January 8th, 2022
Numri më i madh i patentë shoferëve të lëshuar nga ana e ministrisë së Brendshme, për kategorinë B i përkasin vajzave dhe grave. Të dhënat zyrtare të policisë flasin se nga janari e deri në nëntor të vitit 2021 gjithsej janë dhënë 9881 patentë shoferë për herë të parë por nga kategori të ndryshme. 8,217 patentë shoferë janë lëshuar për kategorinë B të vozitjes nga të cilat 4,409 janë femra ndërsa 3,808 meshkuj.
Edhe auto shkollat të cilat trajnojnë kandidatë për shoferë thonë se numri më i lartë i klientëve të tyre për kategorinë B i përkasin gjinisë femërore.
“Kohës së fundit, interesimi i vajzave dhe grave për t'u pajisur me patentë shofer është rritur dukshëm, sidomos 3-4 vitet e fundit. Njëra nga arsyet është se vajzat tanimë janë të punësuara dhe kjo e bën që patentë shoferi të mos jetë më një luks si shihej më parë por diçka shumë e nevojshme. Nga të gjithë kandidatët të cilët regjistrohen, lirisht mund të them se mbi 60% i përkasin gjinisë femërore”.
Autoshkolla "Union"
Punonjësit e auto shkollave potencojnë se edhe numri i instruktoreve gra është dominant ndaj atyre burra. Kjo, ka ardhur edhe si pasojë e asaj se shumica e kandidateve gra kërkojnë që instruktorja t’i përkasë gjinisë së njëjtë, dhe në këtë mënyrë është rritur ndjeshëm numri i instruktoreve gra. Nëse flasim për moshën tek instruktoret mosha lëviz nga 23-mbi 50 vjec ndërsa kandidatet shumica janë të moshave të reja, edhe pse nuk përjashtohen edhe moshat më të mëdha madje dhe ato të shtyra.
Kushtet elementare për të qenë instruktor :
“ Kushti i parë për t'u bërë instruktor është që personi të jetë i pajisur me patent shofer të kategorisë B. Të ketë mbi 3 vjet përvojë në kategorinë B. Të ndjek një shkollë ku ka disa provime që duhet t’i kalojë, ndërsa nga viti 2021 çdo kandidat duhet të posedojë licencë nga ana e Ministrisë për Punë të Brendshme dhe të merret një certifikatë që dëshmon përgatitjen e tij për të qenë instruktor”.
Megjithatë pos kategorisë B, që është leja për vozitje të veturës, shumë pak vajza pajisen me leje për kategori të tjera automjetesh. Kategoria A që është për motorë, C,D dhe E që janë për automjete të rënda thuajse aspak nuk kanë kandidatë vajza dhe gra. Punonjësit e auto shkollave thonë se edhe ata pak gra të cilat posedojnë licencë apo leje për kategori të tjera të automjeteve përvojat kanë treguar se asnjëherë nuk i kanë përdorur. Të dhënat zyrtare të ministrisë së Brendshme tregojnë se nga janari deri në nëntor të vitit 2021 gjithsej janë dhënë 1664 leje tjera për qarkullim, të cilat i përkasin kategorive tjera pos asaj B.
“Të pakta janë gratë instruktore të cilat punojnë me kategoritë më të mëdhaja siç është kategoria C,D apo E dhe A – për motor. Kjo nuk do të thotë se nuk ka gra të licencuara për dicka të tillë, por për shkak se thuajse të gjithë kandidatët për këto kategori janë meshkuj, gratë nuk angazhohen për t’i mësuar burrat”.
Autoshkolla "Union"
Sociologët thonë se ndasitë ndërmjet grave dhe burrave në përdorimin e automjeteve janë çështje paragjykimesh në shoqëri, ndërsa shkencërisht nuk ka dëshmi të cilat tregojnë se gratë janë më të dobëta se burrat në këto kategori të patent shoferëve.
“Fiksacioni për një kategori të vozitjes sipas gjinisë është çështje e perceptimit, mendësisë dhe kontekstit shoqëror, ndonëse shikuar globalisht femrat në përqindje më të vogël sesa meshkujt vozisin kamionë, maunë ose autobusë. Sipas Shoqatës Amerikane për Transport me Maunë në vitin 2019 vetëm 6.9 % të shoferëve kanë qenë femra. Nga 315.000 të tillë në Britani vetëm 2200 janë femra. Tek ne kjo përqindje është edhe më e vogël: pra një femër që vozit autobus urban ose një makinë të madhe konsiderohet se po bën diçka të panatyrshme, sepse timoni i maunit konsiderohet burrëror, që paraqet një stereotip. Pra, ka punë tradicionale që duken femërore ku mashkulli në raste të caktuara është më i mirë se femra, si në kuzhinieri. Mund të ketë edhe profesione në dukje mashkullore ku femra mund të avancohet më shumë se mashkulli”.
Ali Pajaziti, Sociolog
Shumë studime kanë treguar se gratë janë shumë herë më të kujdesshme se burrat në komunikacion dhe se shumica e aksidenteve dhe tragjedive rrugore ndodhin në rastet kur shoferi është burrë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 77 për qind e rasteve të vdekjes në komunikacionin e rrugëve janë shkaktuar prej burrave, rreth 72 për qind e viktimave në aksidentet rrugore janë persona të gjinisë mashkullore, ndërsa sipas të dhënave të kompanive botërore të sigurisë, rreth 80 për qind e dëmeve të bëra në sistemin e komunikacionit janë bërë prej burrave.
Vjollca Aliti është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Tanimë shtatë vite e ushtron profesionin si gazetare. Aktualisht është e angazhuar në televizionin Alsat, ndërsa paraprakisht ka punuar në disa shtëpi të tjera mediatike, përfshirë dhe shtypin e shkruar. Kryesisht Vjollca mbulon tema që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, ku dy vitet e fundit kanë qenë tema që kanë të bëjnë me pandeminë.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia