foto-(83).png

Në prag të zgjedhjeve, partitë s'përgjigjen për 'Mollëkuqja' nëse kanë plan për përfaqësim adekuat gjinor

N'THELB

February 15th, 2024

Maqedonia e Veriut është në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Zyrtarisht deri tani kandidaturën e ka shpallur kandidati i opozitës shqiptare, Arben Taravari dhe Biljana Vankovska nga “E Majta”. Mollëkuqja u interesua në qoftë se partitë politike janë siguruar që të kenë kandidate gra në garë për shefe të shtetit, si dhe për planet e tyre në drejtim të përfaqësimit adekuat gjinor në qeverinë e ardhshme të vendit.

Deri tani, në krye të Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk ka qenë një grua, as si presidente e as si kryeministre e as si kryetare kuvendi, duke lënë të nënkuptohet që këto pozita janë të rezervuara ekskluzivisht dhe vetëm për burrat.

“A do të nxjerrni një grua si kandidate për presidente dhe çfarë do të bëni për të përmirësuar përfaqësimin e grave në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024?” ishte pyetja jonë drejtuar partive politike.

Këto pyetje i dërguam në adresë të këtyre partive politike, edhe atë: VMRO DPMNE, LSDM, BDI, ASh, Lëvizja BESA dhe Lëvizja Demokratike. Përgjigje nuk morrëm.

Në lidhje me përfaqësimin gjinor në listat për deputetë, kuotat gjinore i detyrojnë partitë politike që 40% e kandidatëve në listat zgjedhore në nivel kombëtar dhe vendor të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar.

Në garë për president, deri tani zyrtarisht vetëm 1 grua

Biljana Vankovska do të garojë për presidente të vendit nën logon e partisë “E Majta”, ajo megjithatë në opinion është e njohur për gjuhë urrejtjeje, sidomos kundër shqiptarëve. Një grua tjetër që përflitet është Gordana Siljanovska nga VMRO DPMNE-ja, megjithatë kjo ende nuk është konfirmuar.

Partitë politike shqiptare dhe Lidhja Social Demokrate (LSDM) nuk do të kenë kandidate grua për presidente të vendit, jozyrtarisht, të gjitha emrat që përfliten janë burra ndërsa gratë e këtyre partive politike as nuk bëjnë pjesë në ‘matematikat’ preliminare.

Raportet bëjnë "rezil" partitë politike për përfaqësim jo-adekuat gjinor

Pabarazitë gjinore mbeten të larta dhe tregojnë nevojën për një përkushtim të fortë për të tejkaluar pabarazinë në përfaqësimin në strukturat e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe lokal dhe ndikimin e përgjithshëm të grave në jetën politike.

Integrimi i duhur gjinor kërkon vullnet të fortë politik për të ndarë në mënyrë efektive kompetencat vendimmarrëse brenda partisë, angazhim serioz dhe mjete dhe burime të dedikuara për të monitoruar dhe përshtatur të gjitha aspektet e jetës partiake-politike me standardet e barazisë gjinore dhe fuqizimin e plotë të pjesës të grave.

Partitë politike duhet të kenë vetëm vullnet për të punuar në përfaqësimin më të madh të grave në këto zgjedhje, pasi rekomandimet për progres i ka dhënë Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES)publikimin e tyre “Përfaqësimi i grave në zgjedhjet dhe proceset politike në Maqedoninë e Veriut - Mësimet e nxjerra dhe rekomandimet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2024”.

Raporti thekson se partitë politike duhet të rrisin përpjekjet për integrimin gjinor, të marrin në konsideratë përforcimin e pavarësisë financiare të degëve (seksioneve) të grave, të përdorin futjen e kuotave të brendshme vullnetare progresive, dhe të promovojnë më shumë gra në pozita drejtuese në kuadër të partisë, qeverisë dhe administratës publike.

“Dukshmëria, veçanërisht në pozitat udhëheqëse, është një faktor i rëndësishëm për nivelin e pranimit të grave kandidate. Një tregues i shkallës së hapjes së partisë ndaj grave udhëheqëse do të ishte përqindja e grave të renditura të parat dhe të dytat në listat e mbyllura të kandidatëve të partisë”, thekson raporti.

Partitë politike po e mbajnë peng derën e përfaqësimit të grave

“Dominimi politik i burrave, veçanërisht në politikën partiake, ka një ndikim të rëndësishëm në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe është një pengesë e madhe për politikanet gra në drejtim të qasjes në pozicionet drejtuese”, thuhet në raport.

Theksohet se ekzistojnë tre strategji kryesore për avancimin e pjesëmarrjes politike të grave: futja e kuotave në sistemin zgjedhor, krijimi i degëve të grave dhe krijimi i komisioneve të kontrollit për të siguruar barazinë gjinore brenda partisë.

“Partitë politike duhet të konsiderojnë t'i besojnë një kontroll të zgjeruar buxhetor ndaj degës të grave duke futur një linjë të dedikuar buxhetore. Kjo rritje e pavarësisë do të ndihmonte në modernizimin e punës dhe aktiviteteve të degës të grave, duke i bërë ato më efikase, të dukshme dhe më pak të varura nga udhëheqja e partisë”, tregon raporti.

Partitë politike pa kuota të brendshme sipas këtij raporti duhet të marrin në konsideratë futjen e tyre për të rritur numrin e grave në pozita ekzekutive në të gjitha nivelet e strukturës së partisë. Për më tepër, integrimi gjinor në të gjitha aspektet e punës së partisë, duke përfshirë mekanizmat e brendshëm për të monitoruar vendosjen e brendshme të grave si anëtare dhe udhëheqëse, duhet të përforcohet.

“Një masë tjetër për të nxitur pjesëmarrjen e grave dhe për të inkurajuar partitë politike të rekrutojnë një numër më të madh të grave kandidate mund të jetë futja e një kriteri shtesë për financimin e partive që i referohet përfaqësimit të grave në listë dhe të zgjedhura në Kuvend dhe në këshillat komunale”, tregon raporti.

Gratë ende të nënpërfaqësuara në politikë dhe vendimmarrje

Në qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, nga gjithsej 37 poste ministrore, vetëm 7 janë gra.

Për dallim nga Qeveria, Kuvendi ka përfaqësim më të mirë të grave, kjo pasi Kodi Zgjedhor e në një far forme i obligon partitë t’i përfshijnë gratë në lista për deputetë. Nga gjithsej 120 deputetë, 51 janë gra.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut e deri më sot, nuk ka pasur asnjë grua si presidente, kryeministre apo kryetare kuvendi. Vetëm dy gra kanë qenë ushtruese detyre si kryeministre dhe kryetare kuvendi për më pak se një muaj.

Dëshpërues është numri i grave të cilat udhëheqin me komunat në vend, nga gjithsej 81 komuna, vetëm 2 udhëhiqen nga kryetare gra.

Ndryshe, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, struktura gjinore në Maqedoninë e Veriut është thuaj se e njëjtë. Konkretisht gra ka 925,626 (50.4% ) dhe burra 911,087 (49.6%).

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia