Untitled-design-(2).png

RMV, shoqëria “kufizon” gratë me aftësi të veçanta

N'THELB

March 15th, 2022

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me mision në Maqedoninë e Veriut, ka publikuar një studim në lidhje me diskriminimin gjinor te vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara.

Sipas raporteve ndërkombëtare dhe atyre nacionale, gratë dhe vajzat me aftësi të veçanta janë ende një nga grupet më të diskriminuara në shoqëri, e cila është edhe më e cënueshme nga dhuna, malltretimi dhe keqpërdorimi.

Diskriminimi fillon nga familja

Sipas hulumtimit nga OSBE, pjesa më e madhe e grave dhe vajzave me aftësi të veçanta bëjnë dallimin midis dhunës dhe diskriminimit, ndërsa lloji më i njohur i dhunës është dhuna fizike.

Lloje të caktuara të dhunës dhe shqetësimit, të tilla si shqetësimi seksual në vendin publik, ndjekja, shantazhi dhe të ngjashme, ende nuk njihen dhe konsiderohen si pjesë normale dhe të zakonshme të jetës së grave. Gjithashtu, gratë dhe vajzat me aftësi të veçanta janë përgjithësisht të panjohura dhe nuk njohin diskriminimin sistematik, të cilat janë gjithashtu pjesë e normalizuar e përditshmërisë së tyre që në moshë të vogël. Kujdesi prindëror i vendos vajzat me aftësi të kufizuara në situatë të mbrojtjes dhe izolimit të tepruar nga mjedisi, gjë që çon në varësinë e tyre nga kujdesi i tillë gjatë gjithë jetës dhe pamundësinë për jetë të pavarur

Studimi i OSBE-së

Sipas tyre, në vendin tonë mungojnë programet dhe aktivitetet edukative për ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, si dhe të prindërve të fëmijëve me aftësi të veçanta, për llojet e ndryshme të diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore.

Midis grave dhe vajzave me aftësi të veçanta të përfshira në hulumtim, për rolet gjinore në familje, vërehet një hendek mes brezash. Hulumtimi thotë se pikëpamja më e zakonshme te gratë e moshuara me aftësi të kufizuara është se në rastet e dhunës, një pjesë e madhe e fajit i takon viktimës, për shkak të mburrjes, shkaktimit të xhelozisë, veshjes apo sjelljes provokuese etj.

Ndërsa vajzat e reja, siç thotë hulumtimi, e kundërshtojnë këtë qëndrim dhe konsiderojnë se duhet të jenë të lira, të vishen dhe të sillen si të duan pa frikë se mund të përjetojnë dhunë apo shqetësim.

Gratë dhe vajzat me aftësi të veçanta përballen me një sërë barrierash që e pengojnë ose vështirësojnë pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën shoqërore. Barrierat e para me të cilat përballen gratë dhe vajzat me aftësi të veçanta, të cilat janë indikatorë të diskriminimit sistematik dhe institucional, janë mospërputhshmëria e hapësirave publike për llojet e ndryshme të aftësisë së kufizuar dhe padisponueshmëria e institucioneve. Lloji më i zakonshëm i dhunës që përjetojnë gratë dhe vajzat me aftësi të veçanta është dhuna psikologjike, në formën e poshtërimit, ofendimit, kërcënimit dhe të ngjashme. Përvojat e para të dhunës i kanë në familje, më së shpeshti nga anëtarët meshkuj të familjes – përkatësisht nga babai.

Hulumtimi i OSBE-së

Gjithashtu, në hulumtimin e publikuar nga OSBE, thuhet se arsyeja e numrit të vogël të rasteve të evidentuara të dhunës ndaj grave dhe vajzave me aftësi të veçanta është se institucionet shpesh nuk i ndajnë të dhënat për aftësinë e kufizuar.

Për sa i përket integrimit në shoqëri të personave me aftësi të kufizuara, vërehet se shumë pak prej tyre janë të punësuar në institucionet shtetërore, ndërsa në organizatat civile personat me aftësi të kufizuara janë edhe më pak të përfaqësuar. Në sektorin civil, personat me aftësi të veçanta janë të përfshirë dhe punojnë kryesisht në tematika që kanë të bëjnë vetëm me aftësinë e kufizuar dhe në organizatat e specializuara. Personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht gratë dhe vajzat me aftësi të veçanta, nuk janë të përfshirë në krijimin e politikave dhe masave që nuk janë të dedikuara posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara, por i mbulojnë

Hulumtimi i OSBE-së

Rekomandimet për të shmangur diskriminimin

Në fund të hulumtimit nga OSBE, kanë dhënë dhe rekomandime për të shmangur diskriminimin ndaj grave dhe vajzave me aftësi të veçanta. Nga atje thonë se një ndër hapat e parë duhet të bëhet avancimi dhe harmonizimi i legjislacionit me qëllim të përdorimit të qasjeve ndërsektoriale dhe transformuese gjinore.

Kështu duke marrë parasysh ndikimin e karakteristikave të ndryshme të identitetit që lidhen me aftësinë e kufizuar ndaj diskriminimit dhe dhunës. Sipas tyre, e nevojshme është njohja dhe vendosja e zgjidhjeve dhe masave ligjore për luftën kundër diskriminimit institucional dhe sistematik.

Për sa i përket fuqizimit të grave dhe vajzave me aftësi të veçanta, nevojitet: Vendosja e programeve për edukimin e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara të ndryshme për llojet e dhunës dhe diskriminimit.

Miratimi dhe zbatimi i masave për të siguruar zhvillimin, avancimin dhe fuqizimin e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara nëpërmjet përfshirjes sistematike të interesave dhe të drejtave të tyre në të gjitha planet nacionale të veprimit, strategjitë dhe politikat në lidhje me gratë, fëmijët dhe aftësinë e kufizuar, si dhe në planet sektoriale që lidhen, për shembull, me barazinë gjinore, shëndetin, dhunën, arsimin, pjesëmarrjen politike, punësimin, qasjen në drejtësi dhe mbrojtjen sociale

rekomandon OSBE-ja

Nga atje gjithashtu rekomandojnë se është e nevojshme edhe vërja në prioritet e mbështetjes financiare për gratë dhe vajzat me aftësi të veçanta të cilat janë viktima të dhunës dhe mundësimi i programeve të trajnimit dhe edukimit për (ri)integrimin në shoqëri dhe përmes masave aktive të punësimit.

Është e rëndësishme të forcohet dhe të ndërtohet vetëbesimi i vajzave me aftësi të kufizuara që në moshë të vogël dhe të shmanget mbrojtja e madhe nga prindërit

Zenel Miftari

Zenel Miftari

Zenel Miftari është absolvent në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Tani më dy vite është i punësuar në gazetën e përditshme KOHA dhe kryesisht merret me trajtimin e temave të arsimit dhe temat sociale. Ai është edhe aktivist i shoqërisë civile.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia