pink-minimalist-gynecologist-logo-(37).png

"Sikur të isha djalë" i kishte rënë alarmit që nga viti 1936, cilat ishin tre qëllimet e autorit përmes këtij libri?

N'THELB

October 28th, 2023

Në këtë artikull do të shihni shumë copëza të shkëputura nga libri, sepse çdo njëra prej tyre vlen të nënvizohet dhe të shkruhet me shkronja të mëdha.

Sikur të isha djalë është një titull që ngacmon dhe prek syrin dhe mendjen e çdo lexuesi. Është një libër i cili kërkon një lexim me mendje të hapur për ta kuptuar thelbin e tij. Haki Stërmilli pati guximin të kritikoj ashpër dhe u bë ai zë, për të cilin përsonazhi grua në veprën e tij e kërkonte me aq ngulmë.

Tre janë qëllimet kryesore të autorit në këtë libër

E para, për të treguar rëndësinë e gruas së shkolluar shqiptare. E dyta është zakoni, si faktorë kyç për uljen dhe shtypjen e gruas dhe e treta feja e keqintepretuar kur flitet për të drejtat e gruas shqiptare muslimane.

Nëse e keni lexuar këtë libër, keni vënë re se shpesh herë në roman theksohet “gruaja shqiptare muslimane”. Kjo ndodh sepse ishte kohë kur feja u keqinterpretua nga burrat dhe u nxorën përfundime të cilat nuk i gjeje askund tjetër. Andaj shpesh hasim në konflikte mendimesh kur bëhët fjalë për këtë libër, duke gjykuar autorin se është kundër fesë kur vetë personazhi i Haxhiut, një personazh shembull për pozitivitetin që përcjell, ishte një nga predikuesit më të drejtë të fesë, që do shkollimin e gruas, do ngritjen e saj në shoqëri dhe mundohet me ngulm të zhduk mendimet prapanike. Ai lufton këtë prapambeturi që ishte dëmi më i madh i shoqërisë dhe vuante për emancipimin e gruas shqiptare muslimane. "Po ta kisha pasë në dorë, do ta grissha çarçafin dhe nuk do ta lejsha femën pa shkollë, pse grueja asht themeli i shoqnisë njerëzore", shprehet Haxhiu. Me shfaqjen e këtij personazhi, bie poshtë teoria e lartëpërmendur. Ashtu siç shkruan dhe autori: "Kështu e lyp zakoni, kështu urdhëron feja, por ajo fe që u bastardhue prej disa njerëzve gjysmakë e të pandërgjegjshëm." Duke qartësuar këtë keqkuptim, mund të kalojmë tek e vërteta e fatkeqësisë së grave, që ishte vetë mashkulli i paditur shqiptar, i cili rronte sipas një zakoni të egër që i jepte të drejtë një burri të poshtëronte, të shante dhe të godiste një grua. E tillë pra ishte gruaja shqiptare muslimane, viktimë e këtij zakoni, e mbyllur brenda në shtëpi, e painformuar,e pazhvilluar, e paditur duke jetuar me frikën e gabimeve që nuk i bëri kurrë, ku mbi krye kishte burrin si gjyqtarë. E pafuqishme për të kërkuar drejtësi sa që disa prej këtyre grave nuk arritën kurrë ta kuptonin se kishin drejtësi për të fituar. Do krijesa të dënueme me burgim të përjetshëm, thotë autori për to.

Se pse shoqëria shqiptare mbeti për shumë kohë e pazhvilluar, gabimin e gjeni tek mosshkollimi i grave shqiptare, sepse e dimë tashmë, gruaja është shtylla e shoqërisë, dhe një grua e paarsimuar nuk mund t’i sjellë të mira një vendi ashtu siç mund ta bëj një grua e aftë, e zgjuar, punëtore, e cila rron me ëndrra dhe shpresa. Vetëm ajo di të ketë ideale të larta, vetëm ajo është në gjendje të edukoj fëmijë, të cilët janë shpresa e një vendi. Vetëm nënat e lira, thotë autori, e të mirëedukuara mund t’i sjellin të mira këtij kombi.

 "Nji grue që nuk ka pasë vetë nji edukatë të shëndoshe familjare dhe as ma të voglin mësim, asht e natyrshme që edhe fëmijët e vet t’i rritë e t’i edukojë simpas mendësisë së vet të ngushtë e të mykët."

 Një grua e cila nuk ka një shpirt të pasur, që është e varfër mendësisht, e cila nuk ka parë se çfarë ndodh përtej oborrit të saj, e cila nuk ka arritur asnjë sukses në jetë, nuk ka asnjë ëndërr, çfarë ka ajo për t’i dhënë shoqërisë kur vetë jeta e saj është pa ngjyra e bardhë e zi? Andaj dhe autori shkruan: përparimi i një kombi matet me zhvillimin e femnës dhe se kjo lypset të zajë nji vend të konsiderueshëm në shoqninë njerëzore.

Burrat gjykonin dhe bënin me gruan ashtu siç u pëlqente atyre, dhe ashtu siç u përshtatej dëshirave të tyre. Burri për shkak të injorancës së tij, e quante gruan dreq. Kanunet e maleve shqiptare nuk i vlerësuan gratë e tyre por i ndrydhën të shkretat dhe nuk i lanë të nxirnin zë. Është e dhimbshme të mendosh se sa breza grash kaluan jetën pre e këtyre zakoneve. Shumë prej tyre nuk dinin se duhet të luftohet kjo padrejtësi, por dhe ata që ngritën zërin, fjala e tyre ra në vesh të shurdhër. U fol shumë, u luftua shumë gjatë, por gruaja shqiptare vazhdon të ketë të njëjtin fat edhe sot. Ajo akoma trajtohet si një robëreshë e cila nevojitet vetëm për të plotësuar nevojat e shtëpisë dhe ato të burrit. Padrejtësia e gruas shqiptare shkon deri aty sa ajo shfrytëzohej për tregti. Shumë vajza të reja ishin viktimë e tregtisë, ashtu siç ndodhi me personazhin kryesorë në romanin e Haki Stërmillit. Vajza që u shitën nga vetë baballarët e tyre duke i martuar me burra të moshës së mesme. Për raste të tilla kemi dëgjuar shumë, sepse edhe në këto ditë ende rrojnë këto gra të cilat i martuan pa dëshirën e tyre. Sikur Dija e Haki Stërmillit të ishte djalë do t’u jepte një mësim të mirë skotës mashkullore që tregton në kurriz të femnës së ngratë. Por, ajo ishte vetëm një vajzë, e cila i gëllltiste prapë fjalët e saj sepse nuk i dëgjonte askush.

Çfarë tjetër do të ndryshonte sikur Dija, kjo vajzë shqiptare muslimane, e mbushur me mllef për këtë padrejtësi që i bëhëj asaj dhe shumë të tjerave, sikur të ishte djalë?

Unë, po të isha djalë, do t’i tregojsha botës mashkullore se dora që përkund djepin asht ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerëzisë, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndrituna ose të errëta. Një grua, një nënë, e ka në dorë këtë fuqi, ashtu siç pati fuqinë njerka e Dijes, një grua me zakone të vjetëruara, e ashpër dhe zemërngushtë, e cila arriti t’ia shkatërroj jetën vajzës. Ashtu siç pati fuqinë nëna e mirë e Shpendit, që rriti burra trima, të cilët dhanë jetën për vendin e tyre. Shpendi vetë ishte shëmbëlltyra e nënës së tij, një burrë i fjalës, që di të dashurojë dhe të jetë besnik ndaj dashurisë. Irena, një vajzë shembull, e rritur mes librash dhe mes njerëzish që ishin të miredukuar dhe mbi të gjitha kishin dashuri njerëzore, është shembulli i qartë se çfarë vajzash mund të ketë shoqëria shqiptare nëse duan arsimimin e gruas. Mesazhi i autorit s’mund të jetë më i kthjellët dhe i qartë se kaq.  Sikur Dija të ishte djalë do të bërtiste e do ta ngrinte zërin deri në kupë të qiellit që të mund të siguronte mësimin dhe edukimin e femnës ma shumë se të mashkullit, sepse femna asht edukaroja e parë e njeriut. Sikur ajo të ishte djalë, do të zhdukte njëherë e përgjithmonë këtë fanatizëm dhe do ta shpëtonte popullin shqiptar nga kthetrat e tij. Ajo do t’i shpallte luftë botës së vjetër dhe do të vazhdonte këtë luftë derisa të fitonte mbi të. Sikur ajo të mundte me u metamorfozue e me u ba djalë, do të ndërmerte nji lëvizje të gjanë për me i luftue rreptësiht pengesat e fatbardhësisë së femnës shqiptare dhe për me i sigurue asaj liri të plotë e njisi të drejtash. Por, ajo ishte vetëm një vajzë, e cila u flijua për shkak të egoizmit të burrave fanatikë që kanë lindur vetëm për të mbytur gruan e shkretë.

Besarta Ramadani

Besarta Ramadani

Besarta Ramadani është Magjistre e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë studimeve ka qenë pjesëmarrëse në konferenca të ndryshme me disa studime letrare. Ka të botuara poezi në një përmbledhje poetike. Ajo është bashkëautore e disa punimeve të botuara në revista shkencore. Për dy vite ka punuar si lektore. Aktualisht punon për një qëllim të vetëm, që libri të jetë pjesë e pandashme për njerëzit rreth saj dhe jo vetëm.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia