December 5th, 2023
Më 22 nëntor të këtij viti një vajzë 23 vjeçe, Emira Selimi, preu shiritin e inaugurimit të bibliotekës "Linkest", e vetmja në gjuhën shqipe në Manastir. Në një intervistë për Mollëkuqja, Selimi rëfen sfidat e këtij rrugëtimi aspak të lehtë për të, thotë që burimi i mosbesimit dhe shfaqjes së dyshimeve nëse (nuk) do të hapej kjo bibliotekë, ishte pikërisht për faktin që ajo ishte një vajzë, sipas tyre e pafuqishme, në këtë ‘luftë’ me një numër të madh të kundërshtarëve.
“Mendonin që për faktin se jam vajzë, lehtë thyhem emocionalisht. Vetëm pse jam vajzë, mendonin se do të frikësohem dhe tërhiqem” u shpreh Emira.
Të hapësh një bibliotekë krejtësisht të re, sfida më e madhe në një situatë normale do të duhej të ishte sigurimi i librave. Por jo në këtë rast, Emira gjatë këtij rrugëtimi është përballur me shpifje nga më të ndryshmet, si nga mediet – ashtu edhe nga qytetarë të zakonshëm.
Ajo kishte vendosur të mos i përgenjështrojë këto shpifje, për shkak se për sigurinë e saj dhe hapjen e bibliotekës me sukses, i ishte sugjëruar të qëndrojë e heshtur deri në ditën kur edhe zyrtarisht u bë hapja.
“Më vjen shumë keq që për herë të parë duhet ta potencoj publikisht që në mesin e atyre që kanë përkrahur shpifjet dhe pengesat ndaj meje kanë që edhe disa gra. Kam kuptuar që asnjëherë ne gratë nuk do arrijmë të drejtat tona përderisa xhelozojmë njëra tjetrën dhe shfaqim urrejtje ndaj njëra tjerës.” tha Emira, në një bisedë me gazetaren e Mollëkuqja.
Emira tregon që përgjatë këtij rrugëtimi është përballur edhe me pasoja të shëndetit shpirtëror dhe fizik, deri në atë pikë sa është detyruar të kryejë kontrolle mjekësore të cilat nuk i kanë rezultuar aspak mirë.
“Shpifjet më kanë lënduar shumë emocionalisht. Si pasojë e gjithë asaj që unë kam duruar, kam pasur pasoja shëndetësore ku në këtë rast me mëlçinë e zezë, mëlçia normale duhet të jetë 40 në analizat e mia ka qënë 503 që është dashur të marr terapi të menjëhershme.” shtoi Emira.
Ajo thotë se ky ‘lum’ i urrejtjes ka ardhë kryesisht nga individ të Maqedonisë së Veriut, të cilët përveç që kishin vendosur të mos e përkrahin nismën e saj për bibliotekën e parë në gjuhën shqipe në Manastir, por me çdo kusht kanë tentuar ta dëmtojnë këtë nismë.
Ajo kohë më parë kishte filluar të hulumtojë dhe t’i hyjë më në thelb historisë së familjes Qiriazi në Manastir, më konkretisht historive të shqiptarëve ortodoks – çdo rrugë e çonte në realitetin jo të mirë të shqiptarëve në Manastir.
“Arsimimi vetēm në gjuhën maqedone, shqipja flitej me shumë pengesa, në shkollën e vetme fillore ku mësojnë shqiptarët, ‘Goce Dellçev’ më shumë lëndë i mësojne në gjuhën maqedone sesa në gjuhën shqipe. I gjithë motivi lindi nga realiteti i trishtë që përjetova unë në Manastir.” tha ajo.
“Menjëherë pas publikimit të nismës, shqiptarët u solidarizuan menjëherë, mbështetja më e madhe ka qënë nga Kosova dhe Shqipëria” tregon Emira për interesin e shprehur nga shtete përtej kufirit për të ndihmuar hapjen e bibliotekës.
Ideja fillestare ka qenë që kjo bibliotekë të hapet në katin përdhesë të Muzeut të Alfabetit por institucioni kompetent që duhej t’i jep lejen për këtë, përkatësisht ministria e Kulturës kërkesës së Selimit i ishte përgjigjur negativisht.
Refuzimi i institucioneve kompetente për t’i dhënë një hapësirë kësaj biblioteke ka shtyrë atë që të gjejë një objekt me qera për nevojat e bibliotekës, e cila aktualisht gjendet njëqind metra afër shkollës fillore ‘Goce Dellçev’, ngjitur me Konsullatën e Shqipërisë, përballë Qendrës për Kulturë.
Përkundër që kjo nuk ishte rruga më e lehtë për të siguruar jetëgjtësinë bibliotekës, Selimi kishte vendosur që fëmijët deri në moshën 15 vjeçe t’i lirojë nga pagesa e anëtarësisë, ndërsa grupmoshat tjera do të paguajnë një shumë simbolike.
“Kjo sepse objekti është shumë shtrenjtë ndërsa biblioteka duhet të mirëmbahet” tha ajo.
Ndryshe, biblioteka deri më tani ka 10 mijë tituj, por pritet që edhe 15 mijë vepra të sillen nga Tirana, kurse edhe 5 mijë nga Prishtina. Të gjithë ata që duan ta pasurojnë biblioteken munden që edhe personalisht t’i dërgojnë librat në Manastir.
Lexoni më shumë në lidhje me këtë bibliotekë, duke klikuar KËTU.
Era Gjakova është studente e ciklit të dytë të studimeve në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në televizionin Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën e të drejtave të barabarta mes gjinive, dhunës në familje dhe medias.
TË NDRYSHME
"S'e vras mendjen për përfitimet as paragjykimet, i dua bletët" tha për 'Moll...
Fisnik Xhelili
19/04/2024
50 libra për gjimnazin ku studioi, Daniela Kortoçi shet bluza për t'u blerë g...
Sara Milenkovska
05/07/2022
"S'është për vajza", futbollistet s'i lodhë as patriarkati, as fusha e sporti...
Fisnik Xhelili
12/05/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia