untitled-design-1710878909.png

Albesa Demjaha në mesin e 50 grave kryesuese në teknologji në Norvegji: Më nominoi një koleg, të mbështesim njëri-tjetrin

DORA VETË

March 25th, 2024

"Jemi shumë krenarë me Albesën, ajo është zgjedhur si një prej 50 grave në Norvegji kryesuese në teknologji" njoftuan përmes faqes zyrtare në 'Facebook' të ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Norvegji, më datë 8 mars të këtij viti.

Gjatë pandemisë, valët e jetës e sollën Albesa Demjahan në Norvegji, ndërsa sot këtij shteti i ka ‘rrëmbyer’ çmimin e të qenurit një prej 50 grave kryesuese të teknologjisë. Albesa lindi në Gjakovë por që në moshë të vogël u shpërngul në Shkup, më pas ka jetuar në vende të ndryshme si Londra, Stokholmi dhe Reading. Aktualisht në Oslo të Norvegjisë është udhëheqëse e kontrollit të rrezikut në teknologji dhe kibernetikë në bankën ‘Santander’.

Për ‘Mollëkuqja’, Albesa Demjaha rrëfen për rrugëtimin e saj në një fushë e cila deri shpejt njihej si e ‘rezervuar’ për burrat, teknologjia.  

“Vendimi për të studiuar teknologjinë ishte një zgjedhje pragmatike, doja siguri në karrierën time pasi u rita me shumë pasiguri në Ballkan. Atë kohë, një karrierë në teknologji dukej shumë premtuese dhe unë thjesht ia nisa kësaj rruge. Megjithatë, doja të specializoja diçka më interesante. Ishte vëllai im ai që më drejtoi drejt sigurisë kibernetike, dhe ndërsa po e hulumtoja, e gjeta veten të intriguar”, rrëfen Albesa.

Përkushtimi dhe puna i sollën asaj bursa shumë të rëndësishme në institucione prestigjioze në Britani të Madhe, të cilat siç thotë ajo “i hapën një botë mundësi”.

Pas katër vitesh jetesë në Norvegji, ajo u zgjodh në mesin e 50 grave kryesuese në teknologji nga gjithsej 700 nominime.

“Ndihem shumë e nderuar që jam përzgjedhur si një nga 50 gratë kryesuese në teknologji në Norvegji, dhe natyrisht që jam krenare me vetveten...Është privilegj të jesh në mesin e këtij grupi... Dua të theksoj se jam nominuar nga një prej kolegëve të mi meshkuj dhe është e rëndësishme të avokoj që gratë duhet të mbështeten si nga burrat ashtu edhe nga gratë”, tregon Demjaha.

Qëllimi i listës 50 më të mirat është të rrisë përfaqësimin e gruas në fushën e teknologjisë në Norvegji duke i promovuar gratë që punojnë në teknologji dhe të cilat mund të shërbejnë si modele për vajzat dhe gratë e tjera.

Rrugëtimi i saj në këtë fushë ka pasur edhe momente të vështira dhe me paragjykime për shkak të gjinisë, madje edhe kur ishte në Londër.

“Kur punoja doktoratën në departamentin e Shkencave Kompjuterike në UCL, paragjykohesha për mënyrën se si vishesha (konsiderohesha si tepër “moderne” për teknologji), paragjykohesha për njohuritë e mia në fushën e teknologjisë si dhe vija re se qasja e personave në pozita të larta ndaj meje dallonte nga qasja që kishin ndaj kolegëve meshkuj. Ndonjëherë e kisha të vështirë t’i tejkaloja këto situata. Ndonjëherë ato fjalë ende jehojnë dhe më shqetësojnë. E vetmja mënyrë për t'i shlyer ato fjalë ishte suksesi”, tha Demjaha.

Por ajo që e ndihmoi t’i tejkalonte këto ishin gratë e tjera në teknologji, të cilat i kishin kaluar vështirësitë e ngjashme dhe ia kishin dalë në një fushë të dominuar nga burrat.

Albesa thotë se edhe në Norvegji, pavarësisht punës aktive për të siguruar që gratë të jenë të përfaqësuara në teknologji shifrat tregojnë se gratë ende janë të nënpërfaqësuara në këtë fushë.

“Aktualisht në Norvegji, vetëm 31% e njerëzve që punojnë në teknologji janë gra, dhe vetëm 27% janë gra në pozicione udhëheqëse në këtë fushë. Pra, sa i përket barazisë gjinore, ka shumë punë për të bërë edhe vet Norvegjia. Megjithatë, mendoj se dallimi fundamental është të kuptuarit që ka një shtet lidhur me faktin që gratë duhet të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në çdo aspekt të jetës. Kjo është pikënisja, dhe këtij lloji të të menduarit ende i mungon pjekuria në rajonin tonë”, tha Demjaha.

Ajo ndër të tjera thekson se gratë përballen me sfida kudo që janë, por janë lloje të ndryshme të sfidave.

“Ajo që më trishton është se vajzat dhe gratë shqiptare shpesh nuk lejohen fare të punojnë. Në trojet shqiptare gratë përballen me sfida ekzistenciale. Me fjalë të tjera, nga këndvështrimi i grave shqiptare, sfidat e punës në teknologji mund të konsiderohen si një “privilegj” në vetvete, për shkak të të drejtave të tjera themelore që u mungojnë – dhe natyrisht dua të theksoj se ky nuk është rasti me të gjitha gratë. Fatmirësisht ka edhe shembuj inkurajues”, tha Albesa.

Për fund ajo porositi që të gjithë, djem dhe vajza, burra dhe gra duhet ta trajtojnë njëri tjetrin me respekt dhe barazi, pasi siç thotë po përballemi me sfida shoqërore të cilat teknologjia i adreson disa prej tyre dhe që kërkojnë këndvështrime të ndryshme dhe meritojnë kontributin e atyre që përfaqësojnë gjysmën e popullatës botërore.

“Vajzave dhe grave të reja, dua t'u them - jeni mjaft të afta për të arritur gjithçka që dëshironi në jetë. Djemve dhe burrave të rinj dua t'u them - jemi të barabarta me ju, pa marrë parasysh a pajtoheni apo nuk pajtoheni me këtë fakt. Së bashku - jemi më të fortë”, porositi Albesa.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia