New-Collection-Minimal-Social-Media-(1440-x-550-px).png

Ngacmuesit që fshihen pas tastierave dhe ekraneve janë "të fortë" vetëm në rrjete sociale

SEEN

October 23rd, 2021

Facebook, Twitter dhe Instagrami… na kanë bërë një shoqëri ndjekësish (stalkers).                                               Dhe neve na pëlqen kjo.

*SPOILER

Gangster tastiere (keyboard ganster) është një frazë e përdorur në fjalorin urban që shërben për të përshkruar personat që luajnë rolin e “të fortit” duke u fshehur pas tastierës. Këto persona që në botën viruale keqpërdorin lirinë për të komentuar mbi gjithçka dhe çdo gjë, përderisa në botën reale (mund të jenë) janë të padukshëm; janë sinonim i fjalisë së urtë popullore “gjuha eshtra nuk ka por eshtra thyen”.  Seriali “13 Reasons Why” i adoptuar nga romani me të njëjtin titull të Jay Asher, i kushton vëmendje këtij fenomeni me anë të karakterit kryesor të vetvrarë Hannah Baker (Katherine Langford); një shkollare adoleshente që bullizohet nga shoqëria. Në episodën e katërt të sezonit të parë, në kasetën e regjistruar nga Hannah për Tyler Down (Devin Druid), shqyrtohet problemi i shpërndarjes së fotografive intime të dikujt tjetër si dhe gjuha e urrejtjes.

Episodi fillon me narratimin e Hannah Baker e cila paralajmëron se regjistrimi i kasetës në vijim do qetësi dhe heshtje maksimale. Ajo gjithashtu potencon dëshirën e flaktë të njerëzve për të kuptuar sekretet dhe të pazbuluarat e tjetrit. Këtë ajo e tregon nëpërmjet storjes që ka me  Tyler Down, një nxënës dhe fotograf i shkollës i cili e përndjek dhe e fotografon atë. E rëndësishme për t’u veçuar këtu është aftësia e lapsit të skenaristit amerikan Brian Yorkey, i cili shtron shumë thjeshtë por me delikatesë shkallët e zhvillimit të dy proceseve njëkohësisht; atë të shpërndarjes së fotografisë intime të Hannah dhe Courtney-it (Michelle Selene Ang) si dhe bullizimin e Hannah-së në shkollë nga pikëpamja e Hannah-së por jo vetëm. Karakteri kryesor Clay (Dylan Minnette), me anë të kasetave kupton se në fillim Hannah as nuk i ka kushtuar vëmendje zërave që i vinin nga pas derisa hynte  në shtëpi, më pas ndjen frikën e Hannah-së e cila nuk mund të fle kur dëgjon shik-shakun e aparatit fotografik nga dritarja duke vazhduar kështu me ndarjen e kësaj ndjenje me dikë si Courtney dhe duke përfunduar me organizimin e lojës për t’a zbuluar personin që po e fotografon atë. Në këtë mënyrë shikuesi kupton se nëse mos kokëçarja ose mos ndarja e këtij problemi me dikë tjetër më të rritur ose më të ditur ishte zëvendësuar me ndarjen me familjen, problemi do të ishte parandaluar. Mirëpo nga ana tjetër, fakti se nëna e Hannah-s e cilëson veten si vetëm ‘një e njohur’ e të bijës është rezultat i mos komunikimit të tyre dhe njëkohësisht një nga arsyet thelbësore në vetevrasjen e Hannah-s pas bullizimit. 

Të vetme në shtëpi Hannah dhe Courtney nisin të luajnë lojën ‘e vërtetë apo guxim’ dhe në lojë e sipër puthen. Pasi të dyja kuptojnë se Tyler është ‘admiruesi’ i fshehur, Courtney frikohet se njerëzit në shkollë do e kuptonin orientimin seksual të saj dhe ndalon së shoqëruari me Hannah-n. Sërish e vetme Hannah kërkon nga Tyler që mos ti shpërdajë fotografitë mirëpo ky i fundi kur merr refuzim nga Hannah për një takim, me nervozë shpërndan fotografinë. Loja e imazheve që luan regjisori me ne është se kur Clay nuk dinte se kush ishin dy vajzat në foto ashtu si shumica edhe ai masturbonte, pra ishte i fokusur në kënaqësinë që arrinte nga fotografia, mirëpo kur Hannah pranon se është ajo në fotografi dhe se ajo fotografi është shkrepur dhe shpërndarë pa lejen e saj dhe të Courtney, Clay ndjehet bosh. Hakëmarrja e Tyler duke shpërndarë fotografinë bëhet kuptimplotë (por mbetet e padrejtë) gjatë ballafaqimit të tij me Clay në dhomën e kuqe kur ai i thotë këtij të fundit se e donte Hannah-n dhe se vajzat si ajo nuk dalin me djem si ai dhe Clay. I pafuqishëm për t’iu kundërvënë me fjalë apo për të luftuar dhe fituar pëlqimin e Hannah-s, i etur për t’u dashur por pabesimtar se mund të duhet dhe ta duan, Tyler gjen forcë dhe e keqpërdor këtë forcë në rrjetet sociale.

Në serial me një metaforë të evidentueshme fajësohen të rriturit dhe në këtë rast personeli shkollor. Është shkolla ajo që i ka dhënë leje Tyler të jetë paparac dhe të përgatis fotografitë vjetore të shkollës. Ndonëse kjo vlen vetëm për objektin shkollor, Tyler si një nxënës që është në moshën e adoleshencës fare lehtë mund të humb toruan dhe të dojë shumë më shumë. Pra, “13 Reasons Why” me këtë dhe madje me mbledhjet e drejtorisë dhe prindërve duke e përmenduar Hannah-n si “ajo vajza” tregon qartë arsyet se përse ka bullizëm nëpër shkolla. Tregimi që është një gërshetim i kohës së kaluar dhe të tashmes arrin katarsis me skenën ku e ëma e Hannah-s lexon shkrimet bullizuese që janë shkruar në banjot shkollore përpara prindërve dhe drejtorisë shkollore. Duke filluar nga fjala ‘kurvë’ dhe përfunduar me fjalën ‘vdis’ Olivia Baker (Kate Wlash) me zërin drithërues të saj kërkon llogari për mos vërejtjen e këtyre shkrimeve edhe pas vetvrasjes së së bijës. Gjithçka që ajo gjen është një drejtor që mundohet të mbulojë këtë problem ashtu siç mbulon me ngjyrë muret e banjove. Një metaforë kjo që sa e gjetur aq është edhe fatndjellëse sepse mundësonte një hapësirë më të madhe për të bullizuarin e radhës.

Ndonëse në fund Tyler paguan atë që ka bërë me të njëjtën monedhë, e veçanta e kësaj epizode qëndron në formulimin e problemit dhe në arsyet që kanë sjellur problemin. Hannah arrinë që qoftë e vdekur të bëjë të ndjehet paranojak Tyler por kjo nuk është zgjidhja. Mirëpo, fakti që bullizimi në atë shkollë i ngjanë një rrethi që vazhdimisht sillet por nuk ndryshon është përshkak të mospuqjes së komunikimit prindër-fëmijë, mësues-nxënës dhe nxënës-nxënës. Mospërpjekja e zhvillimit të komunikimeve të lartpërmendura është një nga trembëdhjetë arsyet e pse-ve Hannah vrau veten por që na mundëson të shohim që nëse nuk ndryshon ky sistem Hannah do të jetë vetëm një nga viktimat e shumta.

Shkrimi është shkruar ekskluzivisht për Mollekuqja.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Mollekuqja.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

            

 

            

Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia