September 16th, 2023
Duke u thirrë në “art”, patriarkalizmin e gërshetuar me seksizëm, dhunë potenciale dhe diskriminim – këngëtarët në tekstet e tyre vazhdimisht rininë e helmojnë me tekste të dëmshme për gratë dhe kauzën feministe. Është paradoksale se si e vetmja gjë e përbashkët që kanë zhanret si “hip-hop”, popullore dhe tjera është ajo që mesazhet seksiste mund të gjenden në të gjitha prej tyre. Mollëkuqja analizoi disa prej këtyre këngëve dhe u interesua për atë se si këto tekste, mund të ndikojnë në një shoqëri lehtësisht të ndikueshme nga këto faktorë, siç është kjo e jona.
“Kam me të rreh moj çikë me grushta”, titullohet kënga e Egzon Marollit me më shumë se 100 mijë dëgjues vetëm në “Youtube” dhe mijëra tjera në “Tik-Tok”, platformë kjo e cila duhet thënë se shfrytëzohet kryesisht nga të rinjë.
Këngëtari vazhdon këngën me fjalët “Kam me të rreh moj çikë me grushta, mos i vesh pantollat e ngushta... asnjëherë sun ki me vesh t’shkurta...dhomt kom me t’i thye.. e mos mujsha me të rreh, allti kom me nxjerr”.
Gjashtëmbëdhjetë milionë njerëz vetëm në Youtube kanë dëgjuar duetin “Çikat beqare” mes Shyhrete Behlulit dhe vajzës së saj Engjëllisha Salihu. Dialogu që dy këngëtaret pretendojnë se po e bëjnë përmes kësaj kënge, është një tmerr në vete, edhe atë:
“Ah moj bijë të kemi mësu keq, po çohesh kur po don vet. Si te nana s’ki me gjet, te burri është tjetër jetë”, i thotë Shyhretja të bijës.
“Ti moj nana mos u mërzit, jam beqare dhe naj ditë, shpejt vjen koha me u martu, boll oj nanë kam me punu”, ia kthen Engjëllusha asaj.
“Nuk po dini çaj me çit, shum moj bijë je halit, në derë të hujë është adet prej nuses lypin hyzmet”, i thotë Shyhretja të bijës.
Gratë përshkruhen si asgjë më shumë se sa shërbetore, të cilat duhet t’i qëndrojnë gati nevojave të burrit dhe çdo figure tjetër mashkullore në familje. Për shembull, në këngën “Vëllau xheloz”, Salihu tregon se si duhet të merr leje nga vëllau për mënyrën se si veshet, edhe atë “Unë e kam një vëlla, aj xheloz është shumë, as s’më len me u ly as me veshë çka du.”
Asnjë nejë shqiptare nuk mund të përfundojë pa u kënduar kënga “Kallma cigaren”, e cila në thelb i referohet nënshtrimit të gruas ndaj burri, në të kundërtën, do të ketë pasoja.
“Kallma cigaren paja qka t’kallxoj, me ma idhnu nanen guhen ta shkurtoj”, thuhet në këngë.
Të nënshtruara ndaj burrave dhe materialiste, kështu përshkruhen gratë në shumicën e këngëve “hip-hop”, zhanër ky që dëgjohet shumë nga të rinjtë.
“Sa herë që ke kajt unë ta kom ble ni çantë”, thotë Gjiko në këngën “Anna”.
“Nese s’të pëlqen Abeja, ka me t’pëlqy BMW-ja, Nese s’të pëlqen Avnija, ka me t’pëlqy Audi-ja”, thotë Gjiko në këngën “X5”.
Këngëtari Getinjo nuk ngurron t’i quajë “lavire” gratë të cilat e refuzojnë atë. Edhe atë, “Kur e din që t’du, pse po bohesh lavire” thuhet në këngë.
Ne përmendëm vetëm disa prej tyre, ndërsa ka dhjetëra këngë tjera tekste tërësisht diskriminuese. Për këtë, folëm edhe me sociologen Drita Memedi, sipas të cilës pasojat e këtyre teksteve mund të jenë të mëdha.
Nga këto tekste nuk influencohen vetëm të rinjtë të cilët kanë filluar që vajzën apo gruan ta shohin si mjet i plotësimit të dëshirave të tyre por fatkeqësisht këto tekste dëgjohen edhe emitohen edhe nga fëmijët të cilët janë fare të pa mbrojtur dhe nuk e din të bëjnë dallimin midis të mirës dhe të keqes, asaj që është e dëmshme edhe asaj që është e dobishme
Drita Memedi, sociologe
Memedi shtoi se qëllimi primarë i një këngë është që ajo të argëtojë dhe relaksojë dëgjuesit ndërsa këto këngë, me këto tekste jo vetëm që nuk e arrijnë këtë, por kanë efekt krejtësisht të kundërt ndërsa ndikojnë jashtëzakonisht edhe në krijimin e pereptimit jo të mirë ndaj çështjes feministe dhe roleve gjinore.
Aktivistja Zana Avdiu për Mollëkuqja përmendi disa prej pasojave konkrete të cilat një prej burimeve i kanë pikërisht këto këngë. Ajo shtoi se ky fenomen thellohet marrë parasysh se dëgjuesit më të mëdhenj të këtyre këngëve janë të rinjtë.
Duhet thënë se shumica e artistëve nuk i kuptojnë tekstet e tyre. Ndodh shpesh që në të njëjtën këngë vajton që e ka braktisë e dashura dhe po aty e quan kurvë. Tekstet që promovojnë dhunë ndikojnë në dhunën që e kryejnë të rinjtë në shkolla, sepse janë modeli i parë i njerëzve që pëlqejnë për të rinjtë dhe të rejat. Ne shpesh shohim sa të dhunshëm janë nxënësit qysh ne klasat e 9-ta dhe për këtë pjesë të fajit mendoj se ka edhe muzika.
Zana Avdiu, aktiviste
Mollëkuqja vazhdimisht ka informaur për rritjet e numrit të dhunës në familje, diskriminimit gjinor dhe tjera. Në qoftë se nuk ndërmerren masa konkrete për ndalimin e këtyre këngëve me tekste që I nxisin këto dukuri, rreziku është i lartë që të krijojmë një rini edhe më të dhunshme, më patriarkale dhe krejtësisht të padenjë.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia