2-1658186503.png

Burrat jashtë bashkësive martesore nuk mund të formojnë në Maqedoni familje monoprindërore me metoda artificiale

SEKSIZËM

July 19th, 2022

Burrat të cilët nuk janë në bashkësi martesore nuk mund të krijojnë familje me mënyrat e reproduktimit artificial të familjes: in-vitro fertilizim, mëmësi surrogate ose reproduktim posthuman. Ligji për Fekondim të Asistuar Biomjekësor (FAB) i cili përcakton të drejtat e reproduktimit artificial, themelimin e familjes nga burrat e vetëm e kufizon në aspektin gjinor dhe atë statusor. Sipas gazetarit dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Ognen Janeski, kufizime të tilla janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe një bazë serioze për diskriminim gjinor në vendimin e dikujt për të krijuar familje monoprindërore.

Sipas ligjit për FAB me anë të inseminimit artificial dhe fekondimit in vitro, familje mund të themelojë gruaja e vetme, por jo edhe burri i vetëm. Burri i vetëm këtë të drejtë mund ta realizojë vetëm nësë është në bashkësi martesore ose jashtëmartesore. E drejta e mëmësisë surrogate nuk ju njihet as burrave të vetëm dhe as grave të vetme për të themeluar familje monoprindërore përmes një gruaje surrogate. Sipas Ligjit për FAB kjo e drejtë e burrit është e kufizuar edhe me rastin e reproduktimit poshuman. 

Edhe pse Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë së Veriut (FSSHM) mbulon realizimin e të drejtës për fekondim të asistuar biomjekësor, edhe atë deri në të tretën herë pas përpjekjes për fekondim, kjo e drejtë nuk u takon burrave. Si FSSHM ashtu edhe Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë që mundësinë për aplikim për metodat e tilla artificiale e kanë vetëm gratë. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë që deri në adresë të tyre nuk ka pasur kërkesë nga burrat e vetëm për krijim të familjes monoprindërore, në krahasim me kërkesat nga nënat e vetme që kanë qenë 89 gjatë vitit 2020 dhe 132 gjatë vitit 2021.

“Asnjë kërkesë nuk është paraqitur nga burrat e vetëm sepse Ligji për fekondimin e asistuar biomjekësor parashikon që për procedurë të mëmësië surrogate mund të aplikojnë vetëm çiftet bashkëshortore”

Ministria e Shëndetësisë

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë:

  • Nga 362 kërkesa të parashtruara për fekondim in vitro gjatë vitit 2020, është dhënë pëlqim për 341 prej tyre. Nga 528 kërkesa të parashtruara për fekondim in vitro gjatë vitit 2021, është dhënë pëlqim për 511 prej tyre.

  • 89 kërkesa për FAB janë parashtruar gjatë vitit 2020 nga nënat e vetme. Ky numër rritet në 132 gjatë vitit 2021.

  • Në vitin 2020 janë dorëzuar tre kërkesa nga çifte të martuara dhe tre kërkesa nga bartëse gestacionale. Në vitin 2021 janë paraqitur gjashtë kërkesa nga çifte të martuara dhe katër kërkesa nga bartëse gestacionale.

  • Gjatë viteve 2020 dhe 2021 nuk ka lindur asnjë fëmijë në procedurat e nisura me nëna surrogate.

3-1658264855.png
  • Nëntë çifte të martuara janë regjistruar në Regjistrin e Çifteve të Martuar gjatë viteve 2020-2021 për mëmësi surrogate.

  • Nuk ka kërkesa për riproduktim posthuman gjatë viteve 2020 dhe 2021.

Sipas ekspertes ligjore, Arta Selmani, përgjithësisht Ligji për Fekondim të Asistuar Biomjekësor është një ligj shumë bashkëkohor dhe liberal, mirëpo sipas saj, ligjdhënësi duhet të rishikojë mirë këtë ligj me qëllim evitimin e disa kontradiktave ligjore në vet tekstin e ligjit si dhe heqjen e bazave diskriminuese në themelimin e prindërisë si në aspektin e amësisë surrogate poashtu edhe në aspektin e themelimit të familjes monoprindërore nga burrat e vetëm. 

“Duhet rishikuar ky ligj si pasojë e zgjerimit të politikës bashkëkohore të natalitetit të cilat në asnjë mënyrë nuk lejojnë kufizim të të drejtës dhe lirisë reproduktive si në aspektin gjinor poashtu edhe në aspektin e statusit martesor. Amësia po që është diçka shumë e shenjtë, mirëpo nuk duhet lejuar të jetë në superioritet në raport me atësinë si në aspektin e përgjegjësisë prindërore poashtu edhe aspektin e themelimit të prindërisë”

Arta Selmani

Kërkesat e shqyrtuara nga komisioni për FAB

KËRKESAT E SHQYRTUARA NGA KOMISIONI PËR FAB

MODELET “TRADICIONALE” TË FAMILJES, MODELE TË VJETRUARA

Modelet familjare më liberale pranohen shumë vështirë nga shoqëria për shkak të traditave dhe zakoneve familjare. Madje, ekzistojnë edhe paragjykime për atë se fëmija a është realisht i prindërve që e realizojnë procesin dhe dyshime të tjera që ju parashtrohen gjinekologëve gjatë procesit të aplikimit. 

Sipas gjinekologes Rina Latifi Isaki, dilemat dhe pyetjet më të shpeshta të familjeve të interesuara për metodat artificiale janë të llojit: ku i merrni qelizat, prej kujt i merrni dhe me kë i bashkoni, a garantoni se janë të burrit ose e kundërta, fëmijët a janë të njëjtë si ata me ngjizje normale, a kanë ngjyrë të syve si ne dëshirojmë ose gjinia si do të zgjidhet.

Untitled-design-5-1658327230.png

Aspekte të tilla problematike të ligjit janë të papërshtatshme për kohën në të cilën jetojmë, veçanërisht duke pasur parasysh tendencat në vendet perëndimore, ku rregulla të tilla tashmë janë tejkaluar dhe përshtatur me jetën moderne shoqërore. Ndarja e përgjegjësive brenda familjes dhe roli i babait në këto “familje tradicionale” vazhdon të jetë rol sekondar. Sado që shkenca imponon ndryshimin e koncepteve falë metodave të reja për krijim të familjes, sipas aktivistit Fatos Grubi, paragjykimi ndaj familjeve jo-tradicionale do të ekzistojë për një kohë të gjatë në shoqërinë tonë. 

“Fatkeqësisht, më shumë rëndësi i kushtohet asaj se sa përputhet familja me kallëpin e vjetëruar të asaj se si duhet të duket një familje, se sa mënyrës se si duhet të funksionojë familja, të ketë dashuri dhe kujdes brenda saj. Nuk ka arsye logjike se pse një burrë të mos jetë në gjendje të themeloje familje monoprindërore, nëse i posedon aftësitë dhe përmbush kushtet e të qenit prind. Diskriminimi ndodh kur burrit i imponohet vetëm roli i babait si figurë, e jo si një prind përgjegjës për rritjen dhe kujdesin e fëmijës”

Fatos Grubi

SHTETI JO I GATSHËM T’U PËRGJIGJET NEVOJAVE BASHKËKOHORE PËR KRIJIM TË FAMILJES
2-1658264881.png

Qytetarët çdo ditë e më tepër vetëdijësohen për mënyrat moderne të reproduktimit artificial. Sipas gjinekologes Rina Latifi Isaki menjëherë pas konstatimit të sterilitetit, çiftet interesohen për mundësitë që kanë për të krijuar familje. Sipas saj, qytetarët kanë më tepër interes për IVF procedurat me qelizat personale dhe ajo vetë ka pasur nëna të vetme që kanë aplikuar për metoda të tilla artificiale. 

“Në Maqedoni ligji i përkrah nënat e vetme dhe kam pasur disa paciente të cilat kanë vendosur për një lloj të tillë të fekondimit artificial. Kemi rezultuar për fat të mirë në shtatzani edhe pse te shqiptarët ende është tabu ky lloj i fekondimit. Unë si mjeke nuk kam pasur rast që një baba i vetëm të aplikojë për një lloj të tillë të fekondimit”

Rina Latifi Isaki

Derisa kërkesa nga nënat e vetme për të krijuar familje me metodat e reproduktimi artificial rritet, shteti nuk është i interesuar që të plotësojë ligjin dhe të ua sigurojë këtë të drejtë edhe burrave. Sipas aktivistit Ognen Janeski shoqëria dhe shteti jonë nuk janë të gatshëm për të ju përgjigjur nevojave bashkëkohore për krijim të familjes. 

1-1658264928.png

“Shoqëria jonë nuk është e gatshme t'i pranojë këto metoda pa paragjykime dhe pikërisht për këtë fillimisht duhet bërë një proces ambientimi dhe bashkëbisedimi me qytetarin, i cili duhet të kuptojë dhe jo të detyrohet për diçka të cilën nuk e ka të qartë as në detaje - as në përgjithësi. Shteti po përballet me probleme serioze nga të gjitha aspektet e ekzistencës dhe funksionimit të institucioneve shtetërore. A janë ata të gatshëm t'u përgjigjen këtyre nevojave, ose më mirë do t'i quaj sfida? Jo. Dhe derisa të zgjidhim pyetjet themelore në lidhje me funksionimin e sistemit, ato nuk do të jenë të gatshëm. Sepse ky është një proces shumë kompleks. Dhe si e tillë, do të kërkojë funksionim serioz multisektorial. Dhe ne nuk jemi gati për këtë”

Ognen Janeski

Nën autoritetin e Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht Komisionit Shtetëror për Fertilizim të Asistuar Biomjekësor, jepet pëlqimi për plotësimin e kushteve për marrjen e fillimit të procedurës së inseminimit alogjenik dhe pjesa tjetër e procedurës kryhet nga institucionet e autorizuara shëndetësore, ndërsa inseminimi autolog dhe procedura e përgjithshme për lëshimin e kuponëve për invitro është nën juridiksionin e Fondit Shëndetësor.

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi”. Ajo është gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Rita ka moderuar emisionin "Pasdite me Alsat" në Televizionin Kombëtar "Alsat". Ajo është bashkëthemeluese dhe presidente e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia