January 27th, 2023
Kuvendi ka votuar një ligj të ri: gratë nuk lejohet të punojnë. Deputetët që e kanë votuar ligjin, normalisht, burra. Njëjtë si në Kuvendet tona në jetën reale.
Gjashtë gra në skenë. Vendimi i ri ngjall revoltë te secila prej tyre: gruaja e një deputeti e braktis atë në ditën e dasmës, një punonjëse e seksit proteston kundër “klientëve të saj që e kanë votuar ligjin”, një tjetër grua shtatzënë revoltohet për fatin e saj. Gjithçka nis dhe përfundon te fuqia e burrave për të marrë vendime që kanë të bëjnë me gratë, dhe që disi, çdoherë ndërlidhen me funksionin reproduktiv të gruas. Ashtu si te “Rrëfenja e Shërbetores” së Margaret Atwood, edhe në shfaqjen e Qëndrim Rijanit gjithçka nis nga një vendim i sjellë në emër të grave, pa u marrë parasysh mendimi i tyre.
Gjashtë gra në skenë tregojnë një realitet të zhveshur plotësisht nga çdo formë diskriminimi, paragjykimi, dhe roli gjinor. Ata vendosin të marrin në dorë fatin e tyre dhe të vendosin vetë për veten, të mos lejojnë që një ligj i tillë t’iu bëhet pengesë. Ironikisht, çdo vendim që do të donin të sillnin lidhej me burrat. Teksti me motive nga Aristofani dhe përpunim të Biljana Krajçevskës nxjerr në pah realitetin e sotëm të grave. Të gjitha vendimet që gratë duan t’i sjellin në Kuvend, e që fuqishëm i thonë një nga një në skenë, janë vendime të cilat shumë gra do të donin të kishin guximin t’i thonin me zë të lartë, ashtu si aktoret publikut. Sado absurde që janë vendimet e burrave për gratë, aq absurde janë edhe vendimet e grave për burrat. Këtë e tregon një prej vendimeve të grave në skenë: përcaktimi i gjatësisë së flokëve për burrat, apo e drejta për masturbim. Shumë shpesh lufta për të drejtat e grave cilësohet si ekstreme nga disa, e komedia “Gratë në Kuvend” tregon pikërisht sa të pakuptimta dhe të thella janë gjërat që nga larg duken ekstreme.
Diku në një pikë të shfaqjes, ka një grua të cilës i pëlqen ligji i ri dhe është e gatshme t’i sakrifikojë të gjitha gratë e tjera, meqë ajo vetë “është rehat”. Diku nga fundi i shfaqjes grave edhe ju bëhet mendja që ndoshta ky ligj nuk është aq i keq. Kjo sepse në shoqërinë tonë gratë janë rritur duke mësuar se si të nënshtrohen, t’i pranojnë gjërat si të mirëqëna dhe të mos tentojnë t’i ndryshojnë.
Në skenë është vetëm një burrë: ai është kitaristi i cili nuk ka zgjidhje tjetër vetëm se të pranojë të ndjekë urdhërat e gjashtë grave në skenë. Muzika e përzgjedhur sinkronizohet në mënyrë perfekte me çdo ngjarje brenda shfaqjes. Nuk mendoj as që përzgjedhja e aktoreve ishte e rastësishme. Shumë shpesh të njëjtat ndërronin teshat në skenë, për të destigmatizuar në të gjitha format edhe trupin e gruas. Kënga e Julia Stone, "Winter on the Weekend", e kënduar nga njëra prej aktoreve bëri njerëzit të qajnë duke ndjekur një komedi.
Komedia ndonjëherë është mënyra më e mirë për t’i bërë njerëzit të kuptojnë fatkeqësitë e tyre. E kjo komedi, e bën pikërisht këtë. Normalisht, Qëndrimi i cili di t’i lëkundë themelet e besimeve të publikut, nuk ka lënë pa prekur edhe orientimin seksual, ku në rastin e dashurisë mes dy vajzave, vendimi i sjellë do të shkaktonte problem. As stigmatizimi i ciklit menstrual nuk u la jashtë vëmendjes.
Gjashtë aktoret mbledhin rrobat e shpërndara në skenë, dhe përfundojnë me një grumbull rrobash në duar, imazh ky të cilin jemi mësuar ta shohim gjatë gjithë kohës. Gratë, pavarësisht profesionit, karrierës, suksesit...gjithmonë përfundojnë me një grumbull teshash të palara në duar, për vete, për fëmijët, për familjen.
“Gratë në Kuvend” është një shfaqje që zbërthen shumë problematika shoqërore gjinore, duke bërë publikun të vrasë mendjen për atë që qëndron prapa çdo skene. Ndonëse njerëzit shpesh herë refuzojnë të pranojnë gjithçka që nuk kuptojnë, kjo shfaqje ua solli të vërtetat përpara hunde sa nuk kishin se ku t’i ikin realitetit.
Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia