January 22nd, 2024
Gjidhënia si proces bart sfidat e saja dhe si rezultat problematikat më të shpeshta që shfaqen në gjidhënien e foshnjave janë si kapjet jo të thella dhe jo korrekte të gjirit, sasia e pamjaftueshme e qumështit në gji, krijimi i bllokimeve, inflamacion i indeve të gjirit dhe mastit si dhe shumë shkak pasoja të nisura menjëherë sapo nëna lind dhe vazhdojnë të pazgjidhura për gjatë gjithë kohëzgjatjes së gjidhënies.
Për këto problematika dhe të tjera, 'Mollëkuqja' bisedoi me Zamira Bolanin, konsulete laktacioni e cila ka edhe blogun “hapesiraezamires” në Instagram ku ndan vazhdimisht këshilla në këtë drejtim.
Ajo sqaron se fillimisht për të kuptuar këto duhet të nisemi nga fakti që jetojmë në shekullin XXI ku metodat apo ndërhyrjet në proceset e lindjeve nuk janë të njëjtat me 30-50 vite më parë.
Bolani sqaron se në lindje ndiqet rrjedha natyrale e saj gjithmonë e më rrallë dhe ndërhyhet më tepër me terapi intravenose, anestesi të ndryshme, induksione të lindjeve, përdorimi i ventozave apo objekte të tjera në lindje, operacionet cesariane janë më të shpeshta etj. Dhe sigurisht modaliteti i lindjes ndikon në reagimet e para të foshnjës për tu ushqyer në gji.
“Një faktor tjetër ndikues në suksesin e gjidhënies është mënyra se si sillemi me foshnjën e sapoardhur në jetë. Nëse foshnja nuk vendoset menjëherë në kraharorin e mamit sapo lind, evitohen praktika si qëndrimi në “lëkurë në lëkurë”, foshnja vendoset në gji për herë të parë duke e ngjeshur atë me forcë dhe jo duke respektuar kohën e vetë pikërisht në këto momente do të kemi shfaqjen e parë të problematikave”, tregon Zamira Bolani.
Ajo mes tjerash na sqaron se jo më pak i rëndësishme është stafi spitalor, i cili duhet të jetë i specializuar për laktacionin e të jap ndihmën e parë te nëna e re.
“Dhe në të shumtën e rasteve, siç raportohet prej 2 vite e gjysëm nga nënat në blogun “hapesiraezamires”, këtu ka mungesë të theksuar”, tregon Bolani.
Zgjidhjen ajo e sheh që së pari duhet të kuptohet se gjidhënia është natyrale ndërsa procesi i të dhënit gji foshnjës është e nevojshme të mësohet.
“Nëna e re duhet të edukohet mbi gjidhënien që në shtatzëni. Nuk mjafton thjeshtë informimi me lexime sporadike, eksperienca të grave të tjera në familje apo fakti se në lindjen e mëparshme ke pasur një gjidhënie të mbarë. Ashtu si lindjet apo reagimi i bebave paslindjes edhe gjidhëniet nuk do të ngjasojnë më njëra tjetrën. Një edukim paraprak (duke nisur nga java e 30 e shtatzanis) mbi gjidhënien lehtëson nënë edhe në episodet e depresionit paslindje”, sqaron Bolani.
Në Maqedoninë e Veriut ka disa nisma të cilat promovojnë dhe mbështesin ushqyerjen me gji. Kështu për shembull në katër institucione publike shëndetësore janë hapur shkolla të ushqyerjes me gji “Rosa”, e fundit u hap në Tetovë dhe në Klinikën për Sëmundje të fëmijëve në Shkup.
Në këto shkolla, nënat e reja dhe prindërit e ardhshëm kanë mundësinë, me mbështetjen e personelit mjekësor, të marrin asistencë të plotë profesionale në këtë proces, duke përfshirë edukimin për rëndësinë dhe përfitimet e ushqyerjes me gji.
“Prindërit e rinj kanë mundësinë të konsultohen me një ekip ekspertësh - pediatër, gjinekolog-obstetër dhe infermiere patronazhi për avantazhet e ushqyerjes ekskluzive me gji, si dhe për çështje të tjera aktuale që kanë të bëjnë me rrjedhën e shtatzënisë, kujdesin ndaj shtatzënave, përgatitjet për lindjen, kujdesin dhe ushqyerjen e të porsalindurit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik (IShP) i Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim thekson se vitin e kaluar, Departamenti për Promovimin e Shëndetit dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Institutin e Shëndetit Publik e pa nevojën e ndërgjegjësimit për përfitimet e ushqyerjes me gji dhe për këtë qëllim Instituti ka përgatitur “Udhëzuesin për ushqyerjen me gji” i cili është shpërndarë në të 10 Qendrat e Shëndetit Publik që mbulojnë të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
“Përmbajtja e udhëzuesit paraqet nevojat thelbësore dhe informacionin se pse ushqyerja me gji është e mirë? Cili është përfitimi i nënës nga ushqyerja me gji? Si të ruani siç duhet qumështin? Si mund të kontribuojë partneri gjatë periudhës së gjidhënies etj”, sqarojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ky udhëzues gjendet në këtë LINK, ndërkaq është i qasshëm vetëm në gjuhën maqedonase. Përndryshe, ISHP-ja planifikon që në muajin gusht 2024 një fushatë me ligjërata dhe materiale promovuese për shënimin e Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia