untitled-design-(8)-1681307297.png

Nevojat e grave, "peng" i inateve politike - produktet menstruale taksohen si produkte luksi

MARRE

April 12th, 2023

Pas më shumë se katër muajve nga hapi i parë nga pushteti dhe pas më shumë se 11 muajve pas protestës dhe kërkesës së organizatave joqeveritare, tatimi për produktet e higjienës menstruale nuk është ulur akoma. Institucioni kompetent për këto ndryshime, Ministria e Financave nuk e pa të udhës të përgjigjet në pyetjet e nisura një javë më parë, deri ku është procesi i ndryshimit të tatimit për këto produkte dhe përse masa nuk është miratuar dhe nuk ka hyrë në fuqi akoma. Nuk përgjigjen gjithashtu as në pyetjen se kur presin që këto ndryshime të hynë në fuqi.  

Këtë masë në kuadër të reformave tatimore e paralajmëroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në 1 dhjetor të vitit të kaluar, pasi nisma kishte kaluar në qeveri. “Mjetet për higjienën menstruale (pecetat, tamponët, filxhanët dhe produkte të ngjashme) do të kenë normë tatimore preferenciale prej 5 për qind. Ky është kontributi i qeverisë në luftën kundër varfërisë menstruale”, kishte thënë Kovaçevski. Kjo reformë tatimore, bashkë me reforma të tjera në fushën e tatimeve, nuk kanë zënë akoma vend në rendin ligjor të vendit.

E kontaktuar nga Mollëkuqja, deputetja dhe kryetarja e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë, Maja Moraçanin, e cila ka qenë drejtpërdrejt e kyçur në këtë nismë të organizatave joqeveritare sqaroi se procedura ka mbetur në komisionin përkatës në Kuvend, në të cilin janë në rend dite ligjet për reformën tatimore. Për to nuk ka marrëveshje prandaj dhe janë bllokuar. Kryetar i Komisionit për Financa dhe Buxhet në Kuvend është deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanovski. Ai për “Mollëkuqja” sqaron se pse procedura e ndryshimit të ligjeve për reformën tatimore është bllokuar.

Nisma është bllokuar për shkak se mungojnë informacione plotësuese të cilat qeveria është dashur por nuk i ka dorëzuar. Ne vlerësojmë se këto ndryshime duhet të kalojnë në debat publik dhe duhet të sillen me konsenzus dhe jo përmes një procedure e cila nuk është reale. Sfera akademike nuk është konsultuar. Vetë ligjet janë kontestuese për shkak se do të shkaktojnë evazion plotësues tatimor

thotë Stojanovski.

bojan-1681307368.jpeg

Sipas tij, VMRO-DPMNE-ja nuk është kundër uljes së tatimit për produktet menstruale por ndryshimeve të tjera që mund të ndikojnë në çmimin e produkteve ushqimore, dhe të cilat në tërësi janë pjesë e kësaj reforme të nisur nga pushteti.

“Pushteti din shpesh që zgjidhjet e mira ligjore t’i përziej me interesa të caktuara të bizneseve. Përveç që parashihet ulje e TVSH-së për produktet menstruale, parashihet edhe rritje e TVSH-së nga 5 në 10% për disa prodhime ushqimore gjë e cila do të ndikojë në çmimin e produkteve që përdoren në përditshmëri. Ne ju themi, publikojeni çmimoren dhe le të ulemi të bisedojmë, por jo të sjellin ndryshime përmes një procedure kaq jotransparente”, thotë Stojanovski.

OJQ-të të shqetësuara për varfërinë mensturale

Rrjeti i organizatave për të drejtat e grave të cilat protestuan më 30 maj të vitit të kaluar dhe dorëzuan kërkesë në Ministrinë e Financave për uljen e tatimit, po ashtu kanë kërkuar sqarime dhe nuk kanë marrë përgjigje nga ky dikaster.

sh.jpeg

“Period Skopje” është njëra prej këtyre organizatave e cila ka ndjekur nga afër procesin dhe fton autoritetet të marrin seriozisht në konsideratë shëndetin dhe dinjitetin e personave për të cilët një ulje simbolike e çmim do të thotë shumë.

Zbatimi i ligjit, pra ulja e TVSH-së për produktet menstruale, ka një rëndësi të madhe sepse do të bëjë me dije dhe konfirmojë atë që tashmë e dimë se është e vërtetë - që produktet menstruale nuk janë produkte luksi, por janë të nevojshme dhe kjo duhet gjithashtu të pasqyrohet në çmime. Gjithashtu, dallimi në çmim për 20 apo 30 denarë mund të jetë i parëndësishëm për shumicën, por për shumë të tjerë mund të përcaktojë nëse do të kenë produkte menstruale këtë muaj apo jo, nëse do të duhet të zëvendësojnë ndonjë produkt tjetër po ashtu të nevojshëm të konsumit në shportën e tyre, me produkte menstruale apo jo, si dhe nëse do të mund ta kalojnë edhe një muaj të sigurt në shëndetin dhe dinjitetin e tyre kur bëhet fjalë për shëndetin menstrual

Natalija Kërstevska, nga Period Skopje.

Produktet për higjienë dhe rehati gjatë menstruacioneve janë relativisht të kushtueshme edhe pse janë të domosdoshme. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut i tatimon si të mira luksi dhe jo si produkte ekzistenciale. Shembull, nëse produktet si ushqimet, ilaçet dhe kompjuterët kanë vetëm 5% TVSH; shtrojat (pecetat menstruale), tamponët, filxhani menstrual dhe të ngjashme, kanë 18% TVSH, duke u futur kështu në grupin e të mirave luksoze. 

Studimet e mëhershme në vend (ai i Tiiiit Ink i vitit 2021) për varfërinë menstruale kanë treguar se pothuajse çdo e treta grua ose vajzë të paktën një herë në jetë nuk ka pasur para të blejë shtroja dhe ka qenë e detyruara të improvizojnë me pëlhura, peshqirë, letër tualeti (kurse gjysma e grave dhe vajzave këtë e kanë bërë më shumë herë).

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia