yellow-and-black-modern-corporate-seek-cover-image-4.png

Sara Milenkovska në Tregime Pjeshkash: Shkruaj në ditarin tim, sepse dikush shkroi para meje dhe më dha forcë

FEMINISTING

April 11th, 2023

Sot sërish më thanë se nuk e di ku e kam vendin. Sikur është diçka e keqe. Nuk e di ku e kam vendin, por as që ka pasur vend për gra si unë në këtë shoqëri. Gjithmonë mungon diçka në lidhje me mua ose jam shumë, shumë e zhurmshme, shumë e pranishme, e dukshme, pastaj e padukshme kur u përshtatet.  

Ok, ta shkruaj që mos harroj, kështu e di që gjërat që po bëj janë reale, vetëm nëse i shkruaj në një copë letër, atëherë detyrimi bëhet veprim, ndërsa veprimi ndryshim. Ja të shkruaj, që mos harroj. Po, si mos harroj kur kam kaq shumë obligime, mirëpo i them vetes kush je ti që ankohesh, të tjerët e kanë më keq, apo "precarity" është një fushë e gjerë në të cilën të gjithë luftojmë për mbijetesë. 

E shkruaj jetën time të përditshme sepse fjalët e shënuara në këtë ditar do të më kujtojnë atë që kam kaluar, kështu, ndoshta një ditë do të shërbejnë si motivim për të vazhduar. I shkruaj mendimet e mia, sepse këtu kam një hapësirë për të qenë vetvetja, dhoma ime e vogël e shkruar në faqe, pa asnjë pritshmëri, më së paku nga vetja. 

Shkruaj në ditarë të ndryshëm aspekte të ndryshme të mia, të kundërta me mjedisin. Shkruaj që mos harroj, sepse gjithsesi bota përreth më kujton ku e kam vendin, si të flas, si guxoj të dukem, kë guxoj të dua, si duhet të flas. Këtu flas si dua vetë, prapë nuk e di ku e kam vendin dhe kjo më kënaq jashtë mase.

Shkruaj që mos harroj, se këto faqe më ofrojnë strehë, më ofrojnë të jem vetvetja, madje të kem ndjenjat që mjedisi dëshiron t'i ndrydhë. Siç thotë Audrey Lorde, mund të ndjej, do të thotë jam e lirë.

Shkruaj që të mbaj mend se lirinë time e krijoj rishtas çdo ditë, si fjalët që shkruaj këtu, në ditarin tim të mbijetesës, një ditë do të zënë hapësirë reale. Nuk do të jenë thjesht një mendim dhe dëshirë për diçka më të mirë, por pjesë e realitetit tim dhe tëndit. 

Të shkruaj që edhe nëse dështoj t'i mësoj botës kujdesin kolektiv, sepse nëse shkruaj kjo do të bëhet udhërrëfyes për dikë tjetër (madje edhe udhërrëfyesi im kur bota përsëri do të bëjë të dyshoj racion time). Dikush tjetër nëse jo unë, do të na kujtojë se solidariteti është arma jonë e vetme kundër atyre që na tregojnë ku e kemi vendin, nëse duhet të buzëqeshim, sa do të na paguajnë për punën që bëjmë, nëse do të mbijetojmë. 

Shkruaj në ditarin tim, sepse dikush shkroi para meje dhe më dha forcë të vazhdoj, të ekzistoj, të sfidoj dhe të jem. I shkruaj mendimet e mia si nëna ime në librat e saj kur na kujton se gratë nuk kanë shtëpi, kanë vetëm mitër por edhe atë dikush mund t'ua heqë. Shkruaj gjëra të paqarta, klithma për liri, të cilat ndoshta një ditë do të jenë slogane për liri, si ato të Lola Olufemi, kur thotë se: "do ta humbim betejën politike, sepse gjithmonë do të duhet të luftojmë për një version më të mirë të jetës së sotme". 

Sot do të shkruaj më shumë, sepse nesër mund të mos kem forcë, ndaj le të qëndrojë si kujtim. Përkujtim, si fjalët e shkruara të Lord, veglat e të zotit të shtëpisë nuk do ta shkatërrojnë kurrë shtëpinë e të zotit. Ndaj sot do të shkruaj se zemërimi i përditshëm duhet të jetë arma ime, por në mënyrë konstruktive, të mos i dorëzohemi dëshpërimit dhe antidashurisë, sepse derisa luftojmë, derisa shkruajmë, derisa lexojmë njëri-tjetrin - mbijetojmë, sfidojmë dhe ndryshojmë rregullat. 

Nejse, nesër do të shkruaj sërish. 

Ky tekst është shkruar në kuadër të edicionit të nëntë të "Tregime Pjeshkash" me temë "Një faqe nga ditari im".

Sara Milenkovska

Sara Milenkovska

Sara Milenkovska ka kryer studimet për Shkenca Politike dhe posedon diplomë masteri në Komunikim Strategjik. Ka kryer studimet master në London School of Economics and Political Science në drejtimin Gjinia, Politika dhe Pabarazia. Ajo është bashkëthemeluese e Rrjetit për Mentorim "Stella" dhe iniciatiore e iniciativës "Ndaj me ne një autore". Hulumtimet e Sarës kanë fokus pa barazinë sistematike, dhunën gjinore dhe gratë në medie.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia