhur. Ajo e di që nuk do të gjejë drejtësi, që gjyqtarët janë skllavë të sistemit, andaj dhe nuk beson në to. Tani që beson se njëri nga dhunuesit i ka ardhur në derë, beson që mund të ia bëjë atij vetë gjyqin. 

E gjithë shfaqja rrotullohet rreth përdhunimit të Paulinës, e cila e lidh dhe fillon të torturojë doktor Mirandën, duke kërkuar që i njëjti të rrëfehet për atë që i ka bërë asaj. Regjisorja ka arritur të nxjerr në skenë qartas mllefin e një gruaje që ka jetuar me një barrë të rëndë gjithë jetën e saj dhe që ka humbur shpresat për drejtësi. Nuk është e lehtë për t'u "gëlltitur" një mllef i tillë kur e sheh të pasqyruar qartë në aktorët në skenë. Stigma me të cilën jetojnë viktimat e përdhunimeve, kërkesa që të harrojnë dhe të ecin përpara me jetën, vetëm se e kanë dërguar Paulinën drejt greminës. Ajo nuk ka frikë dhe është e gatshme të sjellë vetë drejtësi. 

Avokati Gerardo tenton të jetë i arsyeshëm dhe kërkon që Paulina ta lërë të ikë doktor Mirandën. Ai kërkon nga Miranda që ai të rrëfehet me një version që ja tregon vetë ai nga rrëfimet që më parë ia ka bërë Paulina. Doktori dështon ta mbajë mend mirë rrëfimin e Gerardos, dhe përzien në rrëfim edhe fakte të vërteta. I njëjti detyrohet të pranon që ka bashkëpunuar me regjimin e kaluar, fillimisht duke menduar që mund t'i ndihmojë të burgosurit, e më pas duke u bërë edhe vetë pjesë e krimeve. 

Shfaqja prek elemente të shumta të jetëve të grave të dhunuara, ëndrrat e tyre të thyera, vështirësitë për të ndërtuar jetën me ëndrrat e mëparshme. Ashtu si në jetën reale ju ndodh shumë grave, Paulina detyrohet të lërë shkollën medicinale. Ajo vazhdon jetën sipas pritshmërive të të tjerëve, madje edhe të vetë bashkëshortit të saj, që herë pas here pranon që Paulina ka nevojë për ndihmë, dhe se e njëjta është e sëmurë. Shfaqjen e bën edhe më të bukur violinçeli i Gresës, i cili i jep nuancën e duhur një tragjedie.

Fundi i shfaqjes lë publikun me shumë pikëpyetje, ashtu si vetë shfaqja. Besoj që të gjithë që dalin nga teatri pasi ndjekin shfaqjen "Vdekja dhe Virgjëresha", dalin më të vetëdijshëm për sfidat e grave të dhunuara dhe stigmën me të cilën ato jetojnë. Teatri vazhdon të ngelet një reflektim i realitetit të grave, në një kohë kur media ka kthyer kokën në anën tjetër dhe refuzon të shohë çka ka te hunda.

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi”. Ajo është gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Rita ka moderuar emisionin "Pasdite me Alsat" në Televizionin Kombëtar "Alsat". Ajo është bashkëthemeluese dhe presidente e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia