October 28th, 2023
“Operacioni i dytë duhej të bëhej në nj klinikë private, pasi në atë shtetërore nuk kishte termin, por më mirë të mos shkoni atje (spitalet publike) pasi është shumë keq edhe kostoja ju del e dyfishtë, kur thonë se jemi të liruar nga pagesat, gënjejnë” e nisi bisedën me gazetaren e Mollëkuqja.mk Cvetanka Çonkova, një grua e mbijetuar nga kanceri i gjirit.
Çonkova është një grua e fortë, e cila arriti t’i përballojë dy operacione në një muaj, pasi gjatë një eko kontrolli të gjirit, mjekët i zbuluar një adenomë, që më pas për fat të keq u konstatua se kishte pasë një rritje të thellë dhe kishte qenë malinje.
“Pas operacionit kam pasur katër cikle onkologjike, të cilat vështirë i përballova. Kështu në marrëveshje me mjekun i ndërpreva. Kanë kaluar tetë vjet që atëherë, tani mbaj një dietë, bëj kontrolle të rregullta” i tha Cvetanka Çonkova gazetares së Mollëkuqja.mk, duke shtuar se menjëherë pasi zbuloi se kishte sëmundjen, filloi të studiojë për nutricion në mënyrë që të usheqehet sa më mirë.
“Shefat duan punëtorë të shëndetshëm, neve të na ndihmojë Zoti”, tha ajo, duke na spjeguar sfidat me të cilat përballet çdo ditë në punë. Ajo shtoi se nuk kanë fare mbrojtje në vendin e punës dhe se trajtohen thuajse njejtë si të gjithë punonjësit tjerë, ndërsa nga kur përballet me këtë sëmundje, edhe kostot janë rritur.
“Fakti që thonë se jemi të përjashtuar nga disa pagesa nuk është e vërtetë. Ndoshta për pasqyrën e gjakut, eko dhe mamografi, por do të duhet të paguani vetë për kontrollet gjinekologjike.” Përfundoi ajo.
Aktivistja Liridona Beqiri tash një kohë të gjatë merret me këtë problematikë. Ajo thotë se autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë dështuar në krijimin e politikave të nevojshme për qasje sa më të lehtë të grave në zbulim të hershëm dhe trajtim të kësaj sëmundje, por jo vetëm.
Ndër problemet tjera, në këtë drejtim, sipas Beqirit është edhe mos-informimi i masës, veçanërisht grave për rëndësinë e kontrolleve sa më të shpeshta. Sipas saj “Shpesh sëmundja nuk është aq e dhimbshme sa frika nga paragjykimet që bëhen në shoqërinë tonë. Por kjo sëmundje ndikohet shumë edhe nga perceptimi dhe gjendja juaj emocionale”, Ajo shtoi se nuk është turp të kesh kancer gjiri, por se ata që e kanë atë tregojnë "forcë dhe guxim".
Beqiri shtoi se është e rëndësishme t'i raportoni mjekut tuaj çdo shenjë të pazakontë në lidhje me gjirin. Ajo shtoi se gjetja e një diçkaje të pazakontë në gjoksin tuaj nuk do të thotë domosdoshmërisht se keni kancer të gjirit.
“Kanceri i gjirit ende trajtohet si një sëmundje që prek vetëm gratë, duke mos ditur që kjo sëmundje nuk bën dallim mes gjinive dhe se së fundmi një numër i konsiderueshëm i meshkujve janë prekur nga kanceri i gjëndrës së gjirit, ndaj theksoj se kjo është një luftë e përbashkët që kërkon një aleancë racionale për të mirën e shoqërisë”, tha Beqiri.
“Duke uruar për një shoqëri me gra të forta dhe të shëndetshme, dua të theksoj se kanceri mund t'ju vjedhë besimin se e nesërmja e hareshme mund të zgjasë në pafundësi. Në këmbim, ju dhuron vizionin për ta parë çdo ditë të jetës si të çmuar, një dhuratë që duhet përdorur tërësisht dhe me mençuri”, përfundoi ajo.
Për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit në gji, biseduam edhe me mjeken onkologe Vjollca Skenderi Neziri, ajo për “Mollekuqja.mk” tha se kanceri i gjirit varet nga faktorë të ndryshëm. Disa janë të brendshme, të tilla si gjenetika, gjinia dhe mosha e personit. Disa janë të jashtme, si ndotja e mjedisit, rrezatimet e ndryshme, terapia kontraceptive, mungesa e aktivitetit fizik dhe obeziteti.
Neziri shtoi se çdo vit ka rritje të rasteve të kancerit të gjirit, por vitet e fundit kemi pasur edhe një rritje të numrit të kontrolleve sistematike të iniciuara nga vetë gratë dhe se ky trend është shpresëdhënës.
Ajo shtoi se vetëkontrolli i gjirit duhet të bëhet që në moshën e adoleshencës dhe se gratë duhet të testohen me eko të gjirit nga mosha 20 vjeçare dhe me mamografi nga mosha 35 vjeçare.
“Kanceri i gjirit edhe pse është një sëmundje fizike ndikon në psikologjinë e pacientit të prekur dhe në psikologjinë e familjes gjithashtu”, tha Neziri. “Këtu mbështetësit më të madh duhet të jenë familja, por edhe onkologu, shoqëria dhe shteti. Këta pacientë duhet të kenë mbështetje profesionale nga psikologët, por nëse është e nevojshme edhe nga psikiatër. Është një zinxhir në të cilin çdo hallkë ka peshën e vet.”
Ndryshe, Betejën me kancerin e gjirit vitin e kaluar e kanë humbur 356 gra, ky është numri më i lartë i viktimave nga kjo sëmundje në dekadën e fundit në Maqedoninë e Veriut. Përderisa të dhënat e Institutit për Shëndet Publik në lidhje me këtë janë alarmante, në institucionet shëndetësore të vendit shumë vështirë gjenden termine të lira për mamografi, që është mënyra e vetme për zbulimin në kohë të kësaj sëmundje.
Almira Xhaferi studion Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës. Ajo është aktiviste e të drejtave të grave dhe vullnetare në programin “Through Ladybug’s Lens”. Angazhimi i Almirës për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe për të sjellë ndryshimin në të, dëshmon kontributin dhe pasionin e saj për avokim të të drejtat të grave.
TË NDRYSHME
RMV, nuk ka shkurtim të pushimit të lindjes për nënat, edhe baballarët mund t...
Fisnik Xhelili
16/01/2023
Djemtë e Gen Z besojnë se feminizmi është i dëmshëm, e kanë mësuar nga interneti
Fisnik Xhelili
16/08/2024
Nëntëdhjetë përqind e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedon...
Fisnik Xhelili
08/07/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia