pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-05-02t161929.540.png

Tëhuajsimi nga trupi - Sa me të vërtetë ndjejmë?

N'THELB

May 2nd, 2024

Në qarqet e pop-psikologjisë haset shpesh “gjuha e trupit” nëpër tituj senzacional dhe kapituj të veçantë librash që garantojnë lexim më të kollajshëm të qëllimeve të fshehura të njerëzve. Në këto shkrime trupi trajtohet si diçka e lexueshme, gjestet si diçka që mund të interpretohet dhe lëvizjet si diçka që tregon më shumë se ç’mund të thonë fjalët.

Aftësia për të zbërthyer më kollaj atë që fshehurazi komunikon secili do të ju mundëson njerëzve negociata më të lehta, zbulim të armiqësisë dhe hetim kur dikujt (nuk) i pëlqejmë. Këto projekte që synojnë të mësojnë kuptimin e gjuhës jo-verbale (trupore) zakonisht premtojnë rezultate të zmadhuara. Edhe pse nuk mund të mohohet efikasiteti i tyre deri në një pikë, gjuha e trupit është tejet e komplikuar edhe gjestet e secilit janë diçka tepër personale, kuptimi i të cilave nuk varet nga regullat e njejta semantike siç janë ata të gjuhës verbale.

Por synimi i këtij shkrimi nuk është të ofrojë kritikë mbi letërsinë self-help që i “ofron” secilit mundësi të bëhet mjeshtër i emocioneve dhe gjuhës së trupit por diçka krejtësisht tjetër. Këtu synojmë të shfaqim trendet se si sillemi ndaj trupit. Mënyrat se si shkëputemi nga trupi, si e shohim trupin si diçka të “pisët”, që duhet përmirësuar, ndryshuar, ushtruar. Përpos kësaj do të përpiqemi të ofrojmë një pikëpamje tjetër ndaj trupit.

Pikënisja duhet të jetë pyetja: “A është trupi diçka e ndarë nga mendja?

Kultura perendimore do të përgjigjej po. Dekarti e bëri ndarjen mes trupit dhe mendjes, por kjo nuk ishte diçka e re. Filozofia e ndante ndryshe njeriun, mes arsyes edhe pasioneve, dhe normalisht që mbështetej tek arsyeja, duke ju lënë vendin e dytë pasioneve apo emocioneve. Arsyeja të shpjente tek e vërteta, pasionet vetëm se të turbullonin dhe të largonin prej lumturisë.

Trajtim të ngjashëm i jepte edhe religjioni trupores. Pasionet u gjykuan rëndë. Ata u shtynë edhe më larg nga bota e njeriut, duke ja lënë në pronësi djallit. Kësisoj trupi u bë diçka që mbante “të pistën” me vete. Dhe e fëlliqura nuk konsiderohej pjesë e njerëzores. Njerëzit, që ishin krijesa të perëndisë, duhej të ushqenin vetëm anën hyjnore që ishte në kontrast me atë shtazore, kafshërore. Por rrjedha e kohës e solli trupin përsëri në fokus. Përmes nxënësve të Frojdit trupi u pa si pasqyrë e tërë konflikteve që ishin në pavetëdije. Rajhu (Wilhelm Reich), një nga nxënësit e Frojdit, insistonte në funksionin e orgazmit si mjet për të dijagnostifikuar psikologjikisht njeriun.

Trupi e shfaqte karakterin thoshte ai, dhe frymëmarrja e penguar zbulonte konfliktin në karakter. Louen (Alexander Lowen), nxënës i Rajhut, e cek se gjatë seancës në psikoterapi shprehjet e trupit shfaqin edhe atë që nuk e shohim, nuk e pranojmë apo nuk e themi dot. Për shembull mënyra si i mbajmë krahët - mesazhi do të ishte sikur na peshon bota, si e mbyllim krahërorin - sikur për të shtypur agresion, si e shtrëngojmë fytin për të penguar frymëmarrjen.

Sipas këtyre teorive trupi mban sekretet nga të cilat fshihemi vetë. Nga dhimbjet, të sharat, frikat, traumat, neglizhenca nga prindërit, dhuna etj. Trupit ngjashëm do ti qasen edhe personalitetet e shquara të psikologjisë dhe psikoterapisë moderne siç janë Bessel van der Kolk dhe Gabor Mate që janë përkushtuar profesionalisht ndaj studimit dhe shërimit të traumave (PTSD dhe variacione të tij). Psikoterapia duhet gjithmonë ta marrë seriozisht trupin.

Trupi është hapësira ku shfaqen ndjenjat tona, prandaj dhe gjithçka mbyllet në të. Njeriu e ka aftësinë të regjistrojë mesazhet e brendshme të trupit - propriocepcion ose vetëdija për trupin në hapësirë, kinestezi - vetëdija për trupin në lëvizje dhe të jashtme - përmes shqisave. Shqisat tona regjistrojnë botën dhe në vazhdueshmëri japin informata rreth hapësirës. Por sa në të vërtetë e ndjejmë çdo pjesë të trupit që na sjell informata? A mos kemi ndoshta ndonjë bllokim, dhe një pjesë të trupit nuk e ndjejmë fare apo e kemi të shtangur? Kjo do të thoshte se burimi i informatave që i marrim nuk është i tërë, apo nga një pjesë e trupit kemi më pak të dhëna. Kjo domethënë se nuk funksionojmë me kapacitetin e tërë informatave që na’i ofron trupi. Përse është kështu?

Të provojmë një eksperiment: skenojeni ngadalë trupin tuaj duke filluar nga shputat e këmbëve, gishtat e më pastaj duke kaluar lartë nëpër muskujt deri te pjesa para gjurit, gjurin, e kështu deri në majën e kokës. A ishte kollaj të bëni këtë? A ka pjesë të trupit që janë më të paqarta, ose është më vështirë të koncentrohemi që t’i ndjejmë? Gjasat janë se diku ndjejmë më pak.

Trupi është i gjykuar si nga jashtë ashtu dhe nga brenda. Standardet e ndryshme të bukurisë e trajtojnë trupin si objekt, si diçka që duhet ndryshuar dhe përshtatur. Kjo mund të jetë dhe burim i vuajtjes së madhe. Çrregullimet si anoreksia - më e shpeshtë te gratë, dhe dismorfia trupore - e shfaqur më shpesh te burrat janë ilustrime të ekstremes. Dikush nuk do të hajë fare ushqim shkak preokupimit me peshën, ndërsa dikush do të shkojë përtej limiteve të trupit për ta ushtruar pa kurrfarë mëshire. Shkëputja nga trupi (dhe nevojat) është evidente. Trupi nuk jam unë, por është diçka që duhet ndryshuar sipas asaj që unë mendoj se është e duhura.

Por ç’të bëjmë?

Konsensusi i neuroshkencës do të na thotë se trupi dhe mendja nuk janë të ndara ashtu siç mendojmë se janë, por funksionojnë si tërësi. Nga këtu, lëndimet e shpirtit dhe trupit i bjen që të jenë një dhe e njëjta. Si i qasemi trupit tonë, flet shumë për ne. Qasja ndaj nevojave fiziologjike flet shumë për ne. Andaj ndoshta në vend të leximit të gjuhës së trupit të të tjerëve, duhet të shtrojmë pyetjen ndaj vetes: Si jam unë me trupin tim? A e ndjej të tërin? A jam i/ei vëmdendshëm/shme në ndryshimet që ndodhin brenda meje në situata të ndryshme? A pushoj? A ndjej kur më pihet ujë? Apo kur s’më pëlqen situata? Apo kur marr vendim? A i dëgjoj mesazhet që vijnë dhe më e rëndësishme, a i vlerësoj aq sa e vlerësoj një mendim? A jam unë trupi im? Në përgjigjet tona do të shfaqet qasja jonë ndaj trupores, joracionales, të pakuptueshmes por të vjetrës.

Trupi, përveç që përmban thesare mbyllur me kujtime, dhimbje dhe gëzime, brenda fsheh mijëvjeçarë evolucioni dhe urtësie. Gjithçka bëhet më e lehtë dhe e bukur, kur nisim ta dëgjojmë.

Muhamed Veliu

Muhamed Veliu ka kryer studimet e psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi". Ka punuar në Kryqin e Kuq të RMV si kordinator i programeve për mbështetje psikosociale dhe ndihmës së parë psikologjike në kriza. Aktualisht është instruktor në programin "Kryqi i Kuq në Aksion - Promovimi i Vlerave Humane" (KKA - PVH) dhe punon si Geshtalt psikoterapist nën supervizim. Njëkohësisht është edhe moderator në podkastin "Llafe t'lira".


donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia