pink-minimalist-gynecologist-logo-(32).png

Propozim-Rregullorja e Kuvendit të RMV-së nuk siguron barazi gjinore, ashtu si kërkon OSBE-ja

N'THELB

October 20th, 2023

Propozim-Rregullorja e re e Kuvendit nuk parashikon të gjitha dispozitat e nevojshme dhe të rekomanduara nga OSBE-ja për të siguruar më shumë barazi gjinore në të gjitha pozitat kyçe në institucionin ligjvënës. Ky është shqetësimi i deputetes Gordana Siljanovska Davkova, njëkohësisht kryetare e Komisionit parlamentar për mundësi të barabarta të grave dhe burrave. Siljanovska kërkon, ashtu siç kanë rënë dakord përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare që kanë qenë pjesë e procesit të përpilimit të propozim-Rregullores së re, që një nënkryetar i Kuvendit si dhe një zëvendës i sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni, të jenë të gjinisë më pak të përfaqësuar, e që në këtë rast është gjinia femërore.

gordana-siljanovska-2020-janevska-ilieva-05-696x796.jpg

“Bëmë amendamente me OSBE-në dhe të gjitha gratë e klubit të deputeteve por edhe kryetari tha se qëndron pas tyre. Marrëveshja që bëmë nuk ishte në favor të grave, por ne jemi marrë vesh që duke filluar që nga një pozitë nënkryetari, të jetë për gjininë më pak të përfaqësuar. Pra, duhet të rishikohet dispozita për njërën pozitë të nënkryetarëve. Ne kemi sekretare të përgjithshme por po ashtu, edhe njëra nga zëvendëset e sekretarit ose sekretares së përgjithshme duhet të jetë e gjinisë më pak të përfaqësuar”, thotë Gordana Siljanovska, kryetare e Komisionit për barazi mes burrave dhe grave.

Siljanovska shkon dhe më tej dhe kërkon që Rregullorja e Kuvendit të parashikojë edhe dispozita se si do të trajtohen nga ligjvënësi rastet e ngacmimeve gjinore dhe ngacmimeve seksuale gjatë punës në hapësirat e punës në Kuvend.

“Ne jemi parlament i rrallë në të cilin nuk është vërtetuar se ka presion mbi dikë këtu mbi bazën e gjinisë kurse është sekret publik që ka pasur, sigurisht. Për këtë kemi formuluar amendament, që të mund të bëhet ankesë, të mund të ketë hetim, duket të ketë kërkim falje dhe dëmshpërblim. Flas për ngacmimet, përfshirë edhe ngacmimin seksual”, Gordana Siljanovska, kryetare e Komisionit për barazi mes burrave dhe grave.

Kërkesa e Siljanovskës nuk është refuzuar dhe gjatë procedurës parlamentare, amendamentet që ajo kërkon mund të bëhen pjesë e Rregullores së re, përpara se Rregullorja të miratohet.

Propozim-Rregullorja e re e Kuvendit kaloi filtrin e parë në Komisionin për çështje të Rregullores, mandatit dhe imunitetit. Ajo është rezultat i një konsensusi mes partive politike me qëllim të qartësimit të disa procedurave parlamentare dhe reduktim të mundësisë për bllokim të nismave ligjore.

Sa i takon mbrojtjes së barazisë gjinore, nga inspektimi i këtij draft teksti të Rregullores së re, mund të detektohet vetëm mundësia që nismat e reja ligjore të kalojnë dhe në Komisionin për mundësi të barabarta të burrave dhe grave, për të shqyrtuar dimensionin gjinor dhe pasojat që mund të ketë ndonjëri nga ligjet që propozohen.

Procedura legjislative, përkatësisht miratimi i ligjeve dhe akteve të tjera, është rregulluar në kapitullin XI të Rregullores (nga neni 139 deri në 213), me dispozita për ngritjen e procedurës, përmbajten e propozim-ligjit, shënimin e propozimligjeve me të cilat bëhet harmonizimi me rregullativën/rregullativat e Bashkimit Evropian, mundësia që në hyrje si përmbajtje e Propozim-ligjit të ketë përqendrim të veçantë për barazinë gjinore dhe vlerësimin e ndikimit të rregullativës

shkruan në Propozim-Rregulloren e re të Kuvendit.

Rregullorja përcakton vetëm organizimin e brendshëm administrativ të Kuvendit dhe pozitat administrative brenda tij. Kurse numri i grave deputete përcaktohet me Kodin zgjedhor. Një nismë për ndryshimin e këtij të fundit, për rritjen e përqindjes së grave deputete nga 40% në 50% ka kohë që është në procedurë parlamentare, por bashkë me propozim-ndryshime të tjera është bllokuar.

“Vetëm të kujtoj se ky Kuvend më 8 Mars miratoi konkluzione në mesin e të cilave ishte pikërisht edhe zotimi për 50% gra në listat zgjedhore”, kishte thënë deputetja dhe kryetarja e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë, Maja Moraçanin, që është edhe propozuese e kësaj nisme, në maj të këtij viti.

Edhe pse partitë politike ka kohë që diskutojnë mbi Kodin zgjedhor, çështja e përfaqësimit deputetëve të të dy gjinive 50-50, nuk është hapur aspak si diskutim në tryezën e punës.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia