January 17th, 2024
Merita Abazi e cila ka qenë mësimdhënëse për katërdhjetë vite në gjimnazin "Zef Lush Marku" në Shkup në emisionin "Llafe grash" tregon për vështirësitë e vajzave për t'u edukuar, në vitet e 70-ta kur ajo ka qenë nxënëse në gjimnaz.
"Unë babain e kam pas mësues. Ka qenë një ndër pishtarët e arsimit në Tetovë, dhe nuk kam pasur probleme me shkollimin. Vajzat i numëronim, me të vërtetë nuk kemi qenë shumë, mirëpo ato vajza që ishim të gjitha përfunduam shkollimin. Unë personalisht nuk kam pasur presion por të tjerët po. Në vitet e 70-ta, në një qytet të vogël, mentaliteti ishte i vështirë, por meqë unë nuk kisha probleme në familje ka qenë më e lehtë", tregon ajo.
Abazi ka folur edhe për rolin e bashkëshortit të saj në familje dhe ndarjet e punëve të shtëpisë. Ajo pranon që meqë të dy kanë qenë të punësuar, ndarja e punëve të shtëpisë mes dy parterëve ka qenë e barabartë.
"Një herë ka lindur bashkëshorti im, dhe nuk mund të ketë ashtu tjetër. Ai shumë më ka ndihmuar, tepër. Kur vinin te unë më thonin: "ju të dy si kunata punoni". Nuk më ka lënë asnjëherë të bëj një punë vetëm. Të dy ishim në punë, kur ktheheshim, njëri në kuzhinë, tjetri në banjo. Krejt punët i bënim bashkë. Më pas uleshim, pinim kafe, çaj, lexonim gazeta e mbushnim fjalëkryqe. Nuk ka pasur punë që bashkëshorti im nuk ka marrë në dorë: edhe gjilpërën e ka marrë, edhe perdet i ka varur. I shkonte çdo gjë. Ai ishte mjeshtër në shtëpi", thekson ajo në "Llafe Grash".
Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia