June 24th, 2023
“Burri që është burrë nuk e ka vendin në kuzhinë”, “po çfarë burri është ai që i bën bukën gruas”, “burrë grash”, këto janë vetëm disa nga shumë të thëna të cilat dëgjohen kur për pjesën e gatimit vendos të kujdeset një burrë. Stereotipi se kuzhina dhe gatimi nuk është për burrat por vetëm për gratë është shtresuar aq thellë sa që për një burrë i cili gatuan në shtëpi apo për familjen konsiderohet “turp” madje përballet me ofendime e paragjykime të cilat kanë për qëllim të ia “cënojnë burrërinë”.
Në aspektin social, siç na sqaron sociologu Ali Pajaziti, tërheqja thuajse absolute e burrit shqiptar nga kuzhina shtëpiake e ka gjenezën te ndarja e nënkuptuar tradicionale e punëve, nga shmangia asaj që quhet domestic responsibility (përgjegjësi shtëpiake), një skemë kjo maskiliste që burrin e sheh vetëm në punët jashtë shtëpisë, ndërsa gruan të prirur për higjienë dhe gatim.
Pra, gastronomia shihet si sektor që duhet ta mbajë apo menaxhojë gruaja, kurse burri është vetëm degustator i mirë, që në të shumtën e rasteve kritikon pa u përpjekur për të bërë as minimalen, edhe një supë të gatshme s’e bën nga komoditeti i krijuar social.
Ali Pajaziti
Ai thotë se shqiptarin në kuzhinë e ka futur ose kurbeti ose fataliteti i humbjes së bashkëshortes, dhe ky trend në të shumtën e rasteve ende vazhdon.
“Nuk ka burrë që i thotë gruas ‘Ulu, të shërbej unë!’. Kjo ngase konsiderohet denigruese. Fenomeni “gruaja është për kuzhinë” është prezent edhe në Italinë Veriore (90% gatuajnë gratë), në Rusi, Ukrainë etj. Por ka edhe kultura klasike si ajo samoase ku është mbizotëruese ideja që burri duhet të gatuajë; ndër kulturat moderne në këtë drejtim prin ajo amerikane ku në vitin 2016 43%-shi i burrave kanë qenë “shefa kulinarie” në shtëpitë e veta”, sqaron Ali Pajaziti.
Shembulli më i mirë që vërteton atë nuk janë vetëm gratë për në kuzhinë është pikërisht shqiptari nga Tetova – Rene Rexhepi një ndër kuzhinierët më të njohur në botë, restoranti i të cilit disa herë ka marrë çmimin si restoranti më i mirë në botë dhe dhjetëra çmime të tjera të kësaj natyre.
Kjo, sipas sociologut Pajaziti është simbol se kuzhina jonë mashkullore mund të arrijë kulmin global, por ky sukses është individual dhe nuk po gjen jehonë shoqërore më të gjerë, nuk po shndërrohet në fenomen brenda familjeve tona.
Një tjetër emër shqiptar i njohur me karrierë ndërkombëtare në fushën e gastronomisë është edhe shefi Rufi Shabani nga Tetova, ai për Mollëkuqja.mk thotë se nuk janë vetëm gratë për në kuzhinë, por edhe burrat.
Burrat që punojnë si kuzhinierë në restorante sigurisht që kanë talent, dhunti gastronomike të lindur apo të trashëguar, ato dinë të jenë shumë profesional në këtë lëmi por vetëm duhet përkushtim dhe durim, sepse jo vetëm gratë duhet të jen në kuzhinë, por edhe burrat.
Rufi Shabani
Ai shton se gjinia nuk ka dallim në këtë drejtim. “Qoftë burrë apo grua s’ka dallim vetëm shija të jetë e mirë”.
Mollëkuqja.mk verifikoi disa restorante në Tetovë dhe rrethinë, ku në shumicën dërmuese të rasteve punonjësit në kuzhina ishin burra ndërkaq shumë pak gra vëreheshin aty, shpesh gratë që punonin në kuzhina ishin pjesë e familjes së restorantit.
Enti Shtetëror i Statistikës për Mollëkuqja.mk tha se nuk disponon me të dhëna se sa gra dhe sa burra janë të punësuar në sektorin e gastronomisë; sa gra dhe sa burra janë kuzhinierë; si dhe sa gra dhe sa burra janë të diplomuar në këtë profesion.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia