image-5.png

Kush dhe pse ka frikë nga Edukimi Gjithpërfshirës Seksual në shkolla?

MARRE

October 13th, 2021

Zilja e shkollës në fund të orës së shtatë nuk do të thotë përfundim i ditës shkollore për të gjithë nxënësit në shkollën "Jan Amos Komenski" në Shkup. Për pesëmbëdhjetë nxënës të klasës së nëntë, ky është fillimi i lëndës së orës zgjedhore të cilën po e dëgjojnë për herë të parë këtë vit - Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës, shkruan 360.

Në orën mësimore të cilën po e ndjekim, tema është dashuria dhe marrëdhëniet. Me metoda të ndryshme të të mësuarit - lojëra, debate dhe kuize, nxënësit duhet të krijojnë ide mbi vlerat dhe pritjet në marrëdhënie, të nxisin të menduarit kritik, të mësojnë të respektojnë veten dhe të tjerët. 

"Pra, çfarë ndodhi në skenarin e parë?" Si e trajtoi Arbeni Fjollën, mendoni se sjellja e tij është e drejtë? Pse?", debatojnë mësuesit me nxënësit.

Fëmijët janë në periudhë të adoleshencës, një periudhë ku “ju vlon gjaku”, ku ata e gjejnë veten, ndërtojnë qëndrime, ndërtojnë veten si individë. Ne duhet t'i ndihmojmë që ata të ndërtojnë qëndrimet e duhura, qëndrimin e duhur ndaj marrëdhënieve. Nga kjo që shihni sot për shembull, atyre ju mësohet kur duhet të thonë jo. Ndryshe është kur dikush ju sugjeron diçka, kjo do të ju ndihmojë të parandaloni apo izoloni veten nga disa pasoja të padëshiruara.

Elizabeta Ivanoviç, psikologe në shkollën fillore "Jan Amos Komenski" në Shkup

Lënda e Edukimit Gjithëpërfshirës Seksual (EGJS) filloi këtë vit si një projekt pilot në gjithsej tre shkolla në vend. E njëjta zbatohet me pëlqimin e prindërve të fëmijëve që ndjekin mësimet. Nisma për formalizimin e tij në procesin arsimor erdhi nga organizata joqeveritare "Hera". Pasi projekti mori dritën jeshile në vitin 2019 nga ministri i atëhershëm, Arbër Ademi, Byroja për Zhvillimin e Arsimit përgatiti kurrikula dhe manuale mësimore, ku pesëmbëdhjetë mësues u trajnuan vitin e kaluar për të ligjëruar këtë lëndë. 

Temat që ofron ky kurs janë të ndryshme, andaj u angazhua kuadër mësimor nga fakultete, Nikolina Kenning, trajnerë nga HERA, psikologë, sociologë, staf që tashmë ka punuar në këtë temë. Sigurisht, u trajnuam dhe u monitoruam nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe duhej të realizonim mësimet që sipas tyre u vlerësuan se duhej të ligjëroheshin, u trajnuam për mënyrën e zhvillim të orëve dhe të gjithë metodologjinë. Praktikisht, e kaluam trajnimin në mënyrë eksperimentale.

Elizabeta Ivanoviç

Meqenëse projekti është në fazë eksperimentale, materialet mësimore dhe manualet nuk janë në dispozicion për publikun, por temat e programit studimor janë të njohura:

1. Gjinia

2. Lidhjet dhe raportet

3. Trupi dhe imazhi i trupit

4. Shëndeti seksual dhe riprodhues

5. Seksualiteti

6. Dhuna

7. Aspektet qytetare të seksualitetit dhe riprodhimit

"Nëpërmjet këtij programi mësohet më shumë për marrëdhëniet, sjelljen jo të dhunshme midis bashkëmoshatarëve dhe shëndetin e përgjithshëm të fëmijëve”, thotë Sllave Pavlovski, vajza e të cilit ndjek ligjëratat e EGJS.

Sllave Pavlovski është prind i njërit prej fëmijëve që dëgjon lëndën e Edukimit Gjithëpërfshirës Seksual. Para se të jepte pëlqimin e tij, ai ndoqi takimet në shkollë ku u njoftua me atë që do të mësohej në këtë lëndë. 

Ne u njoftuam me të gjithë programin, na u dhanë broshura, na u tha se çfarë saktësisht do të bënin dhe do të studionin. Meqë prindi është lidhja midis mësuesve, fëmijëve dhe shkollimit të tyre, vendosa ta dërgoj vajzën time në këtë lloj të mësimdhënies.

Sllave Pavlovski

Ideja e Ministrisë së Arsimit është që së pari të shihen rezultatet e fazës pilot, dhe nëse është e nevojshme - të bëhen ndryshime në programe dhe vetëm atëherë, si opsion, të futet lënda në mësimdhënie. Zbatimi i tij do të shkonte paralelisht me Konceptin e ri për Arsimin Fillor.

Por, përkundër faktit se kjo lëndë ligjërohet vetëm te nxënësit prindërit e të cilëve kanë rënë dakord paraprakisht, dhe në të ardhmen do të ishte vetëm lëndë zgjedhore, ekziston një kundërshtim i madh në terren për prezantimin e lëndës së edukimit seksual.

Më të zëshme janë dy ose tre grupe shoqatash formale dhe joformale, të cilat përveç që kundërshtojnë EGJS-në, janë edhe kundër dixhitalizimit në arsim, por edhe masave të COVID-it në shkolla.

Shoqata e vetme e regjistruar zyrtarisht në Regjistrin Qendror është "Nga Ne te Ne". Ajo u krijua në vitin 2019, dhe raporti i fundit financiar tregon se nuk ka punonjës dhe se vitin e kaluar ata kishin të ardhura totale prej 4,500 euro, të gjitha nga donacionet, tarifat e anëtarësimit dhe dhuratat. Presidentja Gordana Goxho është gjithashtu e njohur për publikun për protestat e saj kundër vaksinave, rregullave të kovidit dhe kundër rrjetit 5G.

"Ne nuk po përhapim asnjë dezinformatë, asnjë fantazi, por ne po shikojmë faktet”, thotë Goxho.

Faktet për të cilat Goxho flet janë ato të cilat i përdorin organizata si ajo amerikane "Family Watch International", e cila globalisht qëndron kundër EGJS-së, lëvizjes LGBTI, abortit dhe gjithçka që ajo e konsideron një kërcënim për vlerat tradicionale të familjes. Teza e tyre kryesore është se fëmijët seksualizohen me EGJS-në, e cila sipas tyre ka për qëllim që fëmijët të fillojnë më herët marrëdhëniet ose të ndryshojnë gjininë e tyre.

"Ata që promovojnë EGJS-në përfitojnë nga abortet, operacionet e ndërrimit të seksit dhe terapitë hormonale. Në arsim nuk duam edukim seksual, jo ashtu si është e paraparë të bëhet sipas propozimit të HERA. Pra, për sa i përket programit të EGJS-së që parasheh temën e riprodhimit, abstenimit të paktën deri në moshën madhore, nuk ka asgjë të gabuar në të, por jo për EGJS-në siç po realizohet”

Gordana Goxho

Organizata joqeveritare HERA, manualet e së cilës janë përdorur për materialet e EGJS-së, thotë se shumë studime ndërkombëtare kanë treguar se edukimi gjithëpërfshirës seksual nuk kontribuon në rritjen, por në zvogëlimin e numrit të aborteve dhe rritjen e kufirit të moshës kur të rinjtë kryejnë marrëdhënie seksuale. Materialet mësimore të përdorura në vend thuhet se janë zhvilluar nën drejtimin e UNESCO -s, Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Kombeve të Bashkuara.

HERA thotë se çështjet sensitive në lidhje me orientimin seksual dhe gjinor kanë vetëm një shënim informues.

Praktikisht, pjesa e çështjeve LGBT është në pjesën e aspekteve qytetare. Ulja e paragjykimeve, stigmës dhe diskriminimit ndaj këtyre grupeve, sepse ata jetojnë mes nesh dhe janë pjesë e shoqërisë sonë. Kjo nuk i referohet aspak ndonjë promovimi të ideologjisë LGBT, por thjesht mbrojtjes së këtyre grupeve, njohjes së tyre dhe përfundimisht mbrojtjes së tyre nga diskriminimi dhe dhuna.

Bojan Jovanovski, drejtor ekzekutiv i HERA

Autoritetet për zbatimin e EGJS-së kanë demantuar vazhdimisht "Nga ne tek ne", dhe HERA ka ngritur akuza penale për përhapje të gjuhës së urrejtjes. Prokuroria, megjithatë, e ka refuzuar padinë pasi nuk ka gjetur palë të veçantë të dëmtuar.

Mes postimeve kontroverse në temën e EGJS-së janë fotografi të diskutueshme nga libra nga jashtë vendit, që më pas shpërndahen sikur janë nga vendi, ose lajme që lënda do të mësohet që në moshë të re.

image-19.png
image-13.png

“Gjatë gjithë kohës gjërat nxirren nga konteksti. Kjo lloj propagande është një lloj urrejtje, me anë të të cilës përmes një frike shoqërore përpiqen të delegjitimojnë organizatën tonë dhe organizatat e tjera që luftojnë për EGJS-në, duke thënë - ju jeni kundër natyrës, familjes, traditës, gjithçkaje që ka kjo botë dhe është ndërtuar nga Zoti, gjë që është krejtësisht e jo relevante dhe e pa saktë”, thotë Jovanovski.

Por, përveç EGJS-së, problemi kryesor për shoqatat si "Nga Ne tek Ne" është Koncepti i ri për Arsimin Fillor, ku një nga shtyllat themelore është sigurimi i "ndjeshmërisë gjinore" në të gjitha lëndët.

Duke interpretuar këtë term, shoqatat përhapin lajme se përmbajtja për orientimin seksual dhe gjinor do të jetë prezente në të gjitha tekstet shkollore nga klasa e parë, gjë që sipas tyre e bën EGJS-në të detyrueshme, jo lëndë zgjedhore. 

Goxho gjithashtu kundërshton standardet e UNESCO-s, UNICEF-it, OBSH-së dhe Konceptit të Ministrisë së Arsimit. Sidoqoftë, të paktën deri më tani, sipas konceptit të ri, nuk është gjetur përmbajtje e diskutueshme nga ky aspekt në tekstet shkollore.

360 °: Ju vetë thoni se deri më tani asgjë kontroverse nuk është vënë re në këto paralele.

Goxho: Po, te paralelet e katërta, njësoj edhe te të parat. Por a dëgjoni atë që ju them? Nga zero në katër vjet, fëmijët do të mësojnë të seksualizohen, kështu që vitin e ardhshëm mund të futen në kopshte. A më kupton? Ky është vetëm fillimi.

Për të rritur ndërgjegjësimin për atë që sipas tyre janë efektet e dëmshme të EGJS-së dhe edukimit të ndjeshëm gjinor, kjo organizatë këtë verë mblodhi donacione për prezantime online nga doktoresha amerikane Miriam Grossman, e njohur për pikëpamjet e saj kontraverse dhe qëndrimet kundër LGBTI dhe anti-abortit. Në webinar me shoqatën, ajo performoi në një stil të njohur.

Shoqata e Goxho thotë se "edukimi sensitiv gjinor" në praktikë do të thotë trans-propagandë.

"Ndoshta në matematikë do të kesh një detyrë - tre burra, pesë gra dhe pesë njerëz transgjinorë - sa në total? A më kupton? Në disa nga detyrat, ajo ideologji gjinore do të duhet të futet në trurin e fëmijëve. Në gjuhën maqedonase, ju mund të keni një lektyrë shkollore ku fëmija është Hirushi në vend të Hirushja”, thotë presidentja e "Nga Ne tek Ne". 

Byroja dhe Ministria e Arsimit hedhin poshtë supozime të tilla. Ata theksojnë se ndjeshmëria gjinore do të thotë diçka krejtësisht tjetër - që tekstet shkollore do të marrin parasysh barazinë e grave dhe burrave dhe thyerjen e stereotipeve.

Ne nuk duhet të kemi gjithmonë ilustrime në tekstet shkollore që në moshë të re ku nënat janë ato që gatuajnë dhe baballarët janë ata që punojnë dhe sigurojnë familjen, por që ato role në shoqërinë moderne tashmë janë ndryshuar ose janë vënë në një pozicion të barazisë.

Ajshe Ajrullai, Byroja për Zhvillimin e Arsimit.

Të njëjtën gjë e konfirmon edhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.

"Shumë është e trishtë të themi se niveli i të kuptuarit të barazisë gjinore në shoqërinë tonë është shumë i ulët dhe lidhet drejtpërdrejt me komunitetin LGBT”, thotë Mila Carovska.

Pikërisht për të luftuar lajmet e rreme, Qeveria formoi një grup punues dy vjet më parë. Epo, ne pyetëm, çfarë bëri ky grup punues për lajmet e rreme në lidhje me EGJS-në? Nuk morëm një përgjigje specifike.

Ministrja e Arsimit Mila Carovska thotë se si departament ata luftojnë kundër lajmeve të rreme përmes transparencës.

Nuk është se nuk është bërë asgjë, sigurisht që ne nuk do të bëjmë kundër-protesta për këtë çështje, por është shumë e rëndësishme që vazhdimisht të informojmë në kohën e duhur. Ne kemi publikuar çdo gjë që është bërë në baza ditore. Është e njëjta gjë për konceptin, u zhvilluan debate, u publikuan të gjitha dokumentet, tekstet shkollore dhe u pa që nuk kishte asnjë reagim ndaj të njëjtit, gjë që tregon se mënyra e vetme për të luftuar lajmet e rreme është të informojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe në kohë të gjithë aktorët për rrezikun në mënyrë që pasojat prej tyre të zvogëlohen.

Mila Carovska

Zbatimi i EGJS-së dhe Konceptit të ri për Edukimin Sensitiv Gjinor ende nuk është përmirësuar, standardet dhe përvojat ndërkombëtare të dhjetëra vendeve që e kanë prezantuar prej kohësh këtë program, do të duhet të përshtaten me klimën lokale.

Që të funksionojë më mirë, EGJS duhet të pasqyrojë realitetin e nxënësve, kurse prindërit dhe institucionet duhet të përfshihen në edukimin e tyre. Sepse, me ose pa ndihmën e tyre, të rinjtë do të vendosin vetë përparësitë e tyre.

 

 

 

 

 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia