sds.webp

Është bllokuar përkohësisht zbatimi i Ligjit të Abortit në Teksas

SEKSIZËM

October 7th, 2021

Një gjykatës federal në Teksas lëshoi sot urdhërin që bllokon zbatimin e ligjit të rreptë të shtetit për abortin, i cili ndalon procedurën që në javën e gjashtë të shtatzënisë.

Gjyqtari Robert L. Pitman miratoi kërkesën e administratës Biden për të ndaluar përkohësisht ligjin, duke hapur një rrugë për të rivendosur qasjen ndaj abortit në shtetin e dytë më të populluar të vendit. Ligji, i cili ndalon gratë në Teksas të abortojnë pas gjashtë javësh të shtatzënisë, u hartua dhe u miratua nga politikanët republikanë.

Shtëpia e Bardhë vlerësoi vendimin e fundit si një hap të rëndësishëm.

"Lufta sapo ka filluar, si në Teksas ashtu edhe në shumë shtete të këtij vendi ku të drejtat e grave aktualisht janë nën sulm," tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Zyrtarët teksanë apeluan menjëherë kundër vendimit, duke i krijuar bazën betejave të mëtejshme gjyqësore. Gjykatësi Pitman, shkroi në një opinion prej 113 faqeve se, që nga momenti kur ligji hyri në fuqi më 1 shtator, "grave u është parandaluar në mënyrë të paligjshme ushtrimi i kontrollit mbi jetën e tyre në mënyra të cilat mbrohen nga Kushtetuta".

"Kjo gjykatë nuk do të sanksionojë një ditë më shumë për këtë privim ofendues të një të drejte kaq të rëndësishme", tha gjykatësi Robert L. Pitman .

"Whole Woman's Health", e cila drejton një numër klinikash në Teksas, tha se po bënte plane për të rifilluar abortet "sa më shpejt të jetë e mundur".

Por grupi kundër abortit "Texas Right to Life", akuzoi gjyqtarët për "furnizim me industrinë e abortit" dhe bëri thirrje për një "seancë fer "në fazën tjetër.

Kjo është pengesa e parë ligjore për Teksasin që nga zbatimi i ligjit.

Administrata e Presidentit Joe Biden ndërmori veprime ligjore pasi Gjykata Supreme me shumicë konservatore refuzoi të parandalojë Teksasin të miratojë ligjin. Departamenti i drejtësisë paraqiti një mocion urgjent për të bllokuar zbatimin e ligjit, ndërsa ai vazhdon veprimet ligjore.

Presidenti nga radhët e demokratëve Joe Biden, e ka përshkruar ligjin si një "sulm të paparë" mbi të drejtat e grave, por Guvernatori i Teksasit Greg Abbott e ka mbrojtur atë, duke thënë: "Liria më e çmuar është vetë jeta".

ÇFARË PARASHIHTE KY LIGJ?

Prapa në kohë, që nga vendimi i Gjykatës Supreme të vitit 1973 në Roe v Wade, gratë amerikane kanë pasur të drejtën e abortit derisa fetusi të jetë në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës, zakonisht midis javës së 22 dhe 24 të shtatzënisë.

I ashtuquajturi "Akti i Rrahjeve të Zemrës" në Teksas ndalon abortet pas javës së gjashtë të shtatzënisë, ku në këtë fazë shumë gra nuk e dinë që janë shtatzënë.

Ligji i Teksasit zbaton ndalimin e tij me një qasje të pazakontë, ai fuqizon çdo qytetar të thjeshtë të padisë këdo që "ndihmon dhe mbështet" abortin e paligjshëm, ku ata që fitojnë paditë e tilla do të marrin nga humbësi deri në 10,000 dollarë.

Legjislacioni përjashton rastet me urgjence mjekësore, ku kërkon prova me shkrim nga një mjek, por jo për shtatzënitë që rezultojnë nga përdhunimi ose incesti.

ÇFARË THOTË LIGJI PËR ABORTIN NË RMV?

Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë apo i njohur ndryshe si ligji për abortin u nënshkrua nga presidenti I RMV-së me 23 maj 2019. Ky ligj erdhi si rezultat i pengesave për zbatimin e ndërprerjes së shtatzënisë, dhe procedurave administrative.

Në procedurën për miratimin dhe kryerjen e ndërprerjes së shtatzënisë sigurohet respektimi i dinjitetit të gruas shtatzënë, të drejtës së privatësisë, informacionit, pranimit apo refuzimit të intervenimit medicinal, besueshmëri e të dhënave personale ose mjekësore, konform rregullave të sferës së mbrojtjes dhe të drejtave të pacientëve dhe të mbrojtjes shëndetësore.

Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë ka avancuar liritë riprodhuese të grave për shumë arsye, të cilat ishin të kufizuara më parë. 

·      Tani nuk ka më pritje prej tri ditëve të detyrueshme.

Gruaja e cila ka vendosur për abort, do të mund të ketë shërbime në kohë dhe pa shtyrje.

·      Tani nuk ka më këshillim të detyrueshëm dhe as të anshëm.

Gruaja nëse dëshiron vetë do të ketë këshillim I cili është objektiv, I liruar nga bindjet personale të mjekut dhe e mbështetur në informata mjekësore. Gruaja ka të drejtë edhe të refuzojë çfarëdo informacionesh për abortin dhe të kërkojë menjëherë të kryhet shërbimi.

·      Vendoset abortimi medikamentoz (abortimi me ilaçe).

Abortimi me ilaçe është mënyra më e sigurt e abortimit në nëntë javët e para të shtatzënisë. Ilaçet mund t’i japë mjeku amë, ku me mbështetjen e të cilit pacientja në mënyrë të sigurt do të mund të bëjë abortim edhe në ordinancat gjinekologjike.

·      Gruaja mund të abortojë me kërkesën e sajë deri në javën e 22-të të shtatzënisë.

Abortimi pas javës së 12-të mund të jetë i domosdoshëm për shkaqe mjekësore, për shkak të çrregullimeve serioze të fetusit ose për shkak të rrethanave të papritura sociale, të cilat mund të ndikojnë mbi mirëqenien sociale të gruas, nëse ajo e vazhdon shtatzëninë. Spitali është I obliguar që ta ndërpresë shtatzëninë pa e konsideruar mendimin e gjinekologut, te I cili gruaja është drejtuar ose mendimin e specialistit të dytë.

·      Tani nuk ka më nevojë për dokumentacion shtesë.

Gruaja e cila ka vendosur mos ta vazhdojë shtatzëninë për shkaqe socio-ekonomike, ose për shkak të dhunës seksuale, tani më nuk është e detyruar të grumbullojë dokumente nga institucionet përkatëse. Spitali nuk do të kërkojë më nga pacientja të parashtrojë vërtetim nga Prokuroria Publike, Policia, ose nga Qendra për Punë Sociale. Mjafton vetëm deklaratë e nënshkruar prej saj.

Ndryshe, abortet janë të ligjshme të paktën në kushte të caktuara në pothuajse të gjitha shtetet, por këto kushte ndryshojnë nga vendi në vend. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara me të dhëna të mbledhura deri në vitin 2019, aborti lejohet në 98% të vendeve në mënyrë që të shpëtohet jeta e grave e. Arsye të tjera të pranuara zakonisht janë ruajtja e shëndetit fizik ose mendor, rastet e përdhunimit ose incestit, rastet e dëmtimit të fetusit dhe të tjera. Kryerja e abortit për arsye ekonomike ose sociale është e pranuar në 37% të shteteve. Ndërsa abortit vetëm  nga kërkesa e grave lejohet në 34% të vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Kinën dhe shumicën e vendeve evropiane.

 

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia