pink-minimalist-gynecologist-logo-(54).png

Të dhënat për (pa) barazinë gjinore në MV tashmë do të vizualizohen në një ueb-faqe të Entit për Statistika

N'THELB

November 14th, 2023

Enti Shtetëror i Statistikave në bashkëpunim me UN Women kanë krijuar një platformë me statistika gjinore www.rodovistatistiki.stat.gov.mk. Duhet theksuar se këto statistika nuk janë thjeshtë të dhëna të ndara sipas gjinive, por shërbejnë edhe si bazë për analiza dhe hulumtime gjinore pasi që ofrojnë të dhëna të nevojshme për të vlerësuar të gjitha boshllëqet gjinore.

Versioni në gjuhën shqipe i kësaj ueb-faqe ende nuk është funksional, në krahasim me versionin në maqedonisht dhe anglisht mungojnë të dhënat dhe vizualizimet. Janë funksionale vetëm disa linqe sa për sy e faqe që të lidhin me faqen kryesore të Entit dhe që edhe ata janë në gjuhën maqedonase.

Platforma është e lidhur drejtpërdrejt me bazën e të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, MakStat, dhe paraqet mjet për rishikimin interaktiv të treguesve statistikor gjinor-senzitiv, të cilët shfaqen në mënyrë grafike e cila është më e lehtë për t'u kuptuar.

Baza e të dhënave MakStat e EShS-së përmban pjesë të veçantë për statistikat gjinore dhe ka të dhëna të ndara sipas gjinisë në disa fusha të grumbullimit dhe prezantimit të të dhënave. Disa nga statistikat më relevante janë përzgjedhur për të përfaqësuar platformën.

Qëllimi i kësaj platforme është të rris nivelin e të kuptuarit të treguesve statistikorë përmes shembujve të interpretimit të treguesve të tillë dhe paraqitjes grafike të të dhënave.

Enti Shtetëror për Statistikë.

Platforma mund të qaset nga faqja kryesore e EShS-së stat.gov.mk ku e njëjta shfaqet në këndin e djathtë anash, apo direkt nga platforma rodovistatistiki.stat.gov.mk.

Pse është e rëndësishme kjo platformë?

Statistikat gjinore pasqyrojnë dallimet dhe pabarazitë në situatën e grave dhe burrave në të gjitha fushat e jetës. Ata janë mjet thelbësor për integrimin gjinor sepse nxjerrin në pah hendeqet në mënyrë që të mund të zhvillohen strategji, politika dhe programe që do të përmirësojnë jetën e djemve dhe vajzave si dhe burrave dhe grave.

Statistikat gjinore gjithashtu kanë qëllim informues dhe ndërgjegjësues. Analiza dhe shpërndarja e statistikave gjinore në audiencë të madhe është thelbësore për identifikimin e stereotipave gjinore në lidhje me rolet e grave dhe burrave dhe kontributin e tyre në shoqëri”.

Ndërkaq statistikat e ndara sipas seksit janë të dhëna të mbledhura dhe të tabeluara veçmas për gratë dhe për burrat.

Ato lejojnë matjen e dallimeve midis grave dhe burrave në dimensione të ndryshme sociale dhe ekonomike dhe janë një nga kërkesat për marrjen e statistikave gjinore”.

Rikujtojmë që barazia gjinore nënkupton mundësi të barabarta, të drejta dhe përgjegjësi për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë.

Barazia gjinore nuk do të thotë që gratë dhe burrat janë të njëjtë, por që mundësitë, të drejtat dhe përgjegjësitë e grave dhe burrave nuk varen nga fakti nëse ato kanë lindur femër apo mashkull. Kjo nënkupton që interesat, nevojat dhe prioritetet e grave dhe burrave merren parasysh”.

Rikujtojmë që në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut ishte theksuar se institucionet publike nuk mbajnë evidencë mjaftueshëm dhe kësisoj, kjo mungesë e të dhënave të besueshme, të ndara sipas gjinive krijon kufizime të konsiderueshme në zhvillimin e politikave të rëndësishme në këtë drejtim.

Përndryshe, Mollëkuqja.mk vazhdimisht ka raportuar në tema rreth pabarazive gjinore në fusha të ndryshme si politika, ushtria, gjyqësori dhe të tjera. Në Maqedoninë e Veriut, në disa fusha vërehet përparim megjithatë në disa të tjera punët janë keq.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia