pink-minimalist-gynecologist-logo-(2).png

Në RMV gratë "rrjepen" financiarisht pa të drejtë nga gjinekologët amë, shërbimet s'duhet të paguhen

MARRE

June 17th, 2023

Disa gjinekologë amë shkelin ligjin duke i faturuar pacientet e tyre me sigurim shëndetësor për shërbimet të cilat duhet të jenë pa pagesë sepse mbulohen nga Fondi Shëndetësor. Këtu përfshihet edhe testi Papanicolaou ose i njohur si pap-testi. Pacientet ankohen se, edhe pse me sigurim shëndetësor, në institucionin shëndetësor te gjinekologu i tyre amë detyrohen të paguajnë qindra, ndonjëherë edhe mijëra denarë për shërbime të cilat janë të zakonshme dhe bazike. Ankesa të tilla kanë ardhur në adresë të Mollëkuqes.

Për shërbimet gjinekologjike, pap-test dhe dy analiza të tjera kam paguar 960 denarë gjinekologun amë. Strishot i kam dërguar vet në laboratorinë mikrobiologjike shtetërore. Nga mjeku amë më thanë se për rezultatet do të më njoftojnë me telefon. Për këtë të fundit kurrë nuk më janë lajmëruar, qoftë për të mirë ose të keq

thotë për Mollëkuqja M.R.

“Shërbimet gjinekologjike gjithmonë i kam paguar shume shtrenjtë, pavarësisht se kontrollet dhe vizitat i kam bere gjithmonë tek gjinekologu që e përzgjodha ta kem amë. Herën e fundit, pagesa për kontrollet, ku përfshihet edhe pap-testi arriti në rreth 5 mijë denarë, ndërsa analizat duhet t’i dërgoja vet deri te laboratorin në spitalin shtetëror. Pavarësisht se shuma mu duk e lartë, dyshimet se nuk duhet të paguaja aq mu vërtetuan pas bisedave me disa shoqe të cilat për kontrollet e njëjta tek gjinekologë të tjerë kishin paguar shumë herë më pak, ose vetëm participim”, thotë E.SH. një tjetër paciente me sigurim shëndetësor.

pexels-photo-3760067.webp
INSTITUCIONET MARRIN SHUMË ANKESA PËR SHKELJET NGA GJINEKOLOGËT AMË

Për të sqaruar dilemat Mollëkuqja u drejtua të Inspektorati Sanitar Shëndetësor. Nga atje pranojnë se kanë ankesa për keqpërdorime të tilla nga disa gjinekologë.

"Por, duke pasur parasysh se Inspektorati Sanitar Shëndetësor nuk ka kompetenca për të sanksionuar për pagesën e mjeteve për personin e siguruar, në këtë rast, një kopje të ankesës dhe gjetjet tona i dorëzojmë te Fondi Shëndetësor për veprim të mëtejshëm" thonë nga Inspektorati Sanitar Shëndetësor.

Nga Inspektorati shtojnë se, sipas kompetencave të tyre, inspektime bëjnë vetëm te institucionet shëndetësore publike dhe rreth dhënies së llogarive fiskale.

FONDI SHËNDETËSOR: SHËRBIMET SHËNDETËSORE TE GJINEKOLOGU AMË NUK DUHET TË PAGUHEN

Fondi Shëndetësor është i vetëdijshëm për ekzistencën e problemit të keqpërdorimeve nga gjinekologët amë. Ata informojnë se për shumë prej kontrolleve dhe analizave, pagesa duhet të jetë minimale.

“... me marrëveshje është paraparë që shërbimet shëndetësore të cilat duhet t’i ofrojë gjinekologu i zgjedhur i personave të siguruar nuk duhet të paguhen, siç janë: ekzaminimi i kryer dhe ekzaminimet diagnostikuese ndihmëse me EKO, kolposkopi dhe marrjes e strishos. Participimi, gjinekologu i zgjedhur mund të paguajë vetëm për marrjen e strishos dhe atë në shumë prej 60,00 denarë”, thonë nga Fondi Shëndetësor.

Nga Fondi Shëndetësor thonë se për mjete shtesë të pabazuara, të paguara për shërbimet e realizuara shëndetësore, për participim të paguar në mënyrë jo të rregullt, si dhe për mos lëshimin e vërtetimit (kuitancës) për participim të paguar, në marrëveshje është paraparë dënim kontraktual për institucionin shëndetësor. Në mënyrë që Fondi të veprojë sipas parashtresave të të siguruarve, gjatë kontrollit të përcaktojë se bëhet fjalë për mjete shtesë të pabazuara të paguara nga personat e siguruar, duhet të ekzistojë një dëshmi, pra vërtetim (kuitancë) e lëshuar ose llogari fiskale që të mund të konstatohen parregullsi në punën e institucionit shëndetësor.

Megjithatë, në numrin më të madh të kontrolleve të institucioneve shëndetësore, është përcaktuar se nga ana e parashtruesve të ankesave nuk ka asnjë dëshmi për mjete shtesë të paguara në mënyrë jo të rregullt, gjithashtu as participim të paguar në mënyrë jo të rregullt. Prandaj, apelojmë tek të siguruarit e dëmtuar, patjetër pas ekzaminimit të kryer tek gjinekologu të kërkojnë llogari fiskale me shërbimin e specifikuar shëndetësor për të cilën është paguar participimi

thonë nga Fondi Shëndetësor.

Llogaria fiskale është bazë për të paraqitur keqpërdorimet. Ankesat mund të bëhen në numrin e telefonit pa pagesë 080033222 por edhe në adresën elektronike të inspektoratit info@fzo.org.mk.

NË CILAT RASTE PAGUANI PËR SHËRBIMET?

Pacientet duhet të paguajnë pap-testin privatisht te gjinekologu amë vetëm në rastet kur ata personalisht kërkojnë që analizat të dërgohen në ndonjë laborator privat me të cilin Fondi Shëndetësor nuk ka marrëveshje. Çmimi për pap-testin privat varion nga laboratori që e bën atë, por çmimi referencial sipas Fondit Shëndetësor është 600 denarë.

Kontrolli te gjinekologu i cili nuk është gjinekolog i zgjedhur (ose amë) i personit të siguruar mund të paguhet si kontroll privat edhe nëse ai gjinekolog i jep shërbimet e mjekësisë primare.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia