March 8th, 2023
Votimi i ministrave dhe zëvendës-ministrave të rinj në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut sollën ndryshime minimale pozitive sa i përket përfaqësimit të grave në të, me rritje simbolike të pjesëmarrjes së tyre. Megjithatë, sipas shoqërisë civile, edhe pse ky veprim duhet përshëndetur, vendi çalon në përgjithësi në përfaqësimin e grave në vendimmarrje.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 27 shkurt votoi katër ministra të rinj, dhe njëra prej tyre ishte grua (Kaja Shukova e Mjedisit Jetësor). Me këtë, numri i grave ministre u rrit në pesë, pasi vetëm katër ishin paraprakisht në këtë funksion. Ndërkaq, numri i ministrave në Qeveri gjithsej është gjashtëmbëdhjetë si dhe katër i zëvendës kryeministrave.
Ndërkaq më 2 mars, Kuvendi votoi edhe pesë zëvendës ministra të rinj, tre nga ta ishin gra (Vjollcë Berisha – Bujqësi, Viktoria Avramovska Mandiq – Drejtësi, Maja Manoleva – Shëndetësi). Me këtë, numri i grave zëvendës ministre shkoi në pesë, pasi vetëm dy ishin paraprakisht në këtë funksion. Ndërkaq numri i përgjithshëm i zëvendës ministrave është gjashtëmbëdhjetë.
Me rikonstruimin e Qeverisë të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), pjesëmarrëse janë edhe tre parti shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASh) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
Partitë shqiptare nuk ia kanë besuar postin e ministres asnjë gruaje, pasi të pesta ministret vijnë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM). Ndërkaq, nga pesë zëvendës ministret vetëm dy janë shqiptare, e Bujqësisë (ASh) dhe ministrja e Jashtme (PDSh).
Partia më e madhe shqiptare pjesëmarrëse në Qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka emëruar asnjë grua si ministre apo zëvendës ministre.
Gratë në Qeverinë aktuale udhëheqin në këto ministri:
Ministre e Mbrojtjes – Sllavjanka Petrovska;
Ministre e Punës dhe Politikës Sociale – Jovana Trençevska,
Ministre e Kulturës – Bisera Stojçevska,
Ministre e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – Kaja Shukova,
Ministre pa resor, zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit – Sllavica Grkovska,
Zëvendës ministre e Jashtme – Fatmire Isaku,
Zëvendës ministre e Mjedisit Jetësor – Hristina Oxhaklieska,
Zëvendës ministre e Bujqësisë – Vjollcë Berisha,
Zëvendës ministre e Drejtësisë – Viktoria Avramovska Madiq,
Zëvendës ministre e Shëndetësisë – Maja Manoleva.
Kujtojmë se rikonstrumi i Qeverisë erdhi pas hyrjes së Alenacës për Shqiptarët në pushtet. Pas këtij vendimi, nga Qeveria u largua Alternativa dhe Lidhja Demokratike.
Ky ndryshim në përfaqësimin e grave në ekzekutiv për Vlora Reçicën, hulumtuese në “Institutin për Demokraci” dhe aktiviste e të drejtave të grave në “Rrjetin Stella” nuk paraqet hap pozitiv përderisa përfaqësimi mes burrave dhe grave në Qeveri nuk është 50-50.
“Kyçja e grave në politikë dhe pozita vendimmarrëse është thelbësore nëse dëshirojmë të ecim përpara si shoqëri. Shembulli më i thjeshtë është propozim ligji për pushimin prindëror. Propozimi i ri parasheh edhe leje për baballarët, gjë që ju mundëson të dy prindërve të kalojnë kohë më fëmijën në vitin e parë të jetës së tyre. Sa ministra burra të Ministrisë për punë sociale kanë pasur mundësinë të krijojnë një propozim të tillë, por nuk e kanë bërë. Prizma përmes të cilës gratë shikojnë politikën është shumë humane, dhe pikërisht për këtë duhet të jenë në ato pozita”, thotë Reçica.
Ajo shton se pika e dytë është fakti që kyçja e grave në politikë duhet të fillon që nga partitë politike.
“Për momentin kemi parti mizogjene që kyçjen e grave e bëjnë vetëm në mënyrë simbolike. Përderisa vendimet kryesore enden merren në kafe e çajtore në 2 natës, për gratë nuk do të ketë vend në politikën e vendit tonë”, tha Reçica.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, Pranvera Kasami thekson se i gëzohet emërimeve të reja në ndryshimet e fundit të Qeverisë që shënojnë një hap përpara në pozicionimin e barabartë i grave dhe burrave në vendimmarrje në shoqëri, pasi kjo sipas saj mbi të gjitha është çështje drejtësie, respektim i të drejtave themelore të njeriut dhe qeverisje e mirë.
“Është evidente tashmë që edhe nga subjektet politike, bile qoftë për imperativ PR përpara audiencave me rëndësi politike, sytë drejtohen gjithnjë e më shumë nga gratë. Heqja e tavanit të qelqit (glass ceiling), barrierat e padukshme, që parandalojnë gratë në arritjen e pozitave të niveleve të larta, mund të prodhojë jo vetëm më shumë barazi, por edhe përfitime thelbësore në efikasitet. Sado që një skenar afatshkurtër, çdo lëvizje edhe më e vogël drejt vlerave të barazisë, është një hap përpara emancipimit të mirëfilltë dhe unifikimit të shoqërisë me vlerat perëndimore”, tha Kasami.
Për dallim prej Qeverisë, situata në Kuvend është më e mirë, kjo pasi Kodi Zgjedhor e mundëson këtë. Kuvendi aktual i Maqedonisë së Veriut i konstituuar më 4 gusht të vitit 2020 numëron 51 gra deputete nga gjithsej 120 deputetë.
Maqedonia e Veriut që nga pavarësia nuk ka pasur asnjëherë të zgjedhur grua në postet e presidentit, kryeministrit apo kryetarit të Kuvendit, dy gra kanë qenë ushtruese detyre për dy funksionet e fundit edhe atë më pak se një muaj.
Skandaloz mbetet numri i grave të cilat udhëheqin me komunat në vend, nga 81 komuna gjithsej vetëm 2 udhëhiqen nga gratë.
Gjatë fushatave parazgjedhore, partitë figurën e gruas e përdorin vetëm për propagandë dhe mbledhje të votave pasi sapo formohen qeveritë, ajo lihet anash dhe shumë pak përfaqësohet në postet vendimmarrëse. Argument dhe fakt për këtë janë përbërjet e kaluara qeveritare të vendit dhe kjo e fundit, ku hendeku i ministrave burra dhe gra është i madh.
Boshllëqet dhe stereotipet gjinore në jetën publike dhe politike i theksoi edhe Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian i cili u publikua me 12 tetor 2022.
Gratë në RMV të drejtën e votës dhe të zgjidhen në zgjedhjet politike e fituan në vitin 1946. Në nivel global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut. Pjesëmarrja e grave në politikë njihet si e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global.
Burimi: Portalb
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Zgjedhjet 2024: Barazia gjinore s'është prioritet për koalicionet me shumicë ...
Fisnik Xhelili
03/05/2024
Ndikimi i hormoneve përgjatë ciklit menstrual, intervistë me gjinekologen Lul...
Era Gjakova
06/03/2024
Gratë mbetën nën hijen e burrave edhe gjatë vitit 2022 në Maqedoninë e Veriut
Fisnik Xhelili
12/01/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia