March 6th, 2024
Gratë mund të jenë shumë të ndjeshme ndaj mosbalancimit hormonal, kjo mund të ndikojë në mënyra të ndryshme në jetën dhe shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik. Periudha para dhe gjatë ciklit menstrual luan rol të rëndësishëm për këtë. Për më shumë, ‘Mollëkuqja’ bisedoi me gjinekologen Luljeta Mulaki.
“Cikli normal menstrual tek një femër zgjat nga 21-35 ditë (mesatarisht 28 ditë)” thotë Mulaki. “Ai përbëhet nga 4 faza: 1-Faza e menzis, gjatë së cilës ndodh gjakderdhja menstruale. 2-Faza proliferative ose folikulare gjatë së cilës rritet dhe maturohet folikuli që permban qelizën vezë. 3- Faza e ovulacionit gjatë së cilës pëlcet folikuli dhe çliron qelizën vezë. 4-Faza sekretore apo luteale e cila është faza pas pëlcitjes së folikulit të qelizës vezë.”
Ajo sqaron se faza në të cilën jemi e determinon edhe atë se cili/cilat hormone do të tajohen dhe se secili hormon ka funksionin e vet në mbarvajtjen e ciklit menstrual.
Cikli menstrual fillon me gjakderdhje menstruale që shënon ditën e parë të fazës ciklit menstrual dhe mund të zgjas 3 deri 7 ditë, në këtë fazë nivelet e Estrogjenit dhe Progesteronit janë të ulëta ndërsa hormoni Folikulostimulues rritet gradualisht.
Në pjesën e dytë të fazës proliferative nga dita 7 deri në ditën e 14-të të ciklit ka rritje graduale të nivelit të Estrogjenit i cili stimulon rritjen e folikulit dhe rigjenerimin e shtresës së endometriumit në mitër. Sekretimi i Estrogjenit kulmon me sekretimin maksimal të tij përpara fazës së ovulacionit ndërkohë që Progesteroni është në nivel të ulët.
Faza e ovulacionit ndodh në mes të ciklit menstrual (ditën e 14-të) dhe zgjat kryesisht 16 deri 32 orë. Në këtë fazë ka koncentrim maksimal të hormonit Luteinizues (LH) i cili nxit pëlcitjen e folikulit, daljen e qelizës vezë me çrast ndodh ovulacioni dhe formohet Corpus Luteum (trupit të verdhë) i cili fillon të sekretoj sasi të mëdha të Progesteronit.
Faza luteale fillon pas ovulacionit, ajo zgjat rreth 14 ditë (nëse nuk ndodh fekondimi) dhe përfundon pak para ciklit të ardhshëm menstrual. Gjatë kësaj faze ka nivele të larta të Progesteronit dhe Estrogjenit të cilat ushqejnë, mtrashin dhe përgatisin endometriumin për një shtatzani të mundshme. Në qoftë se nuk ka ndodhur fekondimi, në fund të ciklit ka rënie drastike të Estrogjenit dhe Progesteronit, ndodh shkolitja e endometriumit dhe shfaqet gjakosja menstruale me çrast fillon një cikël tjetër menstrual.
Mulaki, përveç funksionit kyç të hormoneve në ciklin menstrual, tregon edhe për rëndësinë e tyre në përditshmërinë tonë. Kështu sipas saj ato kanë funksion të rëndësishëm në metabolizmin e përgjithshëm të trupit, ruajtjen e temperaturës trupore, oreksin, rrahjet e zemrës, ciklet e gjumit si dhe kanë një rol të rëndësish në funksionin reproduktiv dhe seksual. Por gjithashtu ajo thekson se fluktuacioni hormonal gjatë fazave të ndryshme të ciklit menstrual ka një rrol të rëndësishëm në gjendjen emociomale dhe shëndetin mental të femrës.
Nëse jeni pyetur se përse një grua përjeton luhatje të disponimit gjatë një muaji, Mulaku i përgjigjet kësaj pyetje duke ua vënë “fajin” hormoneve, pasi që ato gjithashtu kontribuojnë në lumturinë, mërzinë por edhe në dëshirën për marrëdhënie seksuale.
“Nivelet e larta të Estrogjenit në fazën e parë të ciklit kanë efekt pozitiv në gjendjen emocionale të femrës dhe kjo është e lidhur me ndikimin e Estrogjenit në prodhimin e Serotoninës, një neurotransmetues i cili ngrit humorin, motivimin dhe gjendjen e mirë emocionale. Gjatë fazës së ovulacionit ka një rritje të lehtë të Testosteronit tek femrat i cili nxit nje rritje të libidos, nxit aktivitetin fizik dhe humorin e mirë. Faza e parë Luteale karalrerizohet nga koncentrime të larta të Progesteronit në gjak i cili është hormon relaxues me çrast femra ka një gjendje emocionale stabile dhe gjum të rregullt, por kjo nuk ndodh në fund të fazës luteale për shkakt të rënies drastike të Estrogjenit dhe Progesteronit e cila manifestohet me ulje të humorit, me anksiozitet, lodhje, nervozizëm, probleme me përqëndrimin dhe oreksin. Shfaqja e këtyre simtomave në mënyrë më të theksuar paraqet atë që quhet Sindroma Premenstruale.”
Mulaki gjithashtu jep një sqarim edhe për shtimin e dëshirës për të konsumuar ushqim e sidomos ëmbëlsira. Ajo thotë se disa studime sugjerojnë se ndryshimet në nivelet e hormoneve të Estrogjenit dhe Progesteronit shkaktojnë dëshirë për ushqime të pasura me karbohidrate para periodave. Kurse ushqimet e ëmbla mund të ndihmojnë gjithashtu në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak, lehtësimin e humorit të ulët dhe lodhjes që ndodhin shpesh përpara fillimit të një ciklit të ri. Gjithashtu këto produkte stimulojnë çlirimin e Serotoninës, një mediator që rrit ndjenjën e lumturisë.
Mulaki gjithashtu vë theksin në rëndësinë e mbajtjes së hormoneve të ekujlibruara, sepse në rast të kundër mund të përballemi me çrregullime hormonale.
“Ekuilibri hormonal është çelësi për mirëfunksionimin e organizmit në përgjithësi dhe shëndetit reporduktiv në veçanti. Ngrënia e një diete të ekuilibruar, gjumi i mjaftueshëm, reduktimi i stresit dhe aktiviteti fizik i vazhdueshëm ndihmojnë në eluilibrin hormonal dhe mirëqenien e jetës së femrës. Çdo lloj çrregullimi në ekuilibrin hormonal mund të manifestohet me çrregullime të ciklit menstrual, luhatje të humorit, të shkaktojë shtim në peshë, rritje të stresit, çekuilibrim të gjumit, rënie të flokëve, ulje të libidos si dhe rënie të aftësisë fertilizuese tek femra.”
Vajzat dhe gratë duhet të jenë të kujdesshme ndaj shëndetit të tyre reprodukues, kështu duke i bërë kontrollet e rregullta te gjinekologu por edhe kontrollimin e hormoneve në rastet kur shfaqen çrregullime të ciklit menstrual, vonesa ose ndryshime në sasinë dhe cilësinë e gjakosjes menstruale, paraqitje e rjedhjes së qumshtit nga gjendrat e gjirit jashta periudhës së laktacionit, lëvizje e pakontrolluar e peshës trupore, shfaqje akneve në fytyrë, paraqitje e qimeve të theksuara në fytyrë dhe zona androgjene, rënie e flokëve dhe tjera.
Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.
TË NDRYSHME
RMV-ja ndryshoi kryeministrin, por jo edhe zakonet - gratë ngelen të papërfaq...
Fisnik Xhelili
17/01/2022
Aplikacionet që përdoren për të evidentuar ciklin menstrual po i vënë gratë n...
Ardit Ramadani
13/07/2024
Maqedonia e V: Më shumë se 3 mijë gra humbën jetën nga kanceri i gjirit në de...
Fisnik Xhelili
03/10/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia