gold-purple-pink-mentor-business-instagram-post-(1440-x-550-px).png

Orientim në sferën akademike dhe personale, rrjeti Stella do të ofrojë mentorim për vajzat e shkollave të mesme

FEMINISTING

September 5th, 2023

Dyqind vajza të cilat ndjekin shkollimin e mesëm në Maqedoni do të kenë mundësi të bashkëpunojnë me mentore nga rrjeti Stella për nevojat e tyre personale dhe profesionale. Ky program ka filluar me implementim me fillimin e vitit shkollor, në muajin shtator.

Mentorimi, i definuar sipas Wikipedia, është partneritet zhvillimor përmes të cilit një person ndanë njohuritë, shkathtësitë, informacionet dhe perspektivat për të përforcuar rritjen personale dhe profesionale të një personi tjetër.

Nga ana tjetër, nëse shohim origjinën e fjalës, i njëjti vjen nga libri “Odisea”. Mentor, është emri i mikut të mençur dhe të besueshëm të Odiseut të Itakës. Ai qe emëruar nga Odiseu, para nisjes së tij në Luftën e Trojës, si këshilltar, shembull pozitiv, mësues dhe kujdestar i fëmijës së tij të vetëm Telemakut. Mentori u kujdes për djalin e tij për 10 vjet, derisa djali dhe babai u ribashkuan. Ky është kuptimi aktual i termit mentor: një mik besnik, këshilltar ose zakonisht një person më me përvojë që drejton dhe mbështet një person me më pak përvojë.

“E veçanta është se mentorimi ka një qasje holistike, nuk fokusohet vetëm në një segment të zhvillimit personal, profesional dhe akademik. Qëllimi i fillimit të këtij rrjeti si një rrjet mentorimi - në fakt është shkëmbimi i përvojave në kapërcimin e roleve tradicionale - mundësia që vajzat/gratë të ndërtojnë veten ashtu si duan të jenë, pa presionet e shoqërisë”, thekson Sara Milenkovska nga rrjeti “Stella”.

Mentorim për zhvillim personal dhe në karrierë

Rrjeti Stella deri tani numëron 150 mentore, roli i të cilave do të jetë të ndihmojnë vajzat që ndjekin shkollimin e mesëm të realizojnë idetë e tyre, si dhe t'i inkurajojnë që të përpiqen për status të barabartë ekonomik, politik, social dhe angazhim në shoqëri, në mënyrë që të njëjtat të kenë mjetet, kurajon dhe informacionin për të krijuar të ardhmen e tyre dhe vetëbesimin për të kapërcyer pritshmëritë tradicionale gjinore.

Unë isha Selma dhe doja të jem shumë gjëra. Problemi erdhi sepse nuk e dija se si. Kështu që aplikova për t'u mentoruar nga Rrjeti Stella. Deri tani jam mentoruar nga dy mentorë: mentorimi i parë u drejtua nga Seida Beganoviq dhe kishte të bënte me shkrimin kreativ, ndërsa mentorimi i dytë i drejtuar nga Dusica Lazova ishte i fokusuar në shkrimin gazetaresk. Gjatë gjithë procesit (i cili është ende në vazhdim) pashë rëndësinë e një mentori dhe sa e rëndësishme është për të rinjtë që të kenë pranë tyre dikë që do të investojë kohë, energji, përvojë personale dhe kompetenca për t'i ndihmuar ata të rriten dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre. Unë e perceptoj mentorimin si një derë që hap shumë mundësi dhe na ndihmon të zbulojmë veten dhe të drejtojmë aftësitë tona në fushën e duhur.

Selma Pepiq – e mentoruar

Mentoret në rrjetin Stella punojnë në fusha të ndryshme dhe përfshijnë: sipërmarrëse, profesore, gra aktive në jetën politike dhe shoqërore, gra që janë në pozita drejtuese dhe në pozicione ku ato krijojnë politika, por edhe gra që mësojnë dhe përmirësojnë çdo ditë veten e tyre në këto fusha veprimi. Njëjtë si vajzat që kërkojnë mentorim, edhe mentoret mund të regjistrohen onlajn përmes uebsajtit të rrjetit Stella.

“Vajzat e mentoruara deri tani kanë pasur nevojë për mentorim më së shumti për qëllime akademike - procesi i aplikimit për studime master dhe doktoraturë, mbështetje gjatë përgatitjes së diplomës/masterit, komunikim me një grua me përvojë në fushën e saj. Ndërsa për qëllime profesionale, ato i referohen mbështetjes specifike si - përmirësimi i komunikimit profesional, fillimi i një biznesi, rrjetëzimi me mentorë të tjerë nga sektori i tyre, përmirësimi ndërdisiplinor dhe mundësitë për një punë të re/ndryshuese të karrierës. Një pjesë e mentorimeve janë edhe për të mbështetur zhvillimin personal - ndërtimi i vetëbesimit, zhvillimi i aftësive të të folurit në publik ose edhe shkrimi krijues”, thekson Sara Milenkovska.

Kur një vajzë regjistrohet në uebsajtin e “Stella” dhe shpjegon nevojën që ka, të njëjtës i caktohet një grua mentore e cila është kompetente për ndihmë në çështjen e caktuar. Kohëzgjatja e procesit të mentorimit varet nga nevoja e të mentoruarës. 

“Procesi i mentorimit përcaktohet sipas nevojave, por rekomandimi ynë është që të caktohet një kornizë kohore, për shembull tre deri në gjashtë muaj, me takime mentorimi një ose dy herë në muaj”, thekson Milenkovska.

Nga ana tjetër, në shumë raste gratë e regjistruara si mentore, mentorojnë dhe mentorohen nga të tjera gra. Dushica Lazova, mentore në rrjetin Stella, thotë se përvojat e saj e kanë mësuar ta shohë mentorimin si një proces shkëmbimi me shumë drejtime (shpesh ndër breza), në të cilin proces të gjithë palët e interesuara zgjerojnë kapacitetet e tyre për të kuptuar pikën fillestare të tjetrit dhe në asnjë mënyrë nuk ngushtojnë ëndrrat dhe botëkuptimin e personave. 

Si mentore, përpiqem të inkurajoj vajzat e reja që të mos ngushtohen, por të zgjerohen në hapësirën që na takon të gjithëve në mënyrë të barabartë. Pikërisht kjo është arsyeja pse mentorimi është një praktikë kryesore feministe, pa të cilën ne nuk do të mund të ndërtonim komunitete solidare dhe gjithëpërfshirëse, në të cilat ne insistojmë për dekolonizim dhe decentralizim të njohurive dhe mundësive.

Dushica Lazova - Mentore në Rrjetin Stella

Përfitimet dhe prindërit

Një pjesë e fushatës edukative do t'i kushtohet edhe sensibilizimit të prindërve për mbështetjen shtesë që kanë nevojë vajzat dhe mentorimin si një koncept që duhet njohur dhe përdorur kur ka nevojë. Sipas Rrjetit “Stella”, nga proceset e mentorimit të kryera më parë, rezulton se Programi Mentorues i Stellës ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin personal, akademik dhe profesional të vajzave të mentoruara. Gjithsesi, sipas tyre, prindërit do të jenë të informuar dhe proceset e mentorimit do të kryhen vetëm me pëlqimin e tyre.

“Ende ekzistojnë stereotipe dhe norma patriarkale lidhur me rolin e gruas në shtëpi dhe shoqëri, por ne i shohim prindërit si aleatë të mundshëm në tejkalimin e këtyre sfidave”, thekson Milenkovska.

Krahas programit të mentorimit, sipas rrjetit “Stella”, do të realizohen edhe disa aktivitete, të cilat ndër të tjera përfshijnë programin e këshillimit për karrierë, i cili sipas tyre, tashmë ka filluar dhe deri më tani ka përfshirë mbi 30 persona, si dhe programe për praktikë dhe programe vullnetare për të rinjtë.

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi”. Ajo është gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Rita ka moderuar emisionin "Pasdite me Alsat" në Televizionin Kombëtar "Alsat". Ajo është bashkëthemeluese dhe presidente e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia