untitled-design-(50).png

Gratë mbetën nën hijen e burrave edhe gjatë vitit 2022 në Maqedoninë e Veriut

N'THELB

January 12th, 2023

Ndonëse të gjithë zyrtarët në Maqedoninë e Veriut deklarohen se janë për barazi gjinore, bazuar në vepra edhe viti 2022 ishte “i burrave” në raport ne gratë të cilave nuk iu është dhënë hisja e merituar, sidomos në postet e larta udhëheqëse. Kështu u shënua viti 2022 në fushën e barazisë gjinore në Maqedoninë e Veriut.

Barazi gjinore në fjalë, patriarkat në vepra

Gjatë fushatave parazgjedhore, partitë në RMV figurën e gruas e përdorin për propagandë dhe mbledhje të votave, por sapo formohen qeveritë, ato lihet anash dhe shumë pak përfaqësohet në postet vendimmarrëse. Dëshmi për këtë janë përbërjet e kaluara qeveritare të vendit si dhe kjo e fundi.

Formimi i Qeverisë së re e cila më 16 janar u votua është shembull i parë. Në këtë përbërje qeveritare, të udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski përfaqësimi i grave në postet ministrore ishte minimal, vetëm 20%, apo në numër, vetëm 4 gra u emëruan ministre. Të gjitha gratë ministra vijnë nga LSDM. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), nuk ia dhanë besimin për të udhëhequr asnjë gruas.

Përfaqësimi i grave është edhe më skandaloz në postet e zëvendës ministrave. Prej gjithsej 16 zëvendësministrave, vetëm 2 janë gra, apo raporti mes burrave dhe grave është 8 me 1. Këtu, “balansi etnik” u ruajt pasi një është shqiptare dhe tjetra maqedonase.

Vetëm disa javë më pas, në një panel diskutimi mbi temën “Roli i gruas shqiptare në politikë në RMV“, ku u bisedua pikërisht për këtë përfaqësim, gratë politikane nga partitë politike shqiptare kërkuan më shumë përfaqësim në vendimmarrje dhe meritokraci. Ajo çfarë theksuan politikanet ishte se gratë nuk kërkojnë ndryshimin për t’i shkelur burrat, por të gjithë së bashku të kontribuojnë për një shoqëri të barabartë dhe të suksesshme, ku gjithkush të merr atë që meriton.

“Varfëria ka fytyrë gruaje”

Tetë marsi, vitin 2022 u shënua me një protestë nën moton “Varfëria ka fytyrë gruaje. Tetë marsi i kaluar shënoi varfërinë e grave të siguruar nga sistemi si dhe të thelluar si pasojë e pandemisë së Covid-19. Aktivistët dhe qytetarët kërkuan nga autoritetet të përfshijnë perspektivë gjinore për nevojat e grave, rritje të pjesëmarrjes së grave në grupet e punës që përgatitin dhe zbatojnë masat për t’iu përgjigjur situatës me Covid-19 dhe krizës ekonomike, politika buxhetore dhe ekonomike për njerëzit e jo për bizneset dhe partitë, shërbime inspektuese funksionale që parandalojnë shfrytëzimin dhe diskriminimin e punëtorëve, parandalimin e privatizimit të mëtejshëm të shërbimeve sociale dhe shëndetësore.

Në mesin e kërkesave tjera përfshihej edhe rritja e pjesëmarrjes së grave në postet vendimmarrëse, nëpërmjet vendosjes së kuotave që parashikojnë pjesëmarrjen e grave në të paktën 40% në çdo nivel qeverisjeje, miratimi urgjent i strategjisë për barazi gjinore, miratimi i Ligjit për Barazi Gjinore dhe të tjera.

Në këtë drejtim, OJQ-të edhe këtë vit kanë vijuar punën e tyre për të bërë ndryshime në kuadër të barazisë gjinore përmes aktiviteteve të ndryshme.

Kur jemi te varfëria e grave, edhe Raporti i Komisionit Evropian për rrugën e reformave të vendit në rrugën euro-integruese theksoi se sa i përket barazisë ndërmjet grave dhe burrave në punësim dhe politika sociale, vërehet një hendek i dukshëm gjinor në tregun e punës.

Në drejtim të arsimit, sipas një hulumtimi të Portalb.mk të bërë gjatë vitit 2022, doli në pah se gjatë vitit 2022 nuk kishte asnjë rektore në krye të universiteteve publike në vend. Ndërkaq edhe përgjatë gjithë historisë së universiteteve publike, gjegjësisht, prej gjithsej 53 rektorëve të universiteteve publike, vetëm dy kanë qenë gra, edhe atë vetëm në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) dhe “Shën Kliment Ohridski” (UKLO) ka pasur grua për rektore.

Kur jemi te statistikat, vendit i mungon qasje gjinore në këtë drejtim, pasi në shumë fusha ka mungesë të statistikave gjinore. Për këtë, gjatë vitit 2022, organizata e pavarur hulumtuese Reactor – Research in Action promovoi analizën gjinore me temë: “Statistikat gjinore dhe përfshirja e perspektivës gjinore në sistemin statistikor të Maqedonisë së Veriut”. Kjo analizë nxori rekomandime se aktorët shtetërorë duhet të koordinohen më mirë për të përfshirë perspektivën gjinore në sistemin statistikor, në mënyrë që të krijohen politika më efikase në uljen e pabarazive mes gjinive.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në muajin korrik miratoi Strategjinë për Barazi Gjinore 2022-2027 që ka për qëllimi fuqizimin e të drejtave të grave në vend. Strategji kjo e cila vlerësohet se do të përmirësojë gjendjen e barazisë gjinore në përputhje me përvojat ndërkombëtare. Përmes strategjisë pritet të krijohet një shoqëri në të cilën gratë dhe burrat do të kenë të njëjtat privilegje dhe përgjegjësi që do t’i realizojnë në një partneritet real të përbashkët.

Në pikat e përparimit, në seancën Qeverisë së RMV-së me 1 dhjetor u rishqyrtua dhe miratua koncepti për reforma të politikës tatimore, sipas të cilës produktet menstruale nuk do të tatimohen si produkte luksi me 18% por kjo përqindje zvogëlohet në 5%. Kjo ka qenë temë diskutimi dhe kërkesë edhe e shoqërisë civile.

“Gjuhë urrejtjeje me bazë gjinore”

Seksizmi dhe gjuha e urrejtjes ndaj grave ishin të pranishme edhe vitin që po lëmë pas. Cak i saj u bë ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska kundër së cilës në rrjete sociale u shfaqën komente të shumta seksiste, kritika për pamjen e saj fizike, komente plot paragjykime dhe stereotipa gjinore. Këto sulme erdhën pas pritjes që ju bë ministres gjatë vizitës së saj në Londër. Ku Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska orkestra ushtarake britanike, për nder të saj luajti këngën e famshme maqedonase “Jovano, Jovanke”.

Kur jemi te Ministria e Mbrojtjes, gjatë muajit prill në takimin e katërmbëdhjetë Rajonal për Mekanizmat e Barazisë Gjinore u bë e ditur se vendi ka bërë progres për përfaqësim më të barabartë të grave në ministritë dhe ushtritë e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022, konkretisht përqindja e grave në ushtri ishte 10.15%, përqindja e grave oficere ishte 16.54%, dhe grave shefe sektorësh në Ministrinë e Mbrojtjes 39%, sidoqoftë përfaqësimi i grave përsëri mbetet minimal.

Pollogu më në fund u bë me qendër për gratë viktima të dhunës në familje

Gratë viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore në rajonin e Pollogut deri në muajin dhjetor nuk kishin strehimore për t’u strehuar. Ky rajon ishte i vetmi në Maqedoninë e Veriut nga tetë rajonet planore i cili nuk kishte strehimore të tillë. Pas presionit mediatik nga shoqëria civile, në muajin dhjetor Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftoi se është themeluar zyrtarisht shërbimi social – Qendra për gratë viktima të dhunës në familje në rajonin e Pollogut. Qendra për gratë viktima të dhunës në familje është njësi organizative e IP Qendrës ndër-komunale për punë sociale Gostivar. Qeveria, si nënshkruese e Konventës së Stambollit dhe pjesëmarrëse në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave, ofroi shërbimin e qëndrimit të përkohshëm duke hapur Qendrën për gratë viktima të dhunës, diçka që i ka munguar prej kohësh këtij rajoni.

Megjithatë, në këtë drejtim mungojnë edhe shërbimet e tjera të specializuara. Institucionet, si ato qendrore por edhe ato lokale deri më tani nuk kanë bërë mjaftueshëm në këtë drejtim. Ekspertët e fushës alarmojnë se institucionet si qendrore po ashtu edhe ato lokale duhet të bëjnë më shumë për këtë kategori sociale të rrezikuar.

Rëndësinë e kësaj e thekson edhe Raporti vjetor i “Amnesty International” i publikuar në muajin prill 2022, ku në pjesën për dhunën ndaj grave dhe vajzave thuhet se misogjeneza dhe gjuha e urrejtjes janë rritur në RMV.\

Çfarë në vitin 2023?

Maqedonia e Veriut duhet të bëjë shumë punë në drejtim të avancimit të barazisë gjinore, kjo është konstatuar edhe në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Raporti thekson mangësitë ku vendi duhet të bëjë progres më të madh si dhe pikat ku vendi ka bërë përparim.

Në vitin e ardhshëm vendi duhet të zbatojë të gjitha dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, gratë vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuara në vendimmarrje në institucionet publike, pesë zëvendës avokatë të popullit duhet të emërohen nga Parlamenti, bashkëpunimi me OJQ-të në këtë drejtim duhet të përmirësohet, mediave u nevojiten masa shtesë për të promovuar barazinë gjinore në fushën e medias, Ministria e Drejtësisë ka nevojë që të ndryshojë Kodin Penal në mënyrë që të sigurojë mbrojtje të plotë për viktimat nga të gjitha format e dhunës, përfshirë edhe femicidin.

Mes tjerash, shërbimet për viktimat e dhunës me bazë gjinore duhet të zgjerohen dhe nevojitet një buxhet i duhur për të përmbushur standardet e Konventës së Stambollit, vendit i mungojnë protokollet e qarta ndërinstitucionale, policisë dhe punonjësve shëndetësorë i mungojnë kapacitetet për të vlerësuar plotësisht pasojat e dhunës dhe për të marrë masat e duhura, administratës i mungojnë planifikimi i duhur strategjik gjinor dhe mungojnë mjetet e buxhetimit, gjë që kufizon mundësitë për integrim efektiv gjinor në hartimin e politikave dhe për integrimin e perspektivës gjinore në dialogun sektorial dhe menaxhimin e financave publike, mbledhja dhe analizimi i statistikave gjinore kërkon rritjen e kapaciteteve të institucioneve përkatëse dhe përmirësimin e koordinimit institucional.

Është i nevojshëm zgjerimi i edukimit ligjor që u ofrohet gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë për çështje të tilla si diskriminimi në bazë të aftësisë së kufizuar, dhuna me bazë gjinore dhe seksuale ndaj grave dhe dhuna ndaj fëmijëve, mungesa e mbledhjes sistematike të të dhënave për krimet e urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor dhe ndjekja joefektive e tyre nga autoritetet mbetet një çështje serioze, hendeku gjinor në tregun e punës, Të dhënat për incidentet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës ose një sistem për të hetuar të tilla nuk janë të disponueshme. Ndër të tjera theksohet se kërkohet rritje shtesë e kapaciteteve veçanërisht në zonat urbane.

Të gjitha këto dhe shumë pika tjera do të përcjellin vendin edhe në vitin 2023 deri sa autoritetet të gjejnë zgjidhje për to.

Burimi: Portalb

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia