Untitled-(1440-x-550-px)-11.png

Gratë të shfrytëzojnë pushimin e lindjes, planifikimi familjar nuk duhet të jetë pengesë për punësimin e tyre

PASOJA

January 24th, 2022

A.Cobanova nga Shkupi është njëra nga nënat e shumta e cila edhe pse e punësuar deri në muajin e fundit të shtatzënisë, nuk ka mundur ta shfrytëzojë të drejtën për pushimin e lindjes.

“ Nuk e kam shfrytëzuar pushimin e lindjes, sepse gjatë shtatzënisë sime, kompania private në të cilën punoja falimentoi. Edhe pse punova deri në muajin e nëntë të shtatzënisë, firma private disa muaj me radhë nuk kishte paguar sigurim shëndetësor për të punësuarit përpara se të hapte falimentim. Për shkak të kësaj, e drejta e shfrytëzimit të pushimit të lindjes mu refuzuar nga ana e Fondit për sigurim shëndetësor të Maqedonisë. Këtë gjë, shteti duhet ta rregullojë, sepse në momentin që një kompani falimenton, kur paguhen paratë nga firma fillimisht paguhen muajt të cilët nuk janë paguar për sigurim shëndetësor, pensional dhe invalidor”.

A. Cobanova

Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të barabarta thonë se gjatë hulumtimeve të tyre shpesh hasin në shkeljen e kësaj të drejte. Në veçanti kjo ju ndodh grave të punësuara në sektorin privat.

“Sa i përket shfrytëzimit të pushimit të lindjes ka shumë raste specifike, në veçanti në sektorin privat. Shpesh her gratë të cilat janë me kontrata të pa caktuara në kohë ndodh që të ketë shkelje nga ana e punëdhënësve në momentin kur e kuptojnë se punëtorja është shtatzënë, nuk e vazhdojnë kontratën, dhe kjo gjë deri diku lejohet në bazë të ligjit aktual për marrëdhënie pune sepse me atë pengohet vetëm të mos ketë ndërprerje të kontratës së pa caktuar por nuk ka asnjë dispozitë e cila garanton vazhdimin e kontratës së punonjëses. Dhe kështu një pjesë e grave të punësuara nuk munden ta realizojnë këtë të drejtë. Po ashtu kemi raste kur gjatë intervistave të punës kandidatet potenciale gra, pyeten nga ana e punëdhënësit a janë të martuara dhe a planifikojnë të kenë fëmijë gjë që tregon diskriminim gjinor ndaj grave në tregun e punës”.

Vaska Leshoska, Hulumtuese në Shoqatën “ Reaktor” 

Për momentin Ligji aktual për shfrytëzimin e pushimit të lindjes në Maqedoninë e Veriut, siguron 9 muaj pushim me pagë të plotë e cila mbulohet nga buxheti shtetëror i Fondit për Sigurim Shëndetësor. Për të shfrytëzuar këtë të drejtë ligjore e nevojshme është që gruaja të jetë e punësuar dhe e siguruar për të paktën gjashtë muaj me qëllim që më pas t’i takojë shfrytëzimi i pushimit të lindjes.

Në draft versionin me propozim ndryshimet ligjore në Ligjin për marrëdhënie pune, ndër tjerash parashihet që pushimi i lindjes të zgjasë 12 muaj, ku një pjesë e pushimit t’i takojë prindërit mashkull e njëra prindit femër. Propozim ndryshimet po ashtu parashikojnë që babait t’i takojnë 10 ditë pushim për lindjen e fëmijës. Megjithatë propozim ndryshimet ende presin për të hyrë në procedurë parlamentare. Shoqatat thonë se këta ndryshime në ligj do të thonë të drejta të barabarta për të dy prindërit, dhe jo diskriminim vetëm ndaj grave.

“ Ne angazhohemi që të kemi model të ri të mungesës së prindërve në atë kontekst që edhe nëna të ketë të drejtë për shfrytëzim të pushimit të lindjes por edhe babai dhe të ketë ndarje në mungesën e prindërimit. Konsiderojmë se kjo është kyçe që në bazë ligjore prindërimi të shihet si e drejtë e barabartë që mund ta shfrytëzojnë edhe nëna edhe babai i fëmijës. Prindërimi duhet të njihet si detyrim i barabartë i të dy prindërve. Me këtë nga njëra anë do të ulet diskriminimi i grave në tregun e punës sepse gratë përfundimisht janë të diskriminuara në tregun e punës sepse ato janë përgjegjëse kryesore për fëmijët. Thuajse gjysma e grave që janë në moshën aktive për punë janë jashtë tregut të punës. Dhe shumica prej tyre nuk punësohen për shkak të kujdesit që duhet të japin në familje. Kjo është njëra nga arsyet kryesore përse gratë gjithmonë paguhen më pak për të njejtën punë në krahasim me burrat. Prandaj konsiderojmë që prindërimi duhet të njihet me ligj si detyrim i barabartë”.

Vaska Leshoska, Hulumtuese në Shoqatën “ Reaktor” 

Pas shpalljes së pandemisë, Qeveria miratoi dekret me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës (“Gazeta Zyrtare e RMV”, nr. 90), i cili me nenin 4 parashikon kompensimin e pagës për mungesë nga puna të punëtores për shkak të shtatzënisë, lindjes së fëmijëve dhe birësimit, të vazhdojë të paguhet deri në skadimin e masave të përkohshme për mbrojtje nga përhapja dhe parandalimi i COVID-19.

Realizimi i kësaj të drejte të kompensimit kryhet përmes Fondit për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vendimin për kohëzgjatjen dhe përfundimin e masave të përkohshme e miraton Qeveria e Republikës së Maqedonisë në bazë të konkluzioneve të Shtabit Kryesor Koordinues të Krizave i cili vendos sipas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.

Shoqata jonë drejtoi pyetje deri në Fondin për Sigurim Shëndetësor në lidhje me atë se sa gra në Maqedoninë e Veriut kanë shfrytëzuar të drejtën për pushimin e lindjes gjatë vitit të kaluar dhe nëse ka rritje apo ulje të këtyre numrave, megjithatë përgjigje nuk morëm. Të dhëna po ashtu nuk mundëm të sigurojmë edhe sa gra kanë shfrytëzuar vendimin e Qeverisë për mungesë në punë derisa zgjat pandemia. 

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Tanimë shtatë vite e ushtron profesionin si gazetare. Aktualisht është e angazhuar në televizionin Alsat, ndërsa paraprakisht ka punuar në disa shtëpi të tjera mediatike, përfshirë dhe shtypin e shkruar. Kryesisht Vjollca mbulon tema që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, ku dy vitet e fundit kanë qenë tema që kanë të bëjnë me pandeminë.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia