pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-03-23t171643.029.png

Gratë rrallë ruajnë identitetin përmes mbajtjes së mbiemrit pas martesës, s'ka të dhëna të sakta për këtë

PASOJA

March 18th, 2024

Shumë gra pas martesës humbin një pjesë të identitetit të tyre duke e ‘braktisur’ mbiemrin që kanë bartur gjatë gjithë jetës për ta marrë atë të burrit. Ka raste kur gratë vendosin t’i mbajnë të dy mbiemrat ndërsa shumë pak prej tyre nuk e ndryshojnë fare mbiemrin që kanë pasur deri në martesë.

Ky fenomen nuk është prezent vetëm në Ballkanin Perëndimor. Për shembull, sipas një sondazhi 90% e grave të martuara në vitin 2016 në Britani kishin braktisur mbiemrat e tyre origjinal duket marrë atë të burrave.

Kështu veprohet edhe në pjesën më të madhe të shteteve të Bashkimit Evropian.

Fshirja e një pjesë të identitetit të gruas duke marrë mbiemrin e burrit vjen si pasojë e historisë patriarkale, deri shpejt, gratë nuk thirreshin as në emër, por vetëm si ‘gruaja e filanit’ ose ‘filanica’, duke e lënë të nënkuptohet se ajo është pronë e burrit.

Por përkundër kësaj, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut nuk posedojnë të dhëna të sakta për atë se sa gra kanë ndryshuar mbiemrat e tyre. ‘Mollëkuqja’ i kërkoi këto të dhëna për ta analizuar atë se sa prezente vijon të jetë kjo praktikë në vend.

Madje, nga Ministria për Punë të Brendshme arsyetohen me atë se ‘nuk ka dispozitë ligjore që na detyron të mbajmë evidencë për gjininë e personave të cilët kanë paraqitur kërkesë për ndryshimin e emrit personal (emri dhe mbiemri).

Për kontekst, në dhjetë vitet e fundit janë marrë gjithsej 33,298 vendime për ndryshim të emrit personal (emri dhe mbiemri), por s’dihet sa prej tyre kanë qenë gra ndërsa jo gjithmonë një vendim për ndryshimin e emrit personal vlen vetëm për një person, i njëjti vendim mund të mbulojë bashkëshortët së bashku me fëmijët e tyre.

rastet-e-ndryshimit-te-emrit-personal-(emri-dhe-mbiemri)-ne-rmv-2013--2023.png

Gjithkush mund ta ndryshojë emrin ose mbiemrin, mjafton të ketë dëshirë

“Ja që vitin e kaluar kjo iniciativë u mor dhe përfundoi. Konsideroj që çdonjëri që ka dëshirë të tillë, duhet ta bëjë një hap të tillë”, tha profesoresha Arta Mero emisionin ‘Llafe Grash’ të ‘Mollëkuqja’ duke spjeguar rrethanat që kanë shtyrë ta ndryshojë mbiemrin.

Në vitin 2017 ajo kishte humbur babain i cili ka qenë i njohur me pseudonimin ‘Mero’ dhe që atëherë, kishte marrë vendimin që si mbiemër ta marrë edhe ligjërisht pseudonimin e babait të saj të ndjerë.

“Kam pasur përkrahjen e bashkëshortit i cili më ka ndihmuar në këtë proces, nuk jam divorcuar” shtoi Arta në ‘Llafe Grash’.

untitled-design-(1)-1710774120.png

Pak procedura ka për ndryshim të mbiemrit, mjafton që të interesuarit të paraqesin kartë identiteti, prokurë të rregullt, pagesë për taksën administrative prej 300 denarëve ndërsa dokumentet tjera në procedurë merren sipas detyrës zyrtare.

Bëhet fjalë për certifikatë të lindjes, vërtetim nga evidenca penale dhe nga gjykata kompetente se aplikanti nuk ndiqet penalisht, një vërtetim nga qendra për çështje sociale në lidhje me gjendjen pasurore-juridike dhe obligimet tjera juridike që rrjedhin nga marrëdhënia martesore dhe marrëdhënia e prindërve dhe fëmijëve.

Kjo problematikë thellohet kur gratë përpos ndryshimit të mbiemrit, nuk thirren as me emrin e tyre. Për shembull, në disa rajone shqipfolëse, kryesisht në rajonin e Pollogut, nëse burri quhet Besar, bashkëshortja e tij thirret “Besarica”, gjë që lë të nënkuptojë se ajo nuk është subjekt në vete, por dikush që i përket totalisht bashkëshortit të saj.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia